Shefja e UNMIK-ut bën thirrje për angazhim konstruktiv në dialog

    Udhëheqjësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, u ka bërë thirrje të mërkurën Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Deklaratat e saj vijnë një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

    Të dy liderët do të zhvillojnë edhe takime të ndara me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në pasditen e 17 gushtit.

    “Është tejet e rëndësishme që të promovohet një klimë e favorshme për dialog të mirëfilltë. Palët duhet të punojnë me mirëbesim për të adresuar çështjet e pazgjidhura, duke kapitalizuar angazhimin e 11 vjetëve të fundit dhe duke siguruar që të ndërtohet mbi të arriturat me mund në dialogun e lehtësuar nga BE-ja,” ka thënë Ziadeh sipas një komunikate të lëshuar për media.

    Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq negociojnë në Bruksel.

    Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

    Ata janë ftuar në dialog pas tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik.

    Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për zbatim të vendimit për targat dhe dokumentet serbe nga 1 gushti.

    Sipas vendimit të Qeverisë, pronarët e makinave me targa të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga autoritetet serbe – duhet t’i riregjistrojnë ato në RKS.

    Po ashtu, të gjithë shtetasit serbë, do të duhet të pajisjen me një dokument për hyrje/dalje në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

    Serbia e ka zbatuar menjëherë.

    Kosova e ka zbatuar për pak orë më 1 gusht, pasi e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

    Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve.

    Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Personat me nevoja të veçanta paralajmërojnë protesta para Komunës së Çairit

    Lajmi i rradhës

    Organizata Ndërkombëtare e Punës: Mbi 70 milionë të rinj në mbarë botën janë ende të papunë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë