Sefer Tahiri
Si pasojë e devijimit dhe mosgatishmërisë së disa institucioneve për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, gjë që i ka evidentuar edhe Avokati i Popullit, në skenë kanë dalë projekte për marrëveshje të reja politike. Marrëveshja e re e propozuar nga PDSH-ja. Partia Demokratike Shqiptare edhe pse në vitin 2010 e promovoi marrëveshjen e re politike, viteve të fundit, sidomos pas vitit 2016 nuk e ka pjesë të agjendës së saj politike, ndërsa teksti i saj nuk është i publikuar as në faqen e internetit të kësaj partie www. https://gurra-pdsh.org/. parashikonte miratimin e një ligji të veçantë, i cili përcakton masa ndëshkuese për shkeljet dhe zvarritjet, për të gjitha manipulimet që ndikojnë që një e drejtë të bëhet e pashfrytëzueshme. Përveç kërkesave që kanë të bëjnë me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, pa segregime fyese dhe me përfaqësimin e drejtë, PDSh-ja kërkonte barazinë e plotë dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në sistem, si në shfrytëzimin e begative të sistemit, ashtu edhe në vendimmarrje. Kjo fushë, sipas marrëveshjes së ofruar do të kontrollohej me parimin e konsensusit të plotë dhe këtu bën pjesë edhe ndarja proporcionale e buxhetit. PDSh-ja ka propozuar formimin e Parlamentit dydhomësh, me atë që Dhoma e ulët apo Senati do të vendosnin për çështjet me karakter etnik, ndërsa kërkoi edhe ligj të ri për funksionim konsensual të Qeverisë.
Aleanca për Shqiptarët, një subjekt i dalë nga PDSh-ja angazhohet që Republika e Maqedonisë së Veriut të ndërtohet si shtet sovran, demokratik, shumëpartiak, i decentralizuar, duke respektuar realitetin binacional (dyetnik v.j) dhe multikulturor. Nisur nga kjo, ASh-ja do të këmbëngul që Maqedonia të përkufizohet si shtet binacional (dyetnik v.j), i maqedonasve dhe i shqiptarëve.
Ndërsa Lëvizja Besa promovoi konceptin e ridefinimit të shtetit të Maqedonisë. “Ridefinimi me një marrëveshje të re ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, që do ta vendoste parimin e konsensusit të përgjithshëm në të gjitha nivelet e shtetbërjes, pra pa majorizim, do të mund të prodhonte një shtet stabil e të qëndrueshëm, koheziv dhe me identitet të fuqishëm shtetëror, i cili do t’i afirmonte edhe identitetet e veçanta etnike në vend. Lëvizja Besa është e bindur se ridefinimit, përmes marrëveshjes së re ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, duhet t’i paraprijë një pajtim historik ndëretnik, ku do të pranohet autoktonia e shqiptarëve dhe kontributi i tyre historik në formimin e këtij shteti, ndërsa në të do të merren në konsideratë edhe pasojat që mund të burojnë nga mosrespektimi i këtij realiteti. Lëvizja Besa, duke u bazuar në përvojën e deritanishme, është e bindur se një shtet shumëetnik si Maqedonia duhet të shkarkohet nga idetë e superioritetit etnik të maqedonasve dhe inferioritetit të shqiptarëve, në mënyrë që të krijojë hapësirë për dialog të mirëfilltë për të gjitha çështjet dhe pa paragjykime”. Edhe pse u zhvillua konflikti i armatosur dhe palët etnike: ajo shqiptare dhe maqedonase zhvilluan negociata politike, ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 nuk arritën që ta bëjnë shqipen tërësisht zyrtare. Sipas amendamentit V përkatësisht nenit 7 të Kushtetutës së vitit 2001, gjuha maqedonase vazhdoi të ruajë ekskluzivitetin e vet, ndërsa gjuhës shqipe i garantohej status i cunguar zyrtar.
Neni 7
Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër dhe alfabeti i saj që e flasin, së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare, siç është përcaktuar me këtë nen. Dokumentet personale të qytetarëve, të cilët flasin gjuhë zyrtare, të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, si dhe atë gjuhë dhe alfabetin e saj, në përputhje me ligjin.
Cilido qytetar, i cili jeton në njësitë e vetëadministrimit lokal, në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare, të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund ta përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetëadministrimit lokal, përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari. Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e tyre, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin, të cilin e përdor qytetari.
Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuha zyrtare, e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në përputhje me ligjin.
Në njësitë e vetëadministrimit lokal gjuha dhe alfabeti që e përdorin së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabeteve, në të cilat flasin së paku 20% e qytetarëve në njësitë e vetëadministrimit lokal, vendosin organet e njësive të vetëadministrimit lokal.
Krahas këtij përkufizimi, gjuha shqipe nuk lejohej të përdoret zyrtarisht në ushtri, polici dhe diplomaci, në qeveri dhe në kryesimin e seancave parlamentare dhe kryesimin e seancave të komisioneve parlamentare. Ndërsa përdorimi i flamurit shqiptar lejohej, nëse dimensionet e tij gjithmonë ishin më të vogla në krahasim me flamurin e shtetit.
Zyrtarizimi i gjuhës shqipe u riaktualizua në fushatën para zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në 11 dhjetor të vitit 2016. Madje ishte kusht për formimin e qeverisë së re të Zoran Zaevit. Për herë të parë në historinë bashkëkohore politike të Maqedonisë së Veriut, një parti etnike maqedonase- Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë hartoi programin e saj qeveritar, duke përfshirë edhe avancimin e politikës gjuhësore, me theks të veçantë duke mundësuar avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Duke u nisur nga këto përcaktime të partisë LSDM, e cila është bartëse e pushtetit ekzekutiv në vitet 2017 – 2020 dhe partive shqiptare : Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASh), Lëvizja BESA (LB), Partia Demokratike Shqiptare (PDSh), Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 janar të vitit 2018 miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Me ligjin parashikohet:
Neni 1
Gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj (gjuha shqipe dhe alfabeti i saj cirilik), edhe atë në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera.
Miratimi i këtij ligji u prit negativisht nga një pjesë e elitës intelektuale maqedonase, ndërsa për herë të parë në historinë e pluralizmit demokratik në Maqedoninë e Veriut ligji dhe në përgjithësi e drejta themelore njerëzore e përdorimit të gjuhës shqipe, nga një pjesë e intelektualëve maqedonas u komentua si e drejtë e natyrshme, e cila nuk dëmton gjuhën maqedonase.
Statusi juridik- kushtetues i shqiptarëve nuk ndryshoi as pas arritjes dhe firmosjes së Marrëveshjes së Prespës për emrin me Greqinë, e nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, pas 24 viteve negociata dypalëshe me ndërmjetësimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në Marrëveshjen e Prespës shqiptarët nuk përmendet në asnjë nen të saj, në kuptimin e rolit dhe të qenit element i konstituencës së Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e deridjeshme hoqi dorë nga emri i saj duke u cilësuar Maqedonia e Veriut, ndërsa janë lënë mënjanë edhe pretendimet për përkatësinë e Aleksandrit të Madh (Lekës së Madh), emri i të cilit u hoq si nga aeroporti ashtu edhe nga autostrada që të çon në të. Së fundi, edhe emrat e institucioneve u ndryshuan ku përcaktori maqedonas/maqedonase (përkthimi në gjuhën maqedonase: македонскиот/македонската) i vendosur para çdo emërtimi, doli në fund të emërtimit me lidhëzën i/e Maqedonisë së Veriut (përkthimi në gjuhën maqedonase “на Северна Македонија”). Me ndryshimet kushtetuese, të miratuara nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut (deri ditën e ndryshimeve quhej i Maqedonisë), më 19 tetor të vitit 2018, që pasuan pas Marrëveshjes së Prespës, statusi juridik- kushtetues i shqiptarëve mbeti i pandryshuar përkatësisht vazhdojnë të përkufizohen si bashkësi apo komunitet. Ndryshim cilësor për statusin e shqiptarëve përbën fakti që në të ardhmen, identiteti shtetëror i popullit maqedonas nuk është i barazvlefshëm me identitetin etnik maqedonas, pasi emri i ri nuk i referohet përkatësisë etnike (maqedonase) të shtetasve. Pra, shqiptarët etnikë dhe maqedonasit etnikë, me ndryshimet e reja kushtetuese janë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pas Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut ka ecur tepër shpejtë në procesin e integrimit në BE dhe NATO. Ndryshe procesi i integrimit evropian daton nga viti 1992, ndërsa intensifikimi i procesit nga viti 2000. E dalë nga konflikti i armatosur, Qeveria e re e Maqedonisë së atëhershme dhe institucionet e shtetit ishin vënë në zbatim të reformave, që ishin pjesë e ndryshimeve të reja kushtetuese dhe ligjore. Më 1 prill të vitit 2004 Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asocimit midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë (tani e Veriut), që siç theksuam më lartë u nënshkrua më 9 prill 2001, hyri në fuqi dhe çoi vendin një hap përpara në rrugën drejt integrimit evropian.
Praktikisht me këtë Maqedonia e Veriut fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, status të cilin e pati 14 vite si pasojë e moszgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë. Pavarësisht kritikave për ngecje në disa reforma, raportet e Komisionit Evropian për progresin kanë qenë pozitive. Në vitin 2009 Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, ndërsa më 24 mars të vitit 2020 Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian vendosi që të hapen negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Maqedonia e Veriut, përveç se është në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, më 27 mars të vitit 2020 u bë anëtare e 30-të dhe më e re e NATO-s. Aleatët e NATO-s kanë nënshkruar Protokollin e pranimit të saj në shkurt të vitit 2019 dhe pastaj 29 parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të Aleancës kanë votuar për ratifikimin e anëtarësimit. Pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe pas rrumbullakimit të procesit të anëtarësimit në BE, zvogëlohen gjasat për ripërkufizimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në dimensionin juridik- kushtetues. Në të ardhmen, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, nuk mund
të pritet që ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar në marrëdhëniet e brendshme ndëretnike dhe shoqërore të jetë siç ka qenë pas konfliktit të vitit 2001 ose deri në firmosjen e Marrëveshjes së Prespës. Bashkimi Evropian, në momentin që Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtar i tij, ndaj Shkupit zyrtar do të sillet si ndaj çdo shteti anëtar që ka probleme ndëretnike dhe që ballafaqohet me etno-nacionalizëm ekstrem të palëve të ndryshme etnike. Për shembull do të sillej si ndaj Spanjës (çështja e Katalonisë), Greqisë (çështja çame), Belgjikës (flamanët që përbëjnë rreth 60 për qind të popullsisë dhe që flasin gjuhën holandeze dhe valonët që përbëjnë 39 për qind të popullsisë dhe që flasin gjuhën frënge) ose si ndaj Irlandës së Veriut (konfliktet e shumta të dhunshme mes protestantëve dhe katolikëve).
Do të jetë i pashmangshëm vëzhgimi i barazisë reale etnike në Maqedoninë e Veriut nga ana e institucioneve të BE-së, edhe kur vendi të jetë anëtar i këtij organizmi ndërkombëtar, me shtrirje të gjerë gjeografike dhe demografike. Por nuk do të ketë ndërhyrje me misione të veçanta, për të ofruar lehtësime në procesin e marrëdhënieve midis popullit maqedonas dhe popullit shqiptar, qoftë edhe kur shteti me “demokraci të brishtë” (term i përdorur shpesh në diskursin politik), do të përballet me kriza të përmasave të mëdha. Megjithatë integrimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO mbetet garanci se do të përforcohet barazia midis qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas. Por avancimi substancial i kësaj barazie duhet të jetë prodhim i marrëveshjeve të brendshme politike, e jo rezultat i presionit të bashkësisë ndërkombëtare, tek e cila faktori politik shqiptar shpesh ka adresuar pakënaqësitë ndaj sistemit politik dhe me mbështetjen e saj ka artikuluar kërkesat për status më të avancuar në sistemin juridik-kushtetues dhe në sistemin politik të Maqedonisë së Veriut.
Për fund një konkluzion të shkurtër lidhur me përkufizimin e marrëdhënieve ndëretnike në segmentin kushtetues. Nga kjo që thamë, Maqedonia e Veriut ka dy zgjidhje. E para, është të përkufizohet si shtet i kombit maqedonas dhe kombit shqiptar si dhe bashkësive të tjera etnike, model ky më i pranueshëm për shqiptarët, se sa për maqedonasit, pasi variacionet bashkësi etnike e të ngjashme nuk sigurojnë luajalitet të plotë të shqiptarëve ndaj shtetit. Në këtë kontekst, duhet të merret parasysh edhe fakti që sistemi juridik-kushtetues dhe ai politik janë të ndërtuar e mbindërtuar mbi parimin apo “çelësin” etnik, duke nisur nga parimi i Badenterit apo parimi i mosmajorizimit të shumicës, funksionimi i Komitetit për Marrëdhënie midis Bashkësive në kuadër të Kuvendit, si mekanizëm kundërmajorizues, një organ i përkufizuar me kushtetutë, i cili ka për detyrë të shqyrtojë dhe të debatojë mbi ligjet dhe vendimet e Kuvendit që prekin çështjet etnike. Me “çelës” etnik bëhet formimi i institucioneve të shtetit, para së gjithash i qeverisë. Nëse i shtohet kësaj edhe fakti që partitë politike, me përjashtim të disa reformimeve kozmetike programore, vazhdon të funksionojë në një sistem politik “të etnizuar”, modeli i ri i shtetndërtimit duhet të merr në konsideratë të gjitha këto kondita.
Modeli i dytë është qytetar, i cili do thotë se shtetformësia do tu takojë të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, por që nënkupton reformim rrënjësor të sistemit kushtetues dhe politik, model që do të ishte më i pranueshëm për të gjitha palët se sa varianti i parë, por gjithmonë duke shmangur shkallëzimet kushtetuese, sa i përket statusit të popullit maqedonas, shqiptarëve që janë në nivelin e bashkësisë etnike dhe bashkësive tjera etnike joshumicë.
*Artikulli është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i ka vetëm Nistori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






