RECESIONI I GJATË SJELL DËM! Varësia e madhe nga ekonomia gjermane

    Gati gjysma e eksportit të Maqedonisë së Veriut shkon për Gjermani. Bile ky vëllim është rritur nga një miliardë e 790 milionë euro periudhën janar-qershor 2022, në një miliard e 922 milionë euro në periudhë n janar-qershor 2023. Për më tepër ky eksport gati është dyfishuar nga një miliard e 58 milionë euro në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020 në gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Rezultatet e tilla pozitive të eksporteve, të cilat janë në rritje të vazhdueshme, apo trendet pozitive vijnë nga prania e disa kompanive prodhuese, në radhë të parë nga industria e automobilave, produktet e të cilave kryesisht janë të destinuara për tregun gjerman.

    “Johnson Matthey”, “Drexelmeyer”, “Kostal”, “Kromberg”, “Schubert”, dhe njëzet kompani të tjera janë “fajtorët” kryesorë për këtë trend pozitiv. Njohësit e kësaj problematike thonë se këto efekte pozitive i detyrohen në pjesën më të madhe rritjes së vlerës së repromaterialeve që ndikojnë në rritjen e vlerës së prodhimit dhe eksporteve, por pjesërisht edhe për shkak të kontributit të vëllimit të shtuar të eksporteve.  Nga ana tjetër, eksporti së bashku me konsumin e brendshëm paraqesin një nga shtytjet kryesore për ecurinë pozitive të ekonomisë vendore, andaj edhe paralajmërimet për një ngadalësim të ekonomisë gjermane krijojnë brengë për dëmtimin eventual të ekonomisë vendore.

    Recesioni në Gjermani apo hyrja e ekonomisë gjermane në një ngadalësim ekonomik dhe rënia e ndjeshme e aktivitetit ekonomik me rënien për dy tre mujorë të prodhimit të brendshëm bruto me nga 0.3 dhe 0.5 për qind, mund të përfaqësojë një lloj “tërmeti në paralajmërim “, jo vetëm për Eurozonën, e cila varet kryesisht nga suksesi i ekonomisë më të fortë evropiane, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë mjaft të varura ekonomikisht si për investimet gjermane ashtu edhe për bashkëpunimin tregtar. Ekspertët thonë se dëmet eventuale do të varen në radhë të parë nga kohëzgjatja e ngadalësimit ekonomik. Në rast se zgjatet deri në fund të vitit mund të shkaktojë telashe për ekonomitë e Ballkanit.

    Nga Këshilli i Investitorëve të huaj thonë se kompanitë në vend kanë filluar të ndjejnë ngadalësimin ekonomik në Gjermani. Viktor Mizo, kreu i kë tij organizimi thotë se mund të pritet që të zvogëlohet shitja e veturave në Evropë deri në fund të vitit të ri si rrjedhojë e inflacionit dhe rritjes së shkallës së kamatave që po rrit edhe pasigurinë e popullatës për blerjen e automobilave të rinj.

    Në qarqet e biznesit të Maqedonisë së Veriut, ekziston besimi se në këtë moment nuk ka vend për shqetësim të madh, megjithëse llogaritjet tregojnë se rritja ekonomike për këtë vit me shumë mundësi do të përgjysmohet nga katër në dy për qind (ndër të tjera, për shkak të recesionit gjerman).

    Klima e pafavorshme ekonomike në Gjermani ka ndikuar në punën e kompanive të transportit në Maqedoni. Që nga fillimi i vitit 2023, vërehet një rënie në vëllimin e mallrave të transportuar në rrugë, hekurudha dhe ajror. Vetëm në transportin e mallrave me kamionë në tre muajt e parë të këtij viti është shënuar rënie prej 15 për qind.

    Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane në Maqedoni, Antje Vandelt, thotë recesioni në Gjermani nuk do të ketë ndikim negativ në tregtinë me Maqedoninë e Veriut dhe ekonomisë në përgjithësi. Mendimi i saj është se Maqedonia e Veriut ofron potencial interesant, veçanërisht në kontekstin e ristrukturimit aktual të zinxhirëve të furnizimit në mesin e kompanive gjermane dhe tendencës së furnizuesve më të afërt me Gjermaninë. Këtë e dëshmojnë një numër i madh pyetjesh nga kompanitë gjermane, të cilat, siç thotë Vandelt, janë të interesuara për tregun e Maqedonisë së Veriut, si treg ku mund të investohet dhe me të cilin mund të zgjerohet shkëmbimi tregtar. Ajo vlerëson se recesioni në Gjermani nuk do të ndikojë negativisht në tregtinë me Maqedoninë dhe ekonominë e Maqedonisë në përgjithësi. “Zhvillimet atje lidhen me rënien e konsumit personal për shkak të inflacionit, apo me çmimet e larta të ngrohjes, të cilat u bënë shkak për shkurtimin e shpenzimeve të tjera. Në periudhën e ardhshme faturat e energjisë elektrike dhe gazit nuk do të jenë të larta dhe konsumi do të lëvizë sërish”, thekson ajo.

    Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, theksoi në raportin e tij të fundit se sa më shumë të varen ekonomitë individuale të Evropës Lindore nga ish shtytësi kryesor ekonomik i Evropës, Gjermania, aq më keq do të jenë perspektivat e tyre ekonomike në të ardhmen e parashikueshme.

    Ndikimi negativ i trazirave ekonomike gjermane nuk ndihet shumë në një pjesë të mirë të Ballkanit, me përjashtim të Serbisë dhe Kosovës. Ekspertët e Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare tregojnë se, pas pandemisë, ekonomia është në rritje në Ballkan, përkatësisht në Kroaci dhe Bullgari, falë turizmit, në Rumani falë investimeve të huaja dhe në vende të tjera, para së gjithash, remitancat nga po rriten sërish punëtorët mysafirë, të cilët kanë një peshë të konsiderueshme në Prodhimit të Brendshëm Bruto që shënuan rënie në kohën e pandemisë.

    Ndryshe, Prodhimi industrial në ekonominë më të madhe të Evropës ra me 1.5 për qind në qershor krahasuar me majin, i nxitur nga një rënie prej 3.5 për qind. Gjermania sapo doli nga një recesion në periudhën prill-qershor, pasi produkti i brendshëm bruto (PBB) ishte i sheshtë krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por të dhënat e fundit të përkohshme sugjerojnë se përmirësimi i lehtë në pasurinë e ekonomisë mund të mos zgjasë. “Ne presim që një rënie në prodhimin industrial të jetë një nga faktorët që shkakton një tkurrje të përtërirë të PBB-së gjermane në gjysmën e dytë të këtij viti”, shkroi në një shënim Franciska Palmas, ekonomiste e lartë për Evropën në Capital Economics.

    Njëherësh Industria gjermane e makinave, e cila përbën rreth 5 për qind të ekonomisë, po përpiqet të rikuperohet nga goditja e shkaktuar nga pandemia dhe zinxhirët e furnizimit të rrënuar.  “Në funksion të situatës së përgjithshme ekonomike dhe zhvillimit të porosive në hyrje, mund të pritet që ritmet e larta të rritjes së prodhimit së shpejti të ngadalësohen. Mbështetja e porosive të larta po zvogëlohet ngadalë”, tha Hildegard Müller, presidentja e organit të industrisë, në një deklaratë muajin e kaluar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rruga Tetovë – Jazhincë sinjalizohet deri në fund të vitit

    Lajmi i rradhës

    Petrovska: Kryetari i komunës së Zhelinës të mos shet mend, gjysma e ndërtimeve të komunës janë pa leje / Sejdiu e konsideron deklaratën e ministres skandaloze dhe ofendim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë