Sa janë afruar vendet drejt Unionit?

    Liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të disa vendeve të Perëndimit, do të mblidhen të hënën në kryeqytetin gjerman, me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scolz, për t’i diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit. Organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian. Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme. Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan. Nuk ka as mekanizëm ndëshkues.

    Përveç Qeverive të vendeve të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale. Ai është zgjeruar ndër vite, dhe derisa të mbahet samiti kryesor, sikurse ky i 14 tetorit, përgjatë vitit mbahen edhe një mori takimesh në nivele ministrore, si dhe shumë evente anësore me fokus në fushën digjitale, biznesore, të rinjtë, shoqërinë civile, çështjet gjinore dhe konferencat shkencore. Në faqen zyrtare të platformës thuhet se “Procesi i Berlinit i ndihmon Ballkanit Perëndimor dhe banorëve të saj të jenë më të afërt me njëri-tjetrin”.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në 10-vjetorin e nismës së Procesit të Berlinit, ka theksuar se është koha për të parë përpara, drejt një të ardhmeje ku gjashtëshja ballkanike, do të përfshihet në Bashkimin Evropian.

    Përmes një publikimi në X, von der Leyen shkruan se është mirë të jesh në Berlin me partnerët ballkanikë, për të parë arritjet e shkuara, por veçanërisht për të shtruar rrugën përpara. “Drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”, shkruan von der Leyen, e cila përpara fillimit të Samitit, ka pasur një takim edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, mikpritës i takimit. “Integrimi i hershëm ekonomik është çelësi i suksesit të zgjerimit. Tregu i përbashkët rajonal luan një rol kyç”, shtoi ajo më tej. Teksa, në mbyllje, thekson se sa më mirë të funksionojë, aq më mirë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor mund të integrohen gradualisht në tregun tonë të vetëm.

    POR, SA ËSHTË ARRITUR KY OBJEKTIV?

    E vërtetë që takimet e liderëve të Ballkanit janë bërë të shpeshta dhe fotografitë e tyre të përbashkëta janë kthyer në diçka normale. Megjithatë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë konsideruar me raste pengesë në zbatim të disa marrëveshjeve. Njëjtë, edhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Bosnje e Hercegovinës, ka penguar marrëveshje tjera. Njëra prej tyre është ajo për lëvizje të lirë. Banorët e dy vendeve vazhdojnë të pajisjen me viza nëse duan të vizitojnë njëri-tjetrin. Përveç përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, synim tjetër i Procesit të Berlinit është edhe rritja e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në, në mënyrë që rajoni të ketë standarde evropiane, dhe që banorët e Ballkanit të shohin rezultate konkrete. Nisma është e fokusuar në zhvillim ekonomik, siguri energjetike, agjendë të gjelbër, partneritet për klimën, rritjen e lidhjeve në rajon përmes projekteve infrastrukturore dhe përfshirjen e e plotë të komuniteteve në procese shoqërore. Ndër marrëveshjet më me nam janë ato për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe ajo që njihet si ‘Agjenda e Lishshmërisë” për përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijim të vendeve të punës përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar pikë për pikë.

    RYCO DHE ROAMING

    Por ka edhe suksese: Përveç heqjes graduale të tarifave të roaming-ut për internetin dhe thirrjet telefonike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, RYCO, Zyra e Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Rinor, konsiderohet një nga projektet shembullore të Procesit të Berlinit. Deri më sot ajo ka bashkuar 31.000 të rinj nga rajoni. Veç kësaj, BE-ja, e cila është një nga partneret kryesore të Procesit të Berlinit, ka vënë në dispozicion të Ballkanit Perëndimor 30 miliardë euro, rreth gjysma e tyre janë investuar tashmë në projekte infrastrukture, energjie dhe digjitalizimi. Por projekti kryesor i procesit të Berlinit: Tregu i Përbashkët Rajonal, mbetet ende jo funksional. Shkak është konflikti i pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës.

    MARRËVESHJA E TREGTISË SË LIRË CEFTA

    Në dhjetëvjetorin e tij, Procesi i Berlinit synon të arrijë një marrëveshje të re: CEFTA. Marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë do të lidhë më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së. Në fakt, marrëveshja nuk është shumë e re, sepse të gjitha vendet e rajonit janë anëtare të saj, përfshirë edhe Kosovën, e cila deri tani përfaqësohej nga UNMIK-u. Rinënshkrimi i marrëveshjes i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj. Pak para samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu nënshtrua presionit të të dërguarit të posaçëm gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, dhe hapi pikën e Merdarës për të lejuar aty kalimin e mallrave serbe. Bllokada e importeve nga Serbia ekziston që nga qershori 2023. Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se kësisoj donte të ndalte kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, në takimin përgatitor të ministrave të Jashtëm, e quajti këtë një “hap historik” për rajonin. Por a do të implementohet marrëveshja CEFTA në të gjitha vendet e rajonit? “Letra është një gjë, por veprat janë diçka tjetër”, tha Baerbock para gazetarëve dhe shtoi se ” ne çdo ditë i vlerësojmë për këtë partnerët e këtij procesi”.

    Përndryshe, në samitin e fundit të Procesit të Berlinit në Tiranë, vendet kërkuan gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe shteteve anëtare për përpjekjet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe përparimin në rrugët e tyre të pranimit në BE. Së fundi, pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore për perspektivat e BE-së të Ballkanit Perëndimor. Ata propozuan përfshirjen e kushteve të forta në lidhje me zbatimin e angazhimeve rajonale dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në kriteret e zbatimit të Planit të Rritjes. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Izraeli nuk po e “shpëton qytetërimin perëndimor” dhe as Hamasi nuk po udhëheq me “rezistencën”

    Lajmi i rradhës

    Gjuajtje me armë zjarri në Çair, raportohet për të plagosur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë