Samiti i G7-ës në Hiroshimë: Çfarë do të jetë në agjendë?

    Reuters

    Udhëheqësit e shtatë prej vendeve më të pasura të botës takohen këtë javë në samitin e G7-ës, për të diskutuar çështje gjeopolitike, ekonomike dhe klimatike.

    Ngjarja zhvillohet në qytetin japonez të Hiroshimës.

    Çfarë është samiti i G7-ës?

    G7 është një grupim joformal i vendeve të pasura perëndimore. Nuk ka sekretariat të përhershëm apo status ligjor. Çdo vit, njëri prej vendeve anëtare merr presidencën e grupit, përcakton prioritetet dhe organizon një samit të liderëve, si dhe takime ministrore gjatë gjithë vitit.

    Italia do ta marrë presidencën nga Japonia në vitin 2024. Rusia u përfshi në atë që u bë G8 në vitin 1997, por u përjashtua në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina.

    Ministrat e Financave të G7-ës dhe guvernatorët e bankave qendrore marrin pjesë në pritjen përshëndetëse të takimit të G7, Japoni, 11 maj 2023.
    Ministrat e Financave të G7-ës dhe guvernatorët e bankave qendrore marrin pjesë në pritjen përshëndetëse të takimit të G7, Japoni, 11 maj 2023.

    Ku dhe kur mbahet?

    Takimi i këtij viti do të mbahet nga data 19 deri më 21 maj në Hiroshimë të Japonisë, që në vitin 1945 ishte qyteti i parë që u bombardua me armë bërthamore.

    Kush merr pjesë?

    G7 përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë. Përfaqësues nga Bashkimi Evropian marrin pjesë, po ashtu.

    Viteve të fundit u bë zakon që të ftohen edhe vende të tjera, për të ndihmuar në nxjerrjen në pah të çështjeve kryesore.

    Këtë vit, në mesin e të ftuarve janë udhëheqësit e Australisë, Brazilit, Ishujve Kuk për Forumin e Paqësorit, Indisë, Indonezisë, Koresë së Jugut e Vietnamit.

    G7-ta dhe shtetet e tjera perëndimore po përpiqen t’i forcojnë aleancat, të arrijnë te Jugu Global dhe ta mbrojnë ndikimin e tyre në tkurrje, pasi Kina dhe Rusia po përpiqen të depërtojnë ekonomikisht dhe të nxisin alternativa ndaj rendit ndërkombëtar ekzistues.

    Sa kohë ekziston G7-ta?

    G7-ta u themelua pas embargos së naftës nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), në vitin 1973, si një forum për vendet më të pasura për të diskutuar çështjet ekonomike globale. Vendet e G7-ës kanë një bruto prodhim të brendshëm të kombinuar që arrin 40 trilionë dollarë brenda viti – pak më pak se gjysma e ekonomisë botërore.

    Nga Rusia, Kina deri te çështjet bërthamore: Çfarë është në agjendë?

    G7-ta do të zhvillojë diskutime të gjera mbi ndryshimet klimatike, shëndetin e ekonomisë globale, inflacionin dhe sigurinë globale të ushqimit.

    *Fotogaleri nga arkivi: Ndryshimet klimatike shkrijnë stacionin më verior kërkimor në botë

    Ndryshimet klimatike shkrijnë stacionin më verior kërkimor në botë
    FotogaleriNdryshimet klimatike shkrijnë stacionin më verior kërkimor në botë

    Mbështetja për Ukrainën

    Edhe më shumë se një vit pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, konflikti do të jetë në qendër të vëmendjes.

    G7-ta do të dëshirojë të tregojë unitet përpara kundërofensivës së pritur të Ukrainës, duke nënvizuar nevojën për më shumë dërgesa armësh, mbështetje politike dhe ndihmë financiare.

    Sasia e ndihmës që do të ofrojë G7-ta në muajt e ardhshëm, do të luajë rol të madh në përcaktimin e mënyrës se si do të përfundojë konflikti.

    Kjo do të shoqërohet me premtime për intensifikimin e sanksioneve kundër Rusisë.

    Por, prapa skenave, vendet e G7-ës ndryshojnë në qasje ndaj çështjeve të tilla.

    Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky, pritet t’i drejtohet G7-ës përmes video-lidhjes.

    Pengimi i Kinës

    Shtetet e Bashkuara po i shtyjnë aleatët e tyre më të afërt për një strategji më të fortë parandaluese ndaj Kinës.

    G7-ta në Japoni do të jetë forumi për ta përcaktuar këtë.

    Mospërhapja bërthamore

    Zgjedhja simbolike e kryeministrit japonez, Fumio Kishida, për Hiroshimën, si vend nikoqir, nxjerr në pah dëshirën e tij për të vendosur çarmatimin bërthamor dhe mospërhapjen bërthamore në krye të agjendës së këtij viti.

    Arkitektura e sigurisë bërthamore pas Luftës së Dytë Botërore është duke u tronditur nga paralajmërimet e fshehta të Rusisë se mund të përdorë armë taktike bërthamore në Ukrainë, nga testimet e përsëritura të raketave balistike në Korenë e Veriut, si dhe nga zgjerimi i programit bërthamor në Iran.

    Inteligjenca artificiale

    Edhe pse fillimisht nuk ishte në agjendë, rritja e shpejtë e inteligjencës gjeneruese artificiale bëri që udhëheqësit e G7-ës të mos mund ta injorojnë më atë.

    Ministrat digjitalë të G7-ës ranë dakord në prill për miratimin e rregullores për inteligjencën artificiale “të bazuar në rrezik”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Patatet e skuqura shkaktojnë depresion? Si qëndron e vërteta

    Lajmi i rradhës

    Ilaçet që duhet të marrësh patjetër kur shkon me pushime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë