Thuajse në çdo kuti mungojnë zorrët e ujit, ventile të cilët nuk janë funksional, xhama të thyer. Kjo është gjendja vetëm e një nga disa hidrantë në njërën nga repartet e Klinikës “Nënë Tereza”. Edhepse një letër që mban vulën e para një muaji, se është kontrolluar, në të njëjtën shkruan se nuk është funksional.
Kjo gjendje është thuajse në të gjitha institucionet shtetërorë, kur bëhet fjalë për të shpëtuar nga një gjendje emergjente. Përveç hidrantëve jo funksional, në shumë institucione shtetërorë, aparatet për shuarjen e zjarrit shërbejnë për të mbajtur derën ndërsa shkallët e emergjencës thuajse nuk ekzistojnë askund.
Qytetarët thonë për sa kohë që sistemi vazhdon kështu, do të na ikin të rinj siç ishte edhe rasti në Koçani.
“Sa janë të gatshëm institucionet që të reagojnë në raste zjarri? Mendoj se nuk janë të gatshëm, asnjë nga institucionet. Nuk janë jo”, tha një qytetar.
“Nuk janë të gatshëm. Ja u pa se sa janë të gatshëm. U bë katastrofë”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Shumë kohë më i gjithë shteti tek ne është partiak, institucionet në asnjë mënyrë nuk punojnë në mënyrë të pavarur, atë që u thuhet nga lartë bëjnë. Për sa kohë që të vazhdoje kështu do të na ikin të rinj siç ishte edhe rasti. Shkuam shumë larg dhe janë lëshuar shumë gjëra, Institucionet nuk funksionojnë e as sistemi nuk funksionon. Edhe sistemi më i keq është më mirë kur funksionon se sa kështu siç është tek ne”, tha një qytetar.
Sa i përket respektimit të rregullores kundër zjarreve, Hamdi Sulemani, arkitekt dhe aktivist dhe delegat i Dhomës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve që ka punuar për rregullore për masat për mbrojtjen e zjarreve dhe eksplozioneve, i ftuar ne emisionin “Programi 200” në Alsat, ndër tjerat i bëri thirrje që në të gjitha institucionet por në veçanti shkollat të kontrollohen pajisjet kundër zjarrit.,
“Do t’i lidhem edhe një deklarate të Kryeministrit i cili tha se që nga nesër do t’i kontrollojmë të gjitha diskotekat. Jo. Nuk duhet pasi nga nesër nuk do të punojnë diskotekat nga frika. Që nga nesër le të kontrollojnë shkollat, restorantet, kinematë, qendrat tregtare, institucionet ku ata vetë janë në qeveri dhe nëse shkon, nuk gjen hidrant, skemë evakuimi dhe asgjë nuk është në funksion”, u shpreh Hamdi Sulemani – Arkitekt dhe aktivist.
Sulemani i bëri thirrje Kryeministrit që në të gjitha institucionet të zbatohet urgjentisht rregullorja e re kundër zjarreve.
“I bëj thirrje kryeministrit Mickoski, njëkohësisht edhe ministrit të transportit Nikollovski dhe drejtorit të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, urgjentisht të shqyrtojnë draft rregulloren e cila është përgatitur nga ekspertë të shkëlqyer dhe profesorë universitarë dhe disa individë dhe që sa më parë të hyje në fuqi rregullorja e re e cila do të ndryshoje shumë gjëra në vend”, u shpreh Hamdi Sulemani – Arkitekt dhe aktivist.
Në zjarrin që përfshiu në Koçan, ndër tjerat kanë munguar edhe aparatet për shuarjen e zjarrit ndërsa Hidrantë nuk ka pasur aspak. /Alsat/