Rrugëtimi i një kinezi përmes Ballkanit për në BE

    Teksa priste në një qendër refugjatësh në qytetin e vogël Bramshesnë veriperëndim të Gjermanisë, një emigrant kinez po çlodhej pas një muaji udhëtim përmes Ballkanit për në Bashkimin Evropian, ku ai shpreson se do të fitojë azil.

    Me prejardhje nga Shijazhuangu në provincën verilindore Hebei të Kinës, 26-vjeçari Ming – pseudonim për të mbrojtur identitetin e tij – së fundmi ka përshkruar rrugën për emigrantë të ashtuquajtur Rrugë Ballkanike, duke iu bashkuar dhjetëra mijëra azilkërkuesve nga e mbarë bota të cilët po ikin nga luftërat, varfëria dhe shtypja, me shpresë që të nisin një jetë të re në Evropë.

    Ming, që në Kinë ka qenë pronar i një kafeneje, tha se presioni ekonomik dhe politik nga masat e ashpra kundër COVID-19 të Partisë Komuniste kineze e dëmtuan biznesin e tij dhe bënë që familja e tij të qëndronte në banesën e tyre dhe të kishte më pak qasje në ushqim dhe ujë. I frustruar dhe i frikësuar, Ming tha se publikoi në rrjetet sociale lidhur me situatën e tyre dhe kritikoi politikat qeveritare për COVID, dhe tha se jetesa në ato kushte ishte “sikur të jetoje në burg”.

    Pak pasi publikoi online këto deklarata, ai tha se u vizitua nga një zyrtar policor i cili e paralajmëroi që të mos publikonte në rrjetet sociale më përmbajtje për izolimin. Por, ai nuk e dëgjoi këtë paralajmërim, që çoi në një vizitë tjetër të policisë. Por, këtë herë, policët ishin më të dhunshëm dhe e morën Mingun dhe e kërcënuan atë dhe familjen e tij.

    Më pas ai vendosi se më nuk ishte e sigurt që të qëndronte në Kinë dhe duhej të kërkonte të ardhmen diku tjetër.

    “Për aq kohë sa Qeveria të jetë e njëjtë, unë nuk mund të kthehem në Kinë”, tha Ming për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Ai konfirmoi identitetin e tij për REL-in, por nuk dha shumë detaje me qëllim që të mbronte familjarët që ka në Kinë.

    Udhëtimi për në Gjermani nuk ishte aspak i thjeshtë. Ai arriti të fluturonte për në Serbi, shtet ku për shkak se ka pasaportë kineze nuk ka nevojë për vizë. Nga aty, ai shkoi në perëndim, në Bosnje e Hercegovinë, edhe një destancion tjetër ku shtetasit kinez nuk kanë nevojë për vizë. Më pas Ming u nis në rrugën e migrantëve për në BE përmes Kroacisë, së bashku me azilkërkues të tjerë nga Kina, Afganistani dhe Lindja e Mesme. Ai u përball me patrullime të ashpra të migracionit dhe gjatë rrugëtimit u përball edhe me uri, para se të arrinte përfundimisht në Gjermani në fund të shtatorit.

    Fotografi e dërguar nga Ming, që shfaq udhëtimin e emigrantëve përmes Rrugës Ballkanike.
    Fotografi e dërguar nga Ming, që shfaq udhëtimin e emigrantëve përmes Rrugës Ballkanike.

    Dikur e nxitur nga një bum ekonomik që zgjati për dekada e që nxori miliona persona nga varfëria, duke bërë shumë miliarderë, vitet e fundit të ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe të shtypjes së ashpër nën udhëheqjen e Xi Jinping, kanë bërë që një numër në rritje i kinezëve të kërkojnë punë jashtë vendit. Po ashtu, është rritur edhe numri i kinezëve që kërkojnë azil.

    Të dhënat e mbledhura nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), tregojnë se që kur Xi u bë sekretari i Partisë Komuniste më 2012 dhe paraqiti një sistem më shtypës qeverisës, numri i azilkërkuesve nga Kina është rritur vit pas viti, veçmas pas vendosjes së masave të ashpra nga Kina për luftimin e koronavirusit.

    Në total, afër 730.000 shtetas kinezë kanë kërkuar azil që nga viti 2012, me mbi 170.000 prej tyre që jetojnë jashtë Kinës me statusin e refugjatit. UNHCR tha se që në mesin e vitit 2022, në mbarë botën ka pasur 116.868 azilkërkues kinezë.

    Largimi nga Kina

    Për emigrantët sikurse Ming, ky trend është për shkak të klimës shtypëse politike dhe për shkak të prospekteve të zymta ekonomike në Kinë që kanë arritur në një pikë të ulët për shkak të politikës zero tolerancë të qeverisë ndaj COVID-19.

    Këto politika kanë përfshirë testimet e vazhdueshme, monitorimet e ashpra, kontrolle të rrepta kufitare dhe izolime të ashpra që kufizuan lëvizjen dhe bënë që shumë kinezë të humbnin vendet e tyre të punës. Këto masa të ashpra shkaktuan protesta të rralla në mbarë Kinën në nëntorin e vitit 2022.

    Tani, këto politika janë lehtësuar dhe udhëtimet ndërkombëtare lejohen, ndërkaq, numri i kinezëve që po largohen nga shteti – në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme – po ashtu është në rritje.

    OKB-ja ka parashikuar se Kina do të humbë 310.000 persona nga emigrimi më 2023, krahasuar me 120.000 në vitin 2012.

    Kjo ka çuar në një fluks të madh të migrimit kinez në Shtetet e Bashkuara, përmes një rruge relativisht të re dhe të rrezikshme që kalon përmes Amerikës Latine.

    Sipas shifrave të publikuara nga autoritetet e imigracionit në Panama, kinezët ishin kombësia e katërt pas venezuelianëve, ekuadorianëve dhe haitinaëve, që kanë kaluar xhunglën Darien Gap gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2023. Këta emigrantë, më pas vazhdojnë rrugëtimin e tyre me autobusë dhe në këmbë për në Kosta Rikë dhe përfundimisht arrijnë në kufirin SHBA-Meksikë.

    Tradicionalisht, BE-ja ka qenë një destinacion më pak i zakonshëm për azilkërkuesit kinezë, por numri i tyre po ashtu është në rritje. Shifra të sakta të azilkërkuesve kinezë në mbarë bllokun nuk ka, por udhëtimet përgjatë Rrugës Ballkanike po rriten, me shtetet sikurse Franca, Gjermania dhe Spanja që janë destinacione kryesore të këtyre emigrantëve.

    Agjencia evropiane e kufirit dhe rojeve bregdetare, Frontex, ka regjistruar ardhjen e 330.00 të ashtuquajturve emigrantë të parregullt më 2022, që paraqet numrin më të lartë që nga viti 2016. Të dhënat e reja nga kjo agjenci për katër muajt e parë të këtij viti tregojnë për 22.500 kalime të parregullta të kufirit që janë detektuar përgjatë Rrugës Ballkanike. Sipas Frontex, kjo rrugë është rruga e dytë më aktive për emigrantët që nisen drejt BE-së, pasi kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut.

    Rruga Ballkanike

    Pas hyri në Bosnje e Hercegovinë nga Serbia, Ming tha se kaloi disa ditë në Bihaq, qytet në veriperëndim të këtij shteti, që gjendet afër kufirit me Kroacinë, që është pjesë e BE-së që nga viti 2013.

    Përderisa ishte aty, ai u takua me një grup të madh të emigrantëve të cilët qëndronin në tenda apo në strehë të improvizuara, teksa përgatiteshin për të bërë kalimin e vështirë për në BE. Ai tha se kishte frikë të flinte në kamp dhe në vend të kësaj ai qëndroi në shtëpitë e braktisura dhe të shkatërruara në Bihaq, së bashku me disa emigrantë të tjerë kinezë. Ai tregoi se ushqime dhe rroba u kanë sjellë vullnetarët nga organizata e ndihmës për emigrantë, No Name Kitchen, që ndihmon emigrantët që bëjnë rrugëtimin e vështirë drejt BE-së.

    Sipas Ministrisë së Sigurisë të Bosnje dhe Hercegovinës, afër 2.000 emigrantë aktualisht po qëndrojnë në kapet afër kufirit me Kroacinë.Ming tha se fillimisht tentoi të shkonte në Kroaci në mesin e shtatorit së bashku me një shok të tij, me të cilin kaloi pyjet dhe lumenjtë dhe më pas arritën në një qytet të vogël në kufi, ku planifikuan që të hipnin në autobus për në Zagreb dhe më pas të udhëtonin me tren për në Gjermani.

    Ming tha se ai dhe emigrantët e tjerë kanë fjetur në këtë ndërtesë të braktisur në Bihaq.
    Ming tha se ai dhe emigrantët e tjerë kanë fjetur në këtë ndërtesë të braktisur në Bihaq.

    Por, ata u ndaluan nga policia që ua inspektojë dokumentet dhe u tha që të ktheheshin në Bosnje e Hercegovinë.

    Ming tha se pasaporta e tij, telefoni celular, kuleta dhe një çantë iu konfiskuan dhe se ai dhe miku i tij u dërguan mbrapsht në kufi nga një makinë e policisë, së bashku me katër emigrantë afganë. Kur arritën në kufi, ai tha se polici mbajti gjësendet e tij dhe u tha emigrantëve që të kalonin kufirin në këmbë.

    “Ata më morën çantën, telefonin celular, pasaportën dhe paratë”, tha Ming. “Unë iu luta që të ma jepnin pasaportën, por njëri nga policët u zemërua dhe më shtyu e më goditi”.

    Ming tha se një ditë më vonë arritën të kalonin ilegalisht kufirin për në Kroaci dhe arritën që të shmangnin policinë. Ata udhëtuan me autobus dhe tren derisa arritën në Gjermani pothuajse 24 orë më vonë, shtet ku u regjistruan në shërbimin e imigrimit dhe paraqitën kërkesën e tyre për azil.

    Barbara Bekares, zëdhënëse e organizatës No Name Kitchen, tha për Radion Evropa e Lirë se sot lëvizja e emigrantëve është më fluide se në të kaluara. Sipas saj, personat që ndalohen lirohen shpejt, gjë që u mundëson atyre që të tentojnë menjëherë që të kalojnë ilegalisht për në BE.

    Ajo shtoi se “kur bëhet fjalë për konfiskimin e pasaportave nga policia kroate, kjo nuk është gjë e re” pasi që edhe emigrantët e tjerë kanë treguar për përvoja të ngjashme, edhe pse është e vështirë për të siguruar informacione që të mbështeten këto pretendime.

    Statistikat zyrtare për emigrantët në Bosnje nuk përfshijnë edhe shtetasit kinez, por Shërbimi për Çështje të të Huajve i Qeverisë i tha REL-it se 200 kinezë gjatë këtij viti janë vendosur përkohësisht në qendrat e pritjes.

    Policia kufitare e Bosnje e Hercegovinës i tha REL-it se ata kanë kapur 78 shtetas kinezë duke kaluar ilegalisht kufirin për në Kroaci që nga fillimi i vitit 2023.

    Ambasada kineze në Sarajevë nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment lidhur me numrin e emigrantëve kinezë që kalojnë përmes Bosnje e Hercegovinës.

    Duke pritur në Gjermani

    Që kur shkoi në Bramshes në fund të shtatorit, Ming tha se po punon fort për të mësuar gjuhën gjermane dhe se ai ëndërron që një ditë të hapë një kafene të tij në këtë shtet.

    Në qendrën e refugjatëve në Gjermani, ai tha se ka takuar njerëz të tjerë nga Kina të cilët po ashtu kanë aplikuar për azil dhe po presin për përgjigje. Autoriteti shtetëror i Pranimit në Saksoni, që mbikëqyrë qendrat e pritjes për shtetin gjerman ku gjendet Bramshes, tha për REL-in se 40 shtetas kinez janë duke qëndruar në qendrat e pritjes.

    Gjermania ka pranuar më shumë se 220.000 kërkesa për azil deri më tani gjatë këtij viti, përfshirë edhe mbi 380 nga shtetasit e Kinës, tha për REL-in Zyra Federale për Emigrantë dhe Refugjatë.

    Ming aktualisht po pret për përgjigje lidhur me kërkesën e tij për azil dhe po pret për intervistë me zyrtarët gjermanë të cilët po ashtu ekzaminojnë dokumentet e tij.

    Nëse zyrtarët vendosin në favor të tij, Ming do të fitojë azilin dhe të drejtën për qëndrim. Por, nëse i refuzohet kërkesa, ai do të dëbohet për në Kinë.

    Ai tha se nuk ka një plan B, në rast se përgjigja është negative.

    “Nuk e di nëse [autoritetet gjermane] do të më lejojnë të qëndroj, por unë do t’iu them atyre se pse kam ikur [nga Kina]. Mendoj se gjermanët do të më kuptojnë. Ky është një shtet i mirë dhe unë ndihem i lirë këtu”, tha ai. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Korrupsionin e kemi njësoj”, mediumi italian sjell një skeç humori me figurën e Edi Ramës (Video)

    Lajmi i rradhës

    Flamuj të kuq | Simbolet sovjetike i kthehen ushtrisë ruse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë