ShBA-ja mbështet Lituaninë dhe angazhimin e saj në NATO pas kërcënimit nga Rusia

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë të martën se qëndrojnë të palëkundur krah angazhimeve të Lituanisë dhe NATO-s për ta mbrojtur shtetin baltik pasi Rusia paralajmëroi fqinjin e saj mbi bllokimin e transitit hekurudhor.

    “Ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë të NATO-s dhe qëndrojmë pranë Lituanisë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Ned Price.

    “Më specifikisht ndaj angazhimit tonë të nenit pesë të NATO-s — premisa se një sulm ndaj njërit shtet anëtar do të përbënte një sulm ndaj të gjithëve — ky angazhim nga ana e Shteteve të Bashkuara është i hekurt,” tha ai.

    Lituania, një ish-republikë sovjetike, anëtare si në NATO ashtu edhe në Bashkimin Evropian, ka qenë ndër vendet më të zëshme në kundërshtimin e pushtimit rus të Ukrainës.

    Lituania tha se do të kufizonte transitin hekurudhor të mallrave që bëjnë pjesë në listën e sanksioneve nga BE-ja në Kaliningrad, një enklavë e izoluar ruse në Detin Baltik, e cila ndodhet midis Lituanisë dhe Polonisë.

    Rusia paralajmëroi se “me siguri do t’i përgjigjet” “veprimeve armiqësore”.

    Price tha se Shtetet e Bashkuara mirëpritën “masat e paprecedentë ekonomike” të marra nga Lituania dhe vendet e tjera kundër Rusisë për pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës.

    I pyetur në lidhje me deklaratat e Rusisë, Price tha: “Ne nuk do të spekulojmë për sulmet ruse ose kërcënimet ruse dhe as nuk duam t’i japim kohë diskutimi kësaj teme.” /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Mendimi im, jam unë…”

    Lajmi i rradhës

    Popetrevski: Dashtë Zoti të fillojmë negociatat shpejt, por kjo disi humbi çdo kuptim duke pritur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë