Shkollat rurale në Tetovë pa nxënës

    Në të kaluarën ndonëse kishte objekte të vjetra shkollore, megjithatë bankat shkollore ishin përplot me nxënës. Pothuajse shumica e shkollave nëpër vendbanimet rurale ishin pa kushte elementare për mësim, me banka të vjetra dhe çati që pikonin. Por, përveç cilësisë së lartë të arsimit, edukimit si dhe përkushtimit, shkollat ishin përplot me fëmijë. Megjithatë, sot kur ka ndryshuar për së miri infrastruktura e objekteve shkollore, mënyra e mësimit, mungojnë nxënësit. Kështu është edhe në shkollën fillore Gjergj Skënderbeu në fshatin Poroj, të komunës së Tetovës. Edhe në këtë shkollë, dikur numri i nxënësve ishte i madh, por ndër vite ky numër është zvogëluar dukshëm.

    Sipas drejtorisë së shkollës këtë vit shkollor fletëshpërngulje kanë marrë 35 nxënës nga kjo shkollë.

    “Edhe ky fenomen e ka prekur shkollën tonë, ndoshta nuk është aq i theksuar sikurse në rajonet tjera, por edhe këtu kemi raste kur familjet së bashku me fëmijët largohen nga vendlindja dhe vazhdojnë shkollimin në vendet tjera. Ka momente kur kjo shpërngulje është më e madhe. Shkolla jonë para dhjetë ose 15 vitesh ka pasur 1450 nxënës kurse tani ka 750 nxënës. Këtyre dy ose tre viteve të fundit kemi një largim më të madh të nxënësve”, thotë Bujar Islami, drejtor i shkollës së fshatit Poroj.

    Në ndërkohë numri i nxënësve që kërkojnë fletëshpërngulje është gjithnjë e në rritje, ndërsa më keq situata qëndron në shkollat e mesme. Problem në vete është se një numër i madh i mësimdhënësve rrezikojnë të mbeten pa punë sepse do të mbyllen shumë paralele, thonë nga sektori për Arsim i komunës së Tetovës.

    “Nëse krahasojmë 2022-2023 dhe 2023-2024, do shohim se në shkollat fillore kemi 84 nxënës më pak ndërsa në shkollat e mesme 300 nxënës më pak. Me fillimin e vitit shkollor në Komunën e Tetovës, në nivel komunal, kemi mungesë pra ata që kanë marrë fletë shpërngulje janë 160. Sipas informatave të drejtorëve, deri në fund të vitit shkollor 23-24 pritet që ky numër të rritet deri në 250. Më në rrezik janë viset malore, por edhe shkolla Skënderbeu në Poroj që në krahasim me vitet e shkuara ka një migrim në rritje. Nga statistikat e mara, afërsisht 160 profesor rrezikohen brenda pesë viteve të mbesin pa punë dhe të mbyllen shumë paralele”, thonë nga Sektorit për Arsim në komunën e Tetovës.

    Shumë vendbanime të rajonit të Pollogut, tashmë janë zbrazur nga largimi i prindërve së bashku me fëmijët për në shtetet më të zhvilluara. Kjo, ka bërë që jo vetëm bankat shkollore të jenë pa nxënës, pro edhe shumë fshatra të boshatisen. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Si asnjëherë më parë, partitë në RMV ndezin motorët

    Lajmi i rradhës

    Rustemi e pranon: projekti i autostradës Kërçovë-Ohër është i keq, por nuk ka kthim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë