Serbia: “Dronët nga Kosova” vëzhguan objekte ushtarake

    Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të mërkurën se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë urdhrin për rritjen e gatishmërisë luftarake, pasi disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë qendrore”.

    Vuçeviq njoftoi të martën se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të, siç tha, situatës në Kosovë, por atë ditë nuk dha detaje se përse është marrë ky vendim dhe përse lidhej me Kosovën.

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, i mohoi raportet e disa mediave serbe, më 1 nëntor, se “dronët që janë vërejtur mbi Serbi”, kanë hyrë nga territori i Kosovës.

    “Çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendjeje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”, shkroi Mehaj në Facebook.

    Vuçeviq tha për RTS-në se Vuçiq ka ngritur gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë për shkak të dronëve dhe “duke marrë parasysh përvojën në frontin ukrainas”, në mënyrë që të mos kishte, pastaj, “vonesa administrative në zinxhirin komandues”.

    Disa media në Serbi transmetuan informacione jozyrtare më 1 nëntor, se dronët pa pilotë “po filmonin aktivitete në zonën e sigurisë tokësore dhe në dy kazerma” – domethënë, sipas raportimeve, fluturuan mbi Merdare dhe rrethinat e Rashkës, në kufirin me Kosovën dhe në jug të Serbisë.

    Vuçeviq tha për RTS-në se, pas shfaqjes së dronëve, Vuçiq ka dhënë urdhrin që “çdo objekt i tillë të eliminohej ose të vihej nën kontrollin tonë”.

    Ai shtoi se avionët luftarakë, MIG 29, të cilët u aktivizuan nga Serbia, nuk u ngritën për shkak të dronëve, por se “ata patrullojnë në qiellin tonë”.

    Vuçeviq, krahas pretendimeve se dronët kanë hyrë nga territori i Kosovës, nuk dha më shumë detaje as për ta, as për arsyet e ngritjes së avionëve luftarakë dhe as për lidhjet që mund t’i kenë ata me Kosovën, për sigurinë e së cilës kujdeset edhe misioni i NATO-s, KFOR.

    Ai tha se ushtria mund t’u përgjigjet “këtyre sfidave” edhe “me topa” dhe në mënyra të tjera.

    Sipas tij, ushtria serbe “ka informacione” se dronët janë vërejtur jo vetëm në rrethin e Rashkës, por edhe në atë Toplicës dhe Nishavës.

    Megjithatë, ai nuk shpalosi më shumë detaje në lidhje me këto informacione të pretenduara.

    Radio Evropa e Lirë iu drejtua më 1 nëntor Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd për çështjen e gatishmërisë luftarake, por nuk mori përgjigje.

    Këto zhvillime vijnë në kohën kur në Kosovë po zbatohet plani i Qeverisë së vendit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

    Ky plan – në tre faza – filloi të zbatohet nga 1 nëntori dhe do të përfundojë deri më 21 prill, 2023.

    Shumica e serbëve në veri të Kosovës, që kontrollohen në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat që i lëshon shteti i Kosovës.

    Serbët në pjesë të tjera të Kosovës ka kohë që i kanë regjistruar makinat e tyre me targa RKS.

    Çështja e targave të paligjshme shkaktoi tensione në veri, verën e kaluar, kur disa serbë lokalë u rebeluan dhe ngritën barrikada.

    Për të qetësuar situatën, Kosova shtyu vendimin për riregjistrimin e makinave për disa kohë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Tetovari nuk mund të dalë nga pragu i shtëpisë, sulmohet nga qentë endacakë (Video)

    Lajmi i rradhës

    Papa Françesku: Djalli depërton përmes pornografisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë