Rruga Tetovë – Jazhincë sinjalizohet deri në fund të vitit

    Ndonëse ishte paralajmëruar që në fillim të vitit të kaluar se do të vendosej sinjalistikë e re në rrugën Tetovë-Jazhincë, megjithatë për këtë do të duhet të pritet deri në fund të vitit. Dhe derisa mungon sinjalizimi më i mirë në këtë rrugë, vozitësit gjithnjë e më shumë hasin në vështirësi. Drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi thotë se për vendosjen e sinjalistikës Tetovë-Jazhincë është dashur të ketë një projekt apostafat për sinjalistikën horizontale dhe vertikale. Sipas tij, tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe është siguruar projekti i reviduar dhe kanë filluar procedurat për realizimin e atij projekti. Pritet që të bëhet përzgjedhja e kompanisë që do të realizojë sinjalistikën në këtë aks rrugor të rëndësishëm në rajonin e Tetovës.

    “Kemi shkuar për një procedurë të këtillë sepse rruga Tetovë-Jazhincë është një nga rrugët më të frekuentuara në republikën e Maqedonisë së Veriut por edhe një rrugë ku rrezikohet siguria në komunikacion e qytetarëve pasi që kalon në të gjitha vendbanimet nga Tetova deri në Jazhincë. Për këtë arsye na është dashur që të kemi një projekt më të mirë, një projekt që mendojmë se do t`i jep zgjidhje trafikut të stërngarkuar komunikacionit nga qyteti i Tetovës e deri në Jazhincë në kufi me Kosovën. Këta janë procedura të cilët unë si drejtor i ndërmarrjes duhet t`i respektojë dhe ne duke i respektuar këta procedura ne tani më e kemi projektin dhe këtyre ditëve fillon shpallja për zgjedhjen e një kompanie e cila do të bëjë vendosjen e sinjalistikës dhe jam i bindur se deri në fund të viti do të kemi sinjalistikën e duhur për siguri në këtë rrugë”, deklaroi, Ejup Rustemi.

    Projekti sipas Rustemit, është reviduar nga fakulteti i ndërtimtarisë në Shkup, ku janë përfshirë shpejtësia, vijat e bardha për kalim të këmbësorëve, sinjalizimi i policëve të shtrirë, vendosja e vibro-lentave që do të mundësojnë zvogëlimin e shpejtësisë në komunikacion. Por, kohëve të fundit udhëkryqi në fshatin Leshkë është shndërruar një vend i rrezikshëm për vozitësit. Dukshmëria e vogël për shkak të kthesës si dhe dy pompat e benzinës që ndodhet në atë pjesë e bëjnë të rrezikshme këtë rrugë ku kohëve të fundit kanë ndodhur shumë aksidente trafiku. “Kur e kemi bërë projektin nuk e kemi bërë projektin pjesë –pjesë, por e kemi bërë projektin e tërësishëm në këtë aks rrugor. Aty përfshihen fshatrat Neproshten, Sllatinë, Tearca, fshati Leshkë, Dobroshti dhe pasi që bëhet fjalë për një rrugë që ka karakterin e rrugës magjistrale, kemi vlerësuar se duhet një projekt i përgjithshëm që të rritet siguria në komunikacion”, deklaroi Rustemi.

    Rruga Tetovë-Jazhincë, ndër vite është tepër e stërngarkuar ndërsa nuk mungojnë aksidentet e trafikut pothuajse çdo ditë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Grafite që minojnë bashkëjetesën!

    Lajmi i rradhës

    RECESIONI I GJATË SJELL DËM! Varësia e madhe nga ekonomia gjermane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë