KËSHILLI I NDERIT PRANË SHOQATËS SË GAZETARËVE TË MAQEDONISË, ShGM, në seancën e mbajtur më 20.04.2023, duke vepruar pas parashtresës së dorëzuar nga Ardit Ramadani, gazetar i TV Alsat M, kundër Liridona Vejselit nga portali “Pa Censurë”, e solli këtë VENDIM:
- PARASHTRESA E ARDIT RAMADANIT PRANOHET DHE KONSTATOHET SHKELJE E PORTALIT “PA CENSURË”.
ARSYETIM
Ardit Ramadani nga TV Alsat-M, dorëzoi parashtresë kundër raportimit të gazetares Liridona Vejseli nga portali në gjuhën shqipe “Pa Censurë”, në të cilin ka vendosur një raportim për zhdukjen e dy vajzave të mitura në Shkup. Në tekst gazetarja mes arsyeve të arratisjes së fëmijëve ka shkruar edhe faktin se ata para dy javësh i kanë zbuluar “ndjenjat e ndërsjella para drejtorisë së shkollës”. Sipas parashtruesit është aluduar në orientimin seksual të vajzave gjë që është shkelje e dinjitetit të tyre.
Njëkohësisht, ishin publikuar edhe fotografi të vajzave, si nga portali ashtu edhe në profilin e Fejsbukut të gazetares.
Këshilli i Nderit konstaton se Kodeksi i Gazetarëve të Maqedonisë në nenin 9 ndalon: gazetari të fotografojë apo intervistojë fëmijë nën moshën 16 vjeçare, pa lejen e prindërit apo kujdestarit, përveç nëse kjo ka të bëjë me të drejtat e fëmijës.
Neni 7 nga ana tjetër e rregullon faktin se gazetari do ta respektojë privatësinë e personit.
Në rastin konkret, Këshilli i Nderit ka konstatuar se janë publikuar fotografi të fëmijëve në të cilat nuk është vendosur asnjë mbrojtje, ndërsa me tekstin, edhe pse në mënyrë eksplicite nuk është folur për orientimin e tyre seksual, siç ka theksuar parashtruesi, ka ndërhyrje në arsyet spekuluese që nuk mund të bien në kategorinë e “interesit publik” apo “të drejtave të fëmijëve”, prandaj, parashtresa është e BAZUAR.
Këshilli i Nderit konstatoi se njoftimi i i publikuar më vonë ishte larguar, por kujton se gazetarët duhet të jenë të vëmendshëm kur raportojnë për tema të ndjeshme, pasi që dëmin që mund ta shkaktojnë me informacionet e publikuara mund të jetë shumë i madh.
Privatësia e personave dhe ndjenjave të tyre (pavarësisht nëse janë fetare, religjioze, të dashurisë) nuk janë lëndë e interesit publik dhe ato nuk duhet të sillen në korrelacion me një ngjarje si kjo, zhdukje, nëse nuk ka prova të forta për një gjë të tillë. /Nistori/
