Salihu: A mund të flasin për të ardhmen e ndritur ata që e nxijnë të sotmen?

    Salajdin Salihu / Fotografia: Emir Hamzi

    Në pyetje diskutimin që u zhvillua ditë më parë në universitetin e EJL-së me temë “Vizioni për Maqedoninë e Veriut”, profesori universitar, Salajdin Salihu u shpreh se, të rinjtë janë ato të cilët mund ta ndryshojnë të ardhmen. Sot politikanët dhe megafonët e tyre flasin për suksese. Premtojnë të ardhmen e ndritur kur e sotmja bëhet e padurueshme. Na japin “pilula Murti – Bing”, që sipas një vepre të Çesllav Milloshit, i lumturonin njerëzit e dëshpëruar që jetonin në vendin e palumtur, shprehet Salihu, njofton Nistori.

    “A mund të flasin për të ardhmen e ndritur ata që e nxijnë të sotmen? E dimë, e ndjejmë se jetojmë në një sistem të robëruar nga vargonjtë e korrupsionit material e moral. Ky sistem është ndërtuar me dekada. Ai nuk mund të dekonstruktohet nga krijuesit e tij: politikanët, oligarkët, inteligjencia pa intelekt. Elitat bashkohen në mbrojtje të këtij sistemi dhe, në thelb, janë të ndryshmit e njëjtë. Kjo sepse ndryshimi nënkupton fundin e elitave të këtilla dhe krijon mundësi që të përgjigjen për keqpërdorimet e pronës publike.” – deklaron Salihu.

    “Nuk kemi as shtet social, pra frymë të solidaritetit shoqëror. Nuk kemi autonomi sferash shoqërore, sepse ngulfaten nga autoriteti politik. Jetojmë në botën ku ekrani na fut në botën e hiperrealitetit, simulacrave dhe simulimeve, siç thotë Bodriari. Nuk i përjetojmë ngjarjet e vërteta, por ngjarjet që na i shpik media. Për t’i shëruar plagët e shoqërisë na duhet idealet. Shoqëria pa ideale është e çoroditur, e humbur. Dikush idealet i quan strategji kombëtare, shtetërore, gjeopolitike etj. Çdo brez duhet të ketë ideale: Çka dëshiron të arrijë? Në çfarë shoqërie dëshiron të jetojë? Cilët janë idealet e brezit të ri? Këtë përgjigje duhet të na japë ky brez”.

    Profesori nxit të rinjtë që brezi i tyre duhet të paraqitet dhe ta marrë fjalën. Të mos ligështohet. Të mos lejojë ta shpallet i paaftë. Nëse brezi paraprak vërtet do të ishte më i aftë, atëherë brezi i ri nuk do t’i paguante këstet e dështimeve të kaluara. Fatkeqësisht, ky brez paguan për fajet e brezit paraprak.

    “Kreativiteti i këtij brezi mund ta bëjë këtë vend më të mirë. Ky brez mund të ndërtojë një shoqëri ndërkulturore, duke besuar në vlerat perëndimore. Një shoqëri e këtillë siguron mbrothësi. Mundëson të vijnë në shprehje potencialet e tyre intelektuale. Por, edhe të krijohen vlera supranacionale. Një shoqëri e këtillë mundëson të çlirohemi nga vargonjtë e kodeve anakronike dhe ta shohim dritën e botës tjetër. Brezi i ri nuk do të lejojë që të jetë objekt, por të insistojë të jetë subjekt në të tashmen. Të tashmen që do ta bënte të lumtur. Duhet të jetë pjesë edhe e politikës, sepse politika e kthen kaosin në rend, sepse nuk ka popull të lirë pa politikë. Sokrati thotë se bota nuk mund të ndryshohet pa e ndryshuar vetveten.” – u shpreh ndër të tjera profesor Salihu. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Merko nuk e respekton vendimin e Gjykatës Themelore për kthimin e Resul Hanit

    Lajmi i rradhës

    Pandemia thelloi pabarazinë te komunitetet joshumicë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë