Rruga e UÇK-së në Reçicë të Vogël kërkon projekt afatgjatë

    Rruga e UÇK-së në Reçicë të Vogël – Tetovë

    Komuna e Tetovës ka krijuar Komision të veçantë i cili do të merret me dëmet e shkaktuara nga vërshimet gjatë muajit gusht në rajonin më të gjerë të Tetovës. Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se ky komision do të bëjë vlerësimin dhe më pas do t’i drejtohet me kërkesë qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

    “Ne kemi angazhuar një komision të veçantë i cili merret në mënyrë profesionale konform kërkesave të komisionit qeveritar për vlerësim, të cilët do të bëjnë vlerësim edhe njëherë dhe do të dërgojnë kërkesë tek komisioni qeveritar dhe do të presim përgjigje nga ata”, deklaroi kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

    Nëse, qeveria nuk ka përgjigje pozitive ndaj kërkesës, atëherë komuna pjesërisht do të dëmshpërblejë qytetarët.

    “Nëse ata zyrtarisht na përgjigjen se nuk do të na përkrahin në pjesën e dëmshpërblimeve, zgjidhja tjetër do të jetë të shkojmë në këshillin komunal të Tetovës dhe komuna me potencialin e vet që ka, të dëmshpërblejë pjesërisht banorët sepse komuna nuk ka kapacitet që të mbulojë të gjitha dëmet e konstatuara gjatë vërshimeve”, tha kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

    Në ndërkohë, Kasami ka theksuar se duhet një projekt më i madh për të rregulluar problemin në rrugën e UÇK-së. Ai nënvizon se një pjesë e vërshimeve janë sanuar, por sa i përket dëmtimit të rrugës problem është se rruga ndodhet në shtratin e lumit dhe vërshimet e radhës sërish do ta dëmtonin. Prandaj, Kasami kërkon zgjidhje te një projekt afatgjatë ku rruga nuk do të ndërtohet në shtratin e lumit.

    “Ne tash jemi duke përpiluar projekt, kemi angazhuar kompani për zgjidhje afatgjate, pra rruga nuk mund të ndërtohet në shtratin e përroit të lumit, por aty duhet që të kthehet shtrati I lumit aty ku e ka vendin dhe rruga të bëhet në hapësirë adekuate. Pra, projekti është në realizim e sipër dhe kur do të kemi zgjidhje afatgjate atëherë do të intervenojmë. Për momentin pjesa kritike që ka qenë me rrënimin, komuna e ka rregulluar, por sa i përket rrugës në shtratin e lumit, ne nuk mund të investojmë para publike në atë vend kur do të kemi reshje të serishme do të ketë dëmtime”, tha Kasami.

    Në Tetovë, zakonisht vërshimet shkaktojnë dëme të mëdha në zonën e Reçicës së Vogël, në fshatra të Malësisë së Tetovës dhe rajonin e Porojit. Vite me radhë vërshimet në rajonin e Tetovës ndodhin gjatë muajve të verës dhe shpesh herë kanë marrë viktima dhe kanë lënë qytetarë pa kulm mbi kokë, por edhe shumë prona janë dëmtuar. Edhe pse ka pasur premtime vazhdimisht se do të punohet në parandalimin e këtyre vërshimeve, megjithatë përveç fshatit Shipkovicë, në vende tjera nuk është punuar aspak. /koha/

    Lajmi Paraprak

    ZË I TRISHTË

    Lajmi i rradhës

    KRIZA RRIT SHPENZIMET NË RMV | Buxheti i vitit 2023 do të jetë 5.3 miliardë euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë