Në Fondin për Sigurim Shëndetësor janë të regjistruar më shumë të siguruar sesa qytetarë që jetojnë në vend. Këtë e bëri të ditur drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, duke theksuar se numri i të siguruarve nuk përputhet dhe është më i lartë se numri i banorëve sipas regjistrimit të fundit. Për këtë arsye, Fondi do të kërkojë nga qeveria që t’i rishqyrtojë shifrat, ndërsa në pyetjen nëse kjo do të thotë se qytetarë nga vende të tjera po përfitojnë sigurim shëndetësor nga Maqedonia, Klekovski thotë se nuk është kështu dhe se, sipas tij, me shumë gjasë bëhet fjalë për shtetas që jetojnë jashtë vendit.
“Ne kemi ngritur iniciativë përpara qeverisë që të rishqyrtohen kriteret dhe mënyra e regjistrimit, dhe kjo është çështje ndërsektoriale që do të zgjasë, sepse në Maqedoni, sipas regjistrimit të fundit, ka më pak banorë sesa që aktualisht ka të siguruar shëndetësorë. Mendoj se më së shumti bëhet fjalë për qytetarë maqedonas që jetojnë jashtë vendit, por nuk janë çregjistruar në Maqedoni dhe vazhdojnë, mbi një bazë apo një tjetër, të kenë sigurim shëndetësor”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i FSSH-së.
Përveç çështjes me numrin e të siguruarve, Fondi do të iniciojë edhe ndryshime në Ligjin për kujdesin shëndetësor me qëllim që të përmirësohet sistemi i kontrollit gjatë lëshimit të pushimeve mjekësore dhe që ato të jepen vetëm për pacientët të cilëve me të vërtetë u nevojiten. Rritja e numrit të kërkesave për kontrolle, sipas Klekovskit, vjen si pasojë e faktit që në institucionet e sektorit publik ka një numër të konsiderueshëm të punësuarish që janë në pushim mjekësor.
“Në sistemin shëndetësor kemi klinika ku 20 për qind e të punësuarve janë në pushim mjekësor, ndërsa problem të veçantë kemi me pushimet mjekësore në polici, doganë dhe mbrojtje. Në thelb, tashmë fizikisht nuk kemi kapacitet të përgjigjemi ndaj të gjitha kërkesave për kontroll të pushimeve mjekësore, prandaj po mendojmë si të propozojmë ndryshime për të përmirësuar sistemin e kontrollit të pushimeve mjekësore”, u shpreh Sasho Klekovski – Drejtor i FSSH-së.
Drejtuesit e Fondit për Sigurim Shëndetësor në një vjetorin e punës nga emërimi përmendën zgjerimin e Listës Pozitive të barnave, rritjen e pagave në sektorin shëndetësor; përmirësimin e shërbimeve shëndetësore; financimin më të mirë të kujdesit shëndetësor primar si dhe rritjen e efikasitetit dhe transformimin digjital të Fondit. /Alsat/