Saubermacher sqaron obligimin ligjor për lidhjen e kontratave me bizneset, MMPT e konsideron ‘haraç’

    Nga ana e Shoqërisë për prodhim dhe shërbime komunale Saubermacher Tetovë ShPK, më datë 05.09.2025, përmes postës elektronike u dërgua një kërkesë deri te të gjitha personat juridikë me seli në territorin e Komunës së Tetovës, me qëllim që të bëhet lidhja e kontratës për përdorimin e shërbimeve komunale – respektivisht mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave, shkruan Nistori.

    “Sipas nenit 130, paragrafi 1, pika 12 të Ligjit për menaxhim me mbeturinat: gjoba është në shumën prej 9.000 deri në 10.000 euro në kundërvlerë për denarë për tregtarët mikro, prej 18.000 deri në 20.000 euro në kundërvlerë për denarë për tregtarët e vegjël, prej 53.000 deri në 59.000 euro në kundërvlerë për denarë për tregtarët e mesëm, dhe prej 88.000 deri në 98.000 euro në kundërvlerë për denarë për tregtarët e mëdhenj”, thuhet në letrën e dërguar të gjithë afaristëve, si dhe atyre jo fitimprurëse.

    Nisma e pavarur Më Mirë Për Tetovën (MMPT) ka reaguar ndaj mënyrës së veprimit të kompanisë Saubermacher, e cila ofron shërbime të menaxhimit të mbeturinave nëpërmjet një partneriteti publiko-privat me Komunën e Tetovës.

    Sipas MMPT, kompania po “reketon” qytetarët dhe bizneset e qytetit. Prej dje, sipas MMPT, pronarë biznesesh kanë raportuar se kanë pranuar njoftime përmes emailit nga Saubermacher, që u kërkon lidhjen e kontratave për shërbime brenda një afati prej pesë ditësh.

    MMPT paralajmëroi se bizneset që nuk e nënshkruajnë kontratën rrezikojnë gjoba të mëdha, duke filluar nga 9,000 deri në 98,000 euro.

    Nisma kërkon nga Komuna e Tetovës të publikojë marrëveshjen me Saubermacher, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të dinë bazën ligjore të veprimeve të kompanisë.

    Saubermacher Tetovë reagoi ndaj pretendimeve për “reketim” dhe gjoba ndaj bizneseve

    Saubermacher Tetovë për Nistorin thotë se informacionet që janë përhapur në opinion lidhur me kërkesën e tyre, i quajnë të pavërteta.

    “Me keqardhje konstatojmë se pas dërgimit të kësaj kërkese, në opinion janë shfaqur informata të pasakta dhe interpretime tendencioze të përmbajtjes së saj, me të cilat dëmtohet nderi, reputacioni dhe emri i mirë i SAUBERMACHER TETOVË SHPK, si ofrues i autorizuar i shërbimit publik komunal në territorin e Komunës së Tetovës.

    Po përhapen pretendime të pasakta se:

    ∙ Kompania ushtron të ashtuquajturin “reketim” ndaj subjekteve afariste dhe qytetarëve,
    ∙ U kërcënohet personave juridikë me shqiptim gjobash,
    ∙ Kërkon me detyrim lidhjen e kontratës.

    Këto deklarata janë plotësisht të pavërteta dhe me qëllim të qartë për të dëmtuar besimin e opinionit në punën tonë. Këto pohime janë veçanërisht shqetësuese, ngase jo vetëm që dezinformojnë opinionin, por edhe e minojnë reputacionin e kompanisë e cila në mënyrë profesionale e kryen obligimin e saj ligjor dhe kontraktual në terren. Ne jemi të bindur se këto dezinformata burojnë nga subjekte të cilat ende nuk dëshirojnë t’i përmbushin obligimet e tyre për një mjedis jetësor më të pastër”, thonë nga Saubermacher.

    Kompania sqaroi se, sipas nenit 6 të Ligjit për menaxhim me mbeturinat, obligimi për lidhjen e kontratës vlen për të gjitha personat juridikë që krijojnë mbeturina komerciale, duke përfshirë mbeturinat nga veprimtaria afariste dhe ato të ngjashme me mbeturinat e amvisërive (letër, ambalazh, plastikë, ushqim etj.).

    “Shembuj të mbeturinave komerciale: 

    ∙ Mbeturina zyrash (letër, shishe, paketime) 
    ∙ Mbeturina nga tregtia dhe gastronomia (qelq, ushqim, karton) 
    ∙ Mbeturina nga shërbimet kozmetike, parukeri dhe të ngjashme 
    ∙ Mbeturina nga tregjet, hotelet, serviset e vogla 
    ∙ Disa lloje mbeturinash nga institucionet shëndetësore (nëse nuk klasifikohen si të rrezikshme)
    “, shtojnë nga Saubermacher.

    Sipas kompanisë, dispozitat që parashohin gjoba në rast të mosrespektimit të këtij obligimi, ku u sqarua se dënimet (gjobat) mund të shqiptohen vetëm nga organi inspektues i autorizuar.

    Elmedina Abdullahi nga MMPT shkroi se vetëm biznest që prodhojnë mbeturina komerciale e kanë për detyrë ligjore të nënshkruajnë kontratë, të tjerët (sidomos OJQ-të) jo vetëm që nuk e kanë obligim të nënshkruajnë kontratë, por në këtët rast kanë të drejtë edhe për ta paditur kompaninë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ndërkohë që turistët shijonin plazhin e Dojranit, avioni zjarrfikës mbushi ujë në liqen (Video)

    Lajmi i rradhës

    HORIZONTI I ANGAZHIMEVE TJERA POLITIKE (3)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë