Rusia paralajmëron se zgjerimi i NATO-s do të ketë efekt destabilizues në botë

    Zëvendës ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov u shpreh se zgjerimi i NATO-s me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës do të ketë efekt destabilizues në botë.

    “Ne e konsiderojmë zgjerimin e aleancës së Atlantikut të Veriut si një faktor thjesht destabilizues në çështjet ndërkombëtare,” tha ai.

    “Ajo që po ndodh [zgjerimi i NATO-s në Evropën Lindore] tani do të sjellë pa ndryshim masa kompensuese nga ana jonë,” tha zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Ryabkov cituar nga agjencia e lajmeve TASS.

    “Ne nuk do të mbyllim sytë ndaj kësaj lëvizjeje. Ne kemi aftësitë dhe burimet për këtë. Siguria do të jetë 100% e garantuar,” tha Ryabkov.

    Moska i kishte ofruar Uashingtonit bisedime mbi garancitë e ndërsjella të sigurisë vitin e kaluar në mënyrë që të shmanget një skenar përshkallëzimi, tha Ryabkov.

    Pavarësisht nga fakti që Rusia sulmoi Ukrainën fqinje më shumë se katër muaj më parë, Kremlini në mënyrë të përsëritur portretizon NATO-n dhe SHBA-në si kërcënimet kryesore për sigurinë e Evropës.

    Në këtë sfond, Moska ka theksuar tashmë në mënyrë të përsëritur se dëshiron të forcojë kufijtë e saj perëndimorë.

    Presidenti i SHBA-së Joe Biden kishte deklaruar më herët të mërkurën në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg se SHBA-ja dëshiron të zgjerojë më tej praninë e trupave të saj në Evropë si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë. Sipas Biden, në fokus të shtimit të trupave amerikane është krahu lindor i NATO-s, Polonia. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq: Dialog me Kosovën nuk ka

    Lajmi i rradhës

    “Nuk je kurrkund”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë