Rustemi e pranon: projekti i autostradës Kërçovë-Ohër është i keq, por nuk ka kthim

    Autostrada Kërçovë-Ohër është shembull tipik se si nuk duhet të hyhet në realizimin e një projekti që është i keq, por edhe pse i kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë, kur të realizohet 80% e projektit, nuk ka kthim mbrapa, tha drejtori i NP RRSh-së, Ejup Rustemi në një intervistë për REL.

    Sipas tij, e vetmja gjë që mbetet është të mendohet se si do të përfundojë ky projekt, pasi me paraqitjen e një numri të madh të rrëshqitjeve në vendet që më parë ishin projektuar dy herë, ai si drejtor mban edhe përgjegjësi ligjore. Prandaj, thotë ai, do të punësohet një ekspert i jashtëm i cili do të duhet të gjejë një zgjidhje teknike për stabilizimin e shpateve sepse rruga që do të hapet duhet të jetë sa më e sigurt.

    “Pra nuk mund të themi se nuk po marrim asgjë, po marrim të gjitha masat e mundshme që ai projekt të riparohet sa më shpejt. Unë ju thashë për këtë që nuk e them këtë si drejtor i NPRRSh-së, por kështu thonë ekspertët dhe Revizioni, që kur keni një projekt kaq të keq dhe kur hyni në një realizim të tillë, ne nuk mund të tërhiqemi, por duhet ta mbarojmë”, thotë Rustemi.

    Në përgjigje të konstatimit se Rustemi ka qenë pjesë e pushtetit ekzekutiv për një kohë të gjatë dhe se nuk mund të përjashtohet nga projekti i nisur në kohën kur ishte koalicioni VMRO-DPMNE dhe BDI, ai thotë se si drejtor i NP Rrugë shtetërore i gjeti problemet në vitin 2020 dhe se më parë si deputet nuk i kishte të gjitha informacionet që ka tani si personi i parë në Rrugët shtetërore.

    “Dhe një risi tjetër t’ju tregoj për këtë projekt, ai tani është projektuar për një shpejtësi prej 100 km/h. Pra duhet të kuptojmë se aty ku kemi autostradë shpejtësia do të jetë 100 km/h”, tha Rustemi.

    Për ndërtimin e autostradës deri më tani janë shpenzuar rreth 440 milionë euro dhe rreth 160 milionë kanë mbetur nga kredia kineze për përfundimin e autostradës. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski nuk pret që të prishet shuma prej 598 milionë euro nga kredia kineze për ndërtimin e autostradës. Për momentin nuk dihet nëse do të nevojiten fonde shtesë krahas 600 milionë eurove fillestare. Nuk dihet as afati përfundimtar deri në të cilin duhet të përfundojë ndërtimi, ndonëse pritjet dhe shpresat janë që të jetë deri në fund të këtij viti.

    Ndryshe, ndërtimi i autostradës ka filluar në vitin 2014 dhe afati i ndërtimit është zgjatur disa herë, janë nënshkruar 5 aneks kontrata dhe me disa prej tyre është rritur edhe çmimi.

    Lajmi Paraprak

    Shkollat rurale në Tetovë pa nxënës

    Lajmi i rradhës

    Gabimi strategjik i Putinit “ishte se zgjodhi Perëndimin si armik”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë