Ruskoska: Dëshmohet përfshirja e VMRO DPMNE-së në ngjarjen e 27 Prillit

    Foto: Radio Evropa e Lirë

    Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion paraqiti një komunikim përmes porosive SMS mes Mile Janakieskit dhe Elizabeta Kançeska-Milevskës, lidhur me protestat “Për Maqedoni të Përbashkët”. Janakieski dhe Ministrja e atëhershme e kulturës kanë bërë lista, por gjithashtu kanë rënë dakord se kush do të jenë folësit në protestat që u organizuan atëherë kundër “platformës së Tiranës”. Në listën e dëshirave bëjnë pjesë grupe muzikore, artistë, aktorë.

    Komunikimi me SMS

    Janakieski: Beti, të lutem dërgoje nesër Vllado Jovanovskin, do të godasë shumë fort. Hajt për Prilepin tim.

    Kançeska – Milevska: Të shkojë në Prilep?

    Janakieski: Po, Beti.

    Kançeska – Milevska: Dakord ”

    Këngëtari i operas Igor Durllovski, Janakieski dhe Kançeska-Milevska bien dakord të flasë në Manastir. Aktori Toni Mihajllovski të mbajë fjalim në Kumanovë. Në një nga mesazhet, Kançeska-Milevska i ankohet Janakieskit se është e zhgënjyer që në protestat “Për një Maqedoni të përbashkët”, nuk morën pjesë profesorët dhe mjekët. Për Prokurorinë për Krimin e Organizuar, mesazhet treguan se VMRO-DPMNE mori pjesë aktive në organizimin e protestave, edhe pse gjatë gjithë gjykimit pohonin se partia nuk kishte asnjë rol në lëvizjen civile, që ishte e pavarur.

    “Me këto dëshmi që tani publikohen, dëshmohet roli në organizimin e protestave të partisë VMRO DPMNE si dhe të personave të akuzuar gjegjësisht Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski”- tha Villma Ruskoska- prokurore.

    Për avokatët e të akuzuarve për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit, mesazhet nuk kanë dëshmuar se Janakieski ka organizuar protesta, por se ka dhënë mbështetje përmes organizimit të artistëve që do të flisnin.

    “Konsideroj që mbështetjen askush në asnjë moment nuk e konteston, se ka pasur mbështetje individuale, personale dhe shumë nga këto dëshmitarë që erdhën, deklaruan se me vullnet të lirë kanë qenë në ato protesta dhe se këtë e kanë bërë në mënyrë personale, e jo të organizuar me parti”- tha Elenko Millanov- avokat.

    Porositë që sot i prezantoi Prokuroria janë plotësim i provave. Komunikimin me porosi Ruskoska e ka siguruar pasi i mori rastet e Prokurorisë speciale. Raportin për këmbimin e porosive mes Janakievskit dhe Kançevska Milevskës e ka porositur Katica Janeva, por Ruskoska nuk tregoi se çka ka hetuar PSP-ja dhe pse i është bërë ekspertizë telefonit të Janakievskit. Si organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit, të akuzuar janë Mile Janakievski, Spiro Ristovski, Trajko Veljanovski dhe drejtori i atëhershëm i DSK-së, Vlladimir Atanasovski. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nuk merret parasysh shuma që ofroi, Mijallkov mbetet në paraburgim

    Lajmi i rradhës

    AUV-ja asgjëson 70 ton ushqim të pasigurt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë