Sali: Gjysmëvjetori i dytë, me prezencë fizike

    Pavarësisht zgjerimit të kapaciteteve spitalore si pasojë e përhapjes së shpejtë të variantit Omikron, ministri i ri i Shëndetësisë Bekim Sali, në paraqitjen e tij të parë para mediave tha se gjithçka është nën kontroll dhe se për momentin nuk parashikohen masa të reja shtrënguese. Gjysmë vjetori I dytë shkollor do të fillojë më 1 shkurt me prezencë fizike, ndërsa Sali tha se maskat mbeten të detyrueshme për nxënësit, duke paralajmëruar skrining të ri nëpër shkolla.

    “Sipas të dhënave të cilat ne i kemi, nuk do ketë nevojë për izolim, gjegjësisht për mësim online nëpër shkolla në këtë periudhë. Gjendja epidemiologjike ndryshon çdo javë dhe në bazë të saj merren vendime të reja. Kjo do të thotë se nga 1 shkurti do të fillojë mësimi me prani fizike nëpër shkolla dhe ne si ministri do marrim masa parandaluese si skriningu i rastësishëm i përzgjedhjes së fëmijëve”, tha Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

    Edhe pse dy ditëve të fundit numri i të infektuarve shënon një rënie të lehtë, numri i vdekjeve si pasojë e Kovid mbetet shumë i lartë. Sipas ministrit Sali, shifrat e viktimave në Maqedoni rezultojnë më të larta në krahasim me vendet e rajonit, si pasojë e metodologjisë së regjistrimit të të vdekurve.

    “Nëpër shtetet tjera fqinje kemi rezultate tjera të cilat janë shumë më të vogla se tek ne sa I përket vdekshmërisë nga Kovid19 por duhet ta dimë se atje metodologjia e regjistrimit të personave të vdekur që nga vetë fillimi I pandemisë është i ndryshëm dhe nuk duhej të na hutojë pse tek ne ka 8000 viktima ndërsa në shtete tjera nga 2000-3000.  Institucionet tona kanë dashur të jenë transparente se sa vdekje janë si pasojë e Kovidit, është fakt se Kovidi si I tillë komplikon dhe është faktor që ndikon në më shumë organe për të ndikuar në rëndimin e situatës dhe mund të jetë arsyeja për vdekjen e dikujt”, shtoi Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë

    Gjatë ditës së djeshme, dikasteri i Shëndetësisë njoftoi se Komisioni për sëmundje ngjitëse do të shqyrtojë ndryshimin e protokolleve sa i përket evidentimit të numrit të personave të vdekur të cilët regjistrohen si viktima kundër Kovid19. Kjo nënkupton që jo secili pacient i vdekur të testohet për Kovid dhe të hyjë në listën e të vdekurve si pasojë e Kovidit. Një çështje e tillë do të shqyrtohet pas ndryshimeve të cilat pritet të bëhen në përbërjen e Komisionit për sëmundje ngjitëse. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Nuk ka përmirësim të barabartë të përfaqësimit etnik nëpër institucione”

    Lajmi i rradhës

    ASh: Gjykatësit dhe prokuroria duhet të mbajnë përgjegjësi bashkë me ata që montuan rastin “Alfa”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë