Rritja e çmimeve në RMV lë nën hije masat anti-krizë

    Masa e ngrirjeve të çmimeve të produkteve ushqimore mund të vazhdohet edhe në muajin janar. Me qëllim të mos shkaktimit të tronditjeve të reja gjatë festave të fund të vitit dhe në fillim të vitit tjetër, pritet që qeveria të mbaj të ngrira çmimet e produkteve ushqimoreve dhe pijeve joalkoolike në tregun me shumicë e pakicë. Por qytetarët thonë se me afrimin e festave veçmë kanë filluar të rriten edhe çmimet, sidomos ato që nuk janë në marzhën e garantuar, por edhe në shitore të vogla e tregje të gjelbra pa kuponë fiskal.

    “Më shtrenjtë s’ka ku të shkojë! Në krahasim me Evropën ne jemi poshtë me rrogat por me çmimet jemi më lart se ata. Atje i marrin nga 5 mijë euro, kurse ne nga 300 euro, por me këto kosto nuk ia dalim në fund të muajit. Nuk dimë çfarë të bëjmë! Këta duan të na nxjerrin shpirtin, nuk duan të rrojmë, sa më pak të na japin e të vdesësh para kohe që t’ua lejmë edhe pensionet që marrim nga 200 euro që na takojnë.”

    “Shumë të shtrenjta, tepër! Nuk mund të përmbush njeriu nevojat personale. Masat e fundit me ngrirje të çmimeve çfarë nënkuptojnë për ty? Asgjë, ajo është gënjeshtër e pastër, në çdo shitore mund të shikoni se nuk ka çmime të garantuara, aq më pak të fruta perimeve që ndryshojnë çdo ditë.”

    “Asgjë, çmimet në super markete janë të larta, nuk di a kanë kontrolle, por artikujt ushqimorë e posaçërisht produktet e qumështit janë katastrofë.
    “Po normale secili shtrenjtim i mallrave ndikon në buxhetin familjarë se këtu rrogat i dimë si janë, standardi në Maqedoni është i ulët dhe ndikon në secilën familje.”

    Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, thotë se po pritet raporti i statistikave për muajin nëntor dhe më pas të vendoset se cilat masa mund të vazhdojnë. Për dallim nga qytetarët Bytyqi thotë se masat kanë dhënë efektin e duhur, duke iu referuar uljes së inflacionit, që mesatarja e këtij viti do të jetë në kuotën afër 9,5%.

    “Efekti i masave anti krizë ishte që të ulet dhe të zbutet inflacioni dhe që të stopohet rritja e çmimeve te konsumatori final. Në muajin tetor inflacioni e kishin në nivel 3,5% ose diku rreth gjysma e asaj që ishte në muajin shtator. Projeksionet tona janë që në nëntor dhe dhjetor inflacioni do të vazhdoj të ulet, kurse ngritja e çmimeve në tetor ishte në nivel vetëm 1% që është dëshmi se masat kanë dhënë efekt”, deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

    Megjithëse u paralajmërua propozim ligji për parandalimin e tregtisë jo korrekte, ai akoma nuk ka marr dritë jeshile në Qeveri, për të ndjekur më pas procedurat parlamentare në Kuvend. Vërejtjet më të mëdha të odave ekonomike lidhur me këtë draft-ligj të Ministrisë së Ekonomisë ishin në shkeljen e disa të drejtave konkurruese në treg për prodhuesit dhe favorizimi i tregtarëve dhe furnitorëve. Ndonëse u paralajmërua të miratohet deri në fund të dhjetorit për këto tre javë të mbetura, ekzekutivi po shikon të vazhdoj masat aktuale, që të fitoj kohë për të hartuar një ligj që nuk kundërshtohet as nga deputetët. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shpërndarja e Kuvendit i lë ligjet pa u miratuar

    Lajmi i rradhës

    Efektet e luftës – Psikologët këshillojnë për kujdes nga imazhet online

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë