Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi bëri një gabim të madh duke u larguar nga vendi, pasi nëse do të kishte qëndruar, nuk kishte gjasa që të ishte ndaluar. Kështu u shpreh në “Top Tema” në Tv Telma, ish-prokurorja Vilma Ruskoska, duke komentuar rastin e Lotarisë Shtetërore, si dhe vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit për dënimin 30 ditë paraburgim të Grubit dhe ish-drejtorit të Llotarisë shtetërore, Përparim Bajrami, përcjell Nistori.
Ruskoska theksoi se paraburgimi caktohet në bazë të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët, rreziku i arratisjes dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.
“Po të ishte këtu, nuk do të kishte rrezik të arratisej, nëse e gjithë familja e tij do të ishte këtu. Përsa i përket përsëritjes së krimit është e pamundur sepse ai nuk është në detyrë dhe ndikimi i dëshmitarëve mund të parandalohet në mënyra të tjera”, tha ish-prokurorja.
Për avokatin dhe ish-anëtarin e Komisionit Kundër Korrupsionit, Dragan Malinovski, vendimet e Qeverisë janë kolektive, dhe imuniteti funksional nuk është absolut, sidomos nëse ka dëshmi për veprime korruptive.
Prokuroria Themelore Publike Shkup (PThP Shkup) ditë më parë ka lëshuar urdhër Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për shpalljen e fletarrestit vendor dhe deklaratë për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.
Paraprakisht, Gjykata Penale i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Të dy së bashku me gjashtë të tjerë dyshohen për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti në rastin e Lotarisë Shtetërore. /Nistori/