Plakja e popullsisë dhe emigrimi i të rinjve po shndërrohen në sfidat kryesore të sistemit pensional në Maqedoninë e Veriut. Drejtuesit e Fondit Pensional dhe ekspertët ekonomikë shprehin shqetësim për faktin se çdo vit po zvogëlohet numri i kontribuuesve aktivë, ndërsa rritet numri i pensionistëve – një trend që rrezikon qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit. Sipas drejtorit të Fondit Pensional, Nikola Memov, deficiti në buxhetin e fondit po thellohet prej vitesh për shkak të disa faktorëve: numrit të pamjaftueshëm të të siguruarve në raport me rritjen e pensionistëve, ndarjes së një pjese të kontributeve për shtyllën e dytë, si dhe barrës financiare të sigurimit shëndetësor të pensionistëve.
“Sfida më e madhe është rënia e popullsisë në moshë pune dhe emigrimi, sidomos i të rinjve. Masa themelore për konsolidimin e sistemit është rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Nuk mund të konsolidohet vetëm një segment – sistemi pensional është i ndërlidhur me ekonominë dhe tregun e punës”, tha Memov.
Fondi i ka propozuar Ministrisë së Politikës Sociale disa masa afatshkurtra dhe afatmesme, si mundësinë e pagesës së kontributeve nga persona që nuk janë të punësuar rregullisht, vazhdimin vullnetar të punësimit pas moshës 64 vjeç në sektorin privat, rritjen graduale të kontributit pensional me 0.3% çdo vit deri në vitin 2030, si dhe përfshirjen e pagesave për personat me kontrata shërbimi në sektorin publik.
RRITJA E MOSHËS SË PENSIONIT, DILEMË E HAPUR
Një ndër debatet më të ndjeshme mbetet rritja e moshës së daljes në pension, një çështje që ngre dilema të shumta – nga aspektet shëndetësore e demografike, deri te ndikimi në ekonominë e brendshme. Ekspertët kërkojnë që çdo ndryshim të shqyrtohet përmes një debati gjithëpërfshirës publik, për të shmangur ndikimet sociale.
Sipas përfaqësueses së kompanisë “Sava Pension”, Snezhana Stankoviq, zgjatja e moshës së pensionit nuk është masë e favorshme për Maqedoninë, pasi jetëgjatësia mesatare është ende nën mesataren botërore. “Nëse rritet mosha e pensionit, do të shkurtohet periudha në të cilën qytetarët mund të përfitojnë nga pensioni i tyre. Kjo bie ndesh me qëllimin e sistemit – të sigurojë një pleqëri të qëndrueshme e të dinjitetshme”, tha ajo.
PLAKJA DHE EMIGRIMI, RREZIKU KRYESOR
Sipas të dhënave të fundit demografike, në vitin 2025 – Maqedonia e Veriut ka rreth 1.8 milion banorë, ndërsa deri në vitin 2050 pritet që ky numër të bjerë në 1.5 milion. Kjo do të thotë më pak kontribuues dhe më shumë pensionistë, çka sipas ekspertëve, “trazon ekuilibrin e shtyllës së parë” dhe nënvizon nevojën për forcimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve private.
Sipas studimeve ndërkombëtare, për një pension të qëndrueshëm që siguron standard të mirë jetese, individët duhet të kursejnë 7 deri në 10% të të ardhurave bruto gjatë gjithë jetës së punës. “Kjo nënkupton rritjen e pjesëmarrjes në fondet e detyrueshme ose shtimin e pagesave në fondet vullnetare private”, vlerëson Vesna Stojanovska nga “KB Prvo Penzisko Drushtvo”.
SHTETI PAGUAN GJITHNJË E MË SHUMË
Vetëm gjatë vitit të kaluar, numri i pensionistëve arriti në 340 mijë, ndërsa shteti ndau 180 milionë euro shtesë për rritjen e pensioneve në vitin 2024. Fondi Pensional mbulon vetëm një pjesë të pagesave me të ardhurat nga kontributet, ndërsa mbi një të tretën – rreth 600 milionë euro – sigurohen direkt nga buxheti i shtetit. Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa për rritjen e punësimit, përmirësimin e lindshmërisë dhe frenimin e emigrimit të të rinjve, sistemi pensional do të përballet me presione të forta financiare në dekadat e ardhshme. /Koha/






