ShBA-ja akuzon Kinën se nuk po respekton zotimet për tregti të lirë

    Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se nuk po i përmbushë zotimet ndaj Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) dhe tha se po shikonte për rrugë të reja për t’iu kundërvënë praktikave agresive tregtare të Kinës.

    Në raportin vjetor lidhur me përmbushjen e kritereve të Kinës ndaj OBT-së, Zyra për Përfaqësimin Tregtar e SHBA-së tha të mërkurën se Kina nuk po i përmbahet premtimit që të mbajë tregjet e saj të hapura për konkurrencën e huaj. Këtë zotim, Kina e kishte bërë kur iu bashkua kësaj agjencie më 2001.

    “Përkundrazi, Kina ka zgjeruar qasjen e saj shtetërore për ekonomi dhe treg të mbyllur”, tha përfaqësuesja e SHBA-së, Katherine Tai.

    “Politikat dhe praktikat e Kinës sfidojnë rregullat e OBT-së dhe shkaktojnë dëm të madh te punëtorët dhe bizneset në mbarë botën”, tha Tai nga Zyra e SHBA-së për Tregti.

    SHBA-ja ka ripërsëritur akuzat se Kina përdorë rregulla që favorizojnë kompanitë e saj në kurriz të kompanive të huaja, i mbushë tregjet me hekur të lirë, alumin dhe produkte të tjera dhe detyron kompanitë amerikane dhe të huaja që të shesin teknologji të shtrenjtë me çmime të tregut kinez.

    SHBA-ja tha se do të vazhdojë të bisedojë me Kinën, që Pekini t’i përmbahet rregullave ekonomike. Po ashtu, Uashingtoni tha se po punon me aleatët dhe me OBT-në, që t’i bëhet presion Qeverisë kineze.

    Për shkak të ankesave të ngjashme, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishte vendosur tarifa prej 360 miliardë dollarësh ndaj importeve kineze dhe këto tarifa ende janë në fuqi edhe në administratën e presidentit, Joe Biden. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Ukraina kërkon nga OKB-ja të diskutojë për rezolutën ruse lidhur me Donbasin

    Lajmi i rradhës

    Escobar: Nga Kosova presim angazhim në dialog dhe kompromis

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë