Rut: Ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për t’u kthyer në rrugën europiane

    Ish-ministri gjerman për Europën dhe kryetari aktual i Komitetit të Politikës së Jashtme në Bundestag, Mihael Rut, në Shkup deklaroi se ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme që Maqedonia e Veriut të kthehet në rrugën e BE-së. Ai thotë se ndoshta për disa deputetë këto ndryshime mund të jenë të dhimbshme, por ai pret ambicie më të madhe te politikanët. I pyetur për marrëveshjet e mundshme ndërpartiake dhe mundësinë e sigurimit të shumicës prej dy të tretave përmes ndryshimeve në Kodin Penal, Rut tha se nuk është koha për shantazh.
    “Dëgjova disa thashetheme për amnisti e të tjera. Unë mendoj se politikanët këtu duhet të vendosin për këtë, por tani po flasim për ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë pakicën bullgare”, deklaroi Mihail Rut – deputet gjerman.

    Rut, në tribunën e Institutit për Demokraci kushtuar Procesit të Berlinit të mbajtur në Parlament, tha se është koha që Bashkimi Europian të jetë më ambicioz dhe të japë rezultate. Sipas tij, Maqedonia do të përfitojë nga reformat e planifikuara brenda BE-së, veçanërisht me ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes.

    “Për hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues duhet të vendoset në të ardhmen me shumicë kualifikuese në Këshillin e Ministrave. Është e papranueshme që një ose dy shtete anëtare të BE-së të shantazhojnë të tjerët. Ky ishte realiteti i hidhur për mua kur isha ministër për Evropën. Isha në gjunjë, sepse herën e parë më duhej të bindja kolegët e mi francezë, dhe herën e dytë, të tretë dhe të katërt i binda kolegët e mi bullgarë”, tha Mihael Rut – deputet gjerman.

    Rut shtoi se popujt e vendeve të rajonit janë lodhur duke dëgjuar vazhdimisht premtime për anëtarësim dhe presin që Bashkimi të zgjerohet midis viteve 2025 dhe 2030. Sipas deputetit gjerman, momenti në ndërkohë po përdoret nga Rusia dhe Kina për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Masat anti-krizë të paralajmëruara nga Qeveria, nisin zbatimin nga nëntori

    Lajmi i rradhës

    Prindërit kërkojnë paralele shqip në Idrizovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë