Sikurse shumë ndërmarrje publike komunale edhe Ndërmarrja Publike Komunale “Komunalec” në Gostivar përballet me probleme gjatë pagesës së rregullt të faturave të ujit dhe mbeturinave. Nga kjo ndërmarrje njoftojnë se tashmë ka filluar fushata për lehtësimin e pagesës së faturave të papaguara për shërbimet komunale. Sipas autoriteteve të kësaj ndërmarrje, afati i fundit për shlyerjen e borxhit është 10 prilli. “Ftojmë të gjithë përdoruesit, si amvisëritë ashtu edhe subjektet afariste që kanë detyrime të prapambetura të shlyejnë borxhet e tyre. Për këtë qëllim ofrohet mundësia e pagesës me këste, në përputhje me procedurat dhe kushtet e përcaktuara nga ndërmarrja. Afati përfundimtar për dorëzimin e kërkesës për rregullimin e borxhit përmes pagesës me këste është më 10 prill”, thuhet në njoftimin e Ndërmarrja Publike Komunale “Komunalec” në Gostivar.
Ndërkohë, ndaj atyre që do të vazhdojnë të neglizhojnë thirrjet për pagesë të borxhit do të iniciohen edhe procedura përmbaruese. Poashtu, qytetarëve u ofrohet mundësi që borxhin ta shlyejnë edhe me këste. “Pas përfundimit të këtij afati do të ndërmerren masa përkatëse ndaj të gjithë përdoruesve që nuk i kanë përmbushur detyrimet, duke përfshirë edhe inicimin e procedurave përmbarimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për informata shtesë dhe për marrëveshje për pagesë me këste, përdoruesit mund të drejtohen në zyrat e ndërmarrjes”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale – Komunalec.
Ndërmarrja tashmë ka vendosur edhe sistem online të pagesës së faturave për të lehtësuar mënyrën e pagesës. Ndërkaq, nënvizohet se pagesa e rregullt mundëson ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe për mirëmbajtjen e rregullt të pastërtisë në qytet. “Rikujtojmë të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve tona se ofrojmë mundësinë për pagesë elektronike përmes aplikacionit tonë zyrtar, i cili është në dispozicion si për platformat Android, ashtu edhe për iOS. Shërbimi i pagesës elektronike ju mundëson të kontrolloni dhe të paguani faturat tuaja në mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme, në çdo kohë dhe nga çdo vend, pa pasur nevojë të vizitoni zyrat tona. Theksojmë rëndësinë e pagesës me kohë të faturave, gjë që siguron shërbime komunale të pandërprera dhe kontribuon në funksionimin efikas të ndërmarrjes sonë. Kontributi juaj është thelbësor për realizimin e riparimeve, parandalimin e defekteve dhe investimet në modernizimin e infrastrukturës – për të mirën e qytetarëve”, apeluan nga Ndërmarrja Publike Komunale -Komunalec.
Nga kjo ndërmarrje nënvizojnë se defektet në rrjetin e ujësjellësit janë të shpeshta dhe kanë kosto të lartë të riparimit, prandaj kërkohet nga qytetarët që të jenë më të rregullt për të shlyer borxhet ndaj ndërmarrjes. Përveç kësaj, më tej nga kjo ndërmarrje nënvizojnë se faktin se edhe mbeturinat gjithnjë grumbullohen në kohë dhe pa vonesa pavarësisht kushteve klimatike, prandaj edhe qytetarët duhet të mos neglizhojnë pagesat e faturave. /Koha/






