Ziadin Sela në ClickPlus në TV21 thotë se zgjidhja e vetme për gjuhën shqipe dhe moscenimin e saj, është nëse në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut shkruhet fjalia siç vijon: “Gjuhë zyrtare në Maqedoni është maqedonishtja dhe shkrimi i saj dhe shqipja dhe shkrimi i saj dhe pikë”.
“Nuk mundesh ti me Kushtetutë të krijosh dhe me ligj për gjuhët të krijosh dy kategorish qytetarësh. Një qytetar, ja po i lemë shqiptarët, një maqedonas që ka një gjuhë zyrtare në Strumicë dhe një qytetar maqedonas që ka dy gjuhë zyrtare në Strugë. Meqë duhet të ruhet karakteri unitar i shtetit, atëherë gjuha duhet të rregullohet me kushtetutë dhe vetëm me një fjalë – “Gjuhë zyrtare në Maqedoni është maqedonishtja dhe shkrimi i saj dhe shqipja dhe shkrimi i saj” dhe pikë. Kështu ruhet karakteri unitar i shtetit”, tha Sela në ClickPlus.
Sela çështjen e gjuhës e hapi teksa tregonte edhe format e zgjidhjeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
“Brenda për brenda Maqedonisë duhet të ketë edhe rregullime të tjera kushtetuese që godasin mbi karakterin unitar të shtetit. Kush godet mbi këtë karakter, ata që kushtimisht e mbrojnë më së tepërmi duke thënë se ne e mbrojmë karakterin unitar. Atëherë mos e godit legjitimitetin… Është edhe hapja e çështjes së gjuhës”, tha Sela mes tjerash.
Një formë tjetër, me të cilën gjithashtu do të mbrohet legjitimiteti, është “që Qeveria të formohet me badenter”
“Po flas në emër tim, jo të Frontit. Është ruajtja e vendeve të garantuara për komunitetet jo maqedonase bazuar në Regjistrimin e popullit”, tha më tej Sela.
Sela flet për “akuzat” për destabilizim dhe tregon se kush do të protestojë
Sela ka siguruar se me protestat e paralajmëruara për në shtator nuk bëhet tendencë që të destabilizohet Maqedonia e Veriut, por që të shprehet pakënaqësia për shkeljen e të drejtave të qytetarëve nëpërmjet shkeljes së legjitimitetit të shprehur me votat e tyre.
“Kur i shoh përgjigjet që i japin në pyetjet e gazetarëve, shpesh e pyes veten: Cili është kufiri i normales dhe anormale, midis intelektit dhe budallakisë. Kjo është ajo që e mendoj kur e shoh se si pyetet një politik se pse mungon tabela shqip në një vend, ai thotë: Kjo është përpjekja e radhës për destabilizim. Kur pyetet ministri i Punëve të Brendshme, se a keni informacione për destabilizim, ai thotë po dhe shton se kemi marrë të gjitha hapat për protestat e paralajmëruara në shtator. Protesta nuk është tendencë për destabilizim, është e drejtë demokratike. Sa më të shpeshta janë, aq më pak kufizohet pushteti nga këto lajthitje”, tha Sela.
I pyetur se kush do të protestojë, ai u përgjigj:
“Qytetarët, për të drejtat që u shkelen. Një nga shkaqet që duhet të ngrihet zëri i qytetarëve bashkë me faktorin politik – është shkelja e legjitimitetit. Jo të Ziadinit, por legjitimitetit të atyre që e kanë shprehur me votë”, tha Sela.
“Mundin, djersën dhe gjakun tim e shndërruan në miliona”
“Aleanca paska qenë e atyre? E atyre që mundin, djersën dhe gjakun tim e paskan shndërruar në milionë? Aleanca vetëm e Ziadin Selës nuk qenka?! Qenka e Arben Taravarit ë?!”.
Ziadin Sela është shprehur i revoltuar për kthimin në rigjykim të rastit të vulave të Aleancës për Shqiptarët. Ai ka dërguar akuza të rënda ndaj ish bashkëpartiakëve të tij.
“Vetëm njerëz të pa karaktere, vetëm njerëz të pafytyrë vetëm njerëz pa pikë kurrizi dhe pa pikë dinjiteti mund ta binë punën që ta kontestojnë këtë të drejtë se kujt i takon vula e Aleancës për Shqiptarët. Vetëm njerëz që Aleancën për Shqiptarët e kanë luftuar, kurrë se kanë votuar, sot dalin në press konferenca dhe paraqiten si Aleancë për Shqiptarët. Nëse do të kishin pak karakter dhe dinjitet, do të thonin: “Unë nuk e kam vendin aty”, tha më tej Sela.
“Bazuar në atë që ka ndodh, Aleanca për Shqiptarët është e Salim Sulejmanit. Ai doli në press konferencë dhe tha se partia iu rikthye… Gënjeu, se realisht asnjëherë nuk ka qenë… Partia kishte qenë e Rijad Shaqirit. Atë e kam marrë në vitin 2018. I kam premtuar prindit të tij se do ta marr dhe e kam marr. Partia kishte qenë e Hristijan Mickoskit, sepse paralajmëroi që ASh do të ndahet prej në janar, dy javë më parë e paralajmëroi ndarjen që ndodhi… Kishte qenë e Arben Taravarit dhe gjithë ksaj klike të cilët harrojnë dhe akoma nuk kanë dhënë përgjigje për firmat e veta që i kanë hapur dhe dalin për ditë dhe merren me tenderë të nipit të ndonjë eksponenti të ASh-së që ka konkuru në mënyrë shumë legale. Kjo është mendësi e mbrapshtë, mendësi e demokracive afrikane të cilët kur marrin pushtetin e marrin si fis dhe thonë se do të qeverisim si fis dhe ju nuk keni drejtë fare të merrni pjesë as në jetën publike?
Ju kur po flisni, sikur indianë të jenë të gjithë?
Kështu është sjellja. Kështu është sjellja e këtyre njerëzve. Për të mbuluar skandalin që e bënë dhe fotografitë që u dolën… Çmendojnë këta?!”, tha Sela më tej. /Nistori/