Forcat ruse po rrisin përpjekjet për sulm drejt Kievit

    Kievi ka nisur 12 marsin me raportimet për luftime në pjesën veriperëndimore, teksa Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se forcat tokësore ruse tani janë 25 kilometra larg qendrës së kryeqytetit ukrainas.

    Tanket dhe artileria kanë nisur sulmet në zonat tashmë të rrethuara.

    Sirenat janë dëgjuar në disa qytete të Ukrainës në orët e para të 12 marsit, bashkë me thirrjet që njerëzit të gjejnë streha të sigurta, sipas mediave lokale.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina “veçse ka arritur në një pikë kthese strategjike”.

    ”Është e pamundshme të themi edhe sa ditë na kanë mbetur për të çliruar tokën ukrainase. Mirëpo mund të themi se do ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë Zelensky në një video-adresim, teksa pushtimi rus ka hyrë në javën e tretë.

    Forcat ruse kanë bombarduar një xhami në qytetin Mariupol, ku janë strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë shtetas turq, ka thënë Ministria e Jashtme ukrainase.

    Ministria ka thënë se xhamia Sulltan Sylejmani i Madhërishëm në Mariupol është bombarduar nga “pushtuesit” rusë.

    Në qytetin jugor, Mariupol, sulmet e pandërprera kanë penguar tentimet e vazhdueshme për të dërguar ushqim dhe ujë, si dhe për të evakuuar civilët e bllokuar.

    Sipas zyrtarëve të qytetit, në 12 ditët e sulmit, në Mariupol kanë vdekur 1,500 njerëz.

    Sipas kryetarit të qytetit, bombardimet kanë detyruar ekipet që të mos gërmojnë për varreza masive, andaj “të vdekurit as nuk janë duke u varrosur”.

    Një sulm vdekjeprurës në një spital materniteti në këtë qytet, gjatë kësaj jave, ka nxitur zemërim ndërkombëtar dhe sugjerime për krime të luftës.

    Pasojat e sulmit rus ndaj spitalit të lindjes në Mariupol
    FotogaleriPasojat e sulmit rus ndaj spitalit të lindjes në Mariupol

    Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë se ka dëmtuar një spital për trajtim të kancerit dhe disa ndërtesa të banimit në qytetin Mikollaiv.

    Udhëheqësi i spitalit, Maksim Beznosenko, ka thënë se qindra pacientë kanë qenë në objekt kur kanë ndodhur sulmet, mirëpo asnjëri nuk ka vdekur.

    Sulmet kanë dëmtuar ndërtesën dhe kanë thyer dritaret.

    Forcat ruse kanë rritur sulmet në Mikollaiv, qytet rreth 470 kilometra në jug të Kievit, në tentim e sipër për ta rrethuar qytetin.

    Konflikti ka nxitur mbi 2.5 milionë refugjatë që të largohen nga shteti.

    Forcat e Kremlinit janë duke tentuar të rigrupohen dhe të rikthejnë momentumin, pas rezistencës së ashpër në dy javët e fundit.

    Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë më 11 mars se Rusia është duke tentuar të “ripozicionojë” trupat e veta, në përgatitje e sipër për të nisur sulmet kundër Kievit.

    Më 12 mars është thënë se përveç Kievit, luftimet janë duke vazhduar edhe në qytetet e rrethuara si Harkiv, Çernihiv, Sumi dhe Mariupol.

    Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes, ka thënë në kushte anonimiteti se rusët janë duke avancuar në verilindje të Kievit.

    Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

    Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Rritet qarkullimi në industrinë e RMV-së

    Lajmi i rradhës

    Prej nesër çmime të reja të derivateve të naftës në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë