Rruga Tetovë – Jazhincë, vazhdon të mbetet e papërfunduar pa shenja informues

    Rruga rajonale Tetovë – Jazhincë, vazhdon të mbetet e papërfunduar në aspektin e sinjalizimit. Kjo rrugë, që lidh edhe Kosovën me Maqedoninë e Veriut, në disa vende ka mungesa edhe të anësoreve.

    Në hyrje-dalje të vendbanimeve mungojnë shenjat informuese, por edhe ato të kufizimit të shpejtësisë. Rruga u riparua në nëntor të vitit të shkuar, ndërsa dy muaj më pas, drejtori i Ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë” premtoi se me përmirësimin e motit, do fillojë zbatimi i planit të sigurisë në këtë aks rrugor.

    “Sa i përket sinjalizimit në momentin kur do kemi mot më të mirë do fillohet puna”, deklaroi Ejup Rustemi. Drejtor i NP “Rrugët e Maqedonisë”.

    Megjithë premtimin e atëhershëm punime nuk ka.

    “Por edhe pse përmirësimin i motit është bë, dhe temperaturat janë ngritur mbi 30 gradë, Ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë”, assesi të fillojë me punimet në këtë rrugë për vënien e vijave anësore dhe shenjave horizontale dhe vertikale, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të banorëve në këtë zonë, e cila është kthyer në makth për ata që vozisin, sepse aksidentet janë shumë të shpeshta, sidomos gjatë natës, kur në mungesë të vijës anësore nuk dihet saktë se ku lëviz makina”.

    Banorët ankohen se aksidentet po shtohen dita ditës, madje edhe me lëndime të rënda dhe viktima.

    “Asgjë, asgjë nuk kanë bërë ja. Aksidente çdo ditë kemi, një fëmijë shkelën me motor, as kontrolle ka asgjë, askush nuk del të thotë përse. As shenja as kontroll asgjë nuk ka, mjer populli”, tha një banor.

    “Për ata që e kanë lanë kështu është normale, për ne nuk është normale kjo, sepse herave të shkuara nuk kanë qenë punët kështu”, u shpreh një tjetër banor.

    “Pengon shumë, andej nuk kam lëviz nuk e di si është. Por kjo është kjo, shtetin e kemi të atillë, të jemi ne shëndoshë e mirë”, theksoi një banore.

    Ekspertët e komunikacionit alarmojnë për nevojën e vendosjes së sinjalistikës, ndërsa thonë se “Rrugët e Maqedonisë” duhet të mbajnë përgjegjësi për këto vonesa.

    “Nuk mund të themi se është e kompletuar, padyshim që ka disa mungesa, sidomos vijat anësore që ndihmojnë shumë vozitësit në dimër, kur ka mjegulla gjatë natës apo lagështi në rrugë e kështu me radhë. Përgjegjësia dihet bie mbi ndërmarrjen “rrugët e Maqedonisë” apo kush është tjetër përgjegjës. Në disa vende ku tregohet vendbanimi i fshatrave janë të dëmtuara shenjat, pastaj mungojnë edhe në disa vende kufizime të shpejtësisë ku janë zonat e banuara. Megjithatë ka vërejtje se po dëmtohen në ca vende edhe nga vet ana e qytetarëve”, deklaroi Blerim Neimi profesor i komunikacionit.

    Pikërisht shkaku i aksidenteve të shpeshta banorët e fshatit Xhepcishtë e Poroj me vetë iniciativë, kanë vendosur disa policë të shtrirë përgjatë rrugës së fshatit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Atmosferë e tensionuar në Komisionin për Çështje Europiane (Video)

    Lajmi i rradhës

    Stoltenberg: Ukraina po përballet me brutalitetin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë