ShBA: jemi të shqetësuar që Izraeli e ndaloi agjencinë e OKB-së për palestinezët

    Ushtarët izraelitë duke kaluar pranë selisë së UNRWA-s në Rripin e Gazës. / Fotografia: AFP

    Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” nga një legjislacion që e miratoi Parlamenti i Izraelit për ta ndaluar, agjencinë kryesore të OKB-së, UNRWA, që u sjell ndihma palestinezëve në Rripin e Gazës dhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme, përfshirë Izraelin.

    Duke reaguar ndaj vendimit që e ndalon punën e UNRWA-së në Izrael dhe çdo kontakt mes autoriteteve izraelite dhe këtij grupi të OKB-së, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Uashingtoni i ka bërë të qarta shqetësimet e veta dhe se e kundërshton këtë legjislacion.

    “Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga ky legjislacion. Ai mund ta ndalë punën e UNRWA-së në Bregun Perëndimor, në Gazë dhe në Jerusalemin lindor”, tha ai më 29 tetor.

    “Kjo përbën rrezik për miliona palestinezë, të cilët varen nga UNRWA-ja për shërbime thelbësore, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe arsimim fillor dhe të mesëm”, tha Miller.

    Ai theksoi se UNRWA-ja luan rol vendimtar në ofrimin e shërbimeve për palestinezët.

    Ky legjislacion u aprovua nga Parlamenti i Izraelit më 28 tetor dhe do të hyjë në fuqi brenda 90 ditësh.

    Palestinezët në Rripin e Gazës janë goditur rëndë nga shpërthimi i luftës me Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Lufta u shkaktua kur luftëtarët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.

    Hakmarrja e Izraeli e ka shkatërruar Gazën, si dhe i ka vrarë mbi 43.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

    UNRWA-ja ka paralajmëruar disa herë se Gaza është buzë krizës humanitare për shkak të luftës.

    Ligjvënësit izraelitë që e miratuan ligjin për ndalimin e UNRWA-së, thanë se disa punëtorë të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit.

    OKB-ja tha në gusht se nëntë pjesëtarë të stafit të UNRWA-së u shkarkuan për shkak se dyshohet se mund të jenë përfshirë në sulmin e 7 tetorit.

    Legjislacioni ka gjasë ta bëjë të pamundur punën e agjencisë në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, i cili është i uzurpuar nga Izraeli. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Të gjitha traumat ndikojnë në trup

    Lajmi i rradhës

    Për diktatorët dhe kompleksin e autoritetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë