SHKELJA E KONTRATAVE NË RMV | Dëmet me miliona euro, faji i askujt!

    Maqedonia e Veriut në periudhën e kaluar ka regjistruar më shumë raste kur shteti paguan apo duhet të paguajë dëmshpërblime të vlefshme me miliona ero për marrëveshjet jo të favorshme. Marrëveshjet e tilla e kanë dëmtuar mjaft arkën e shtetit për shkak të shkeljeve të kontratave nga ana e kompetentëve në shtet. Mirëpo ka munguar dhe akoma po mungon edhe përgjegjësia për marrëveshjet e dëmshme në aspektin material për vendin. Ndër rastet e tjera që shteti ka paguar dëmshpërblime të ndryshme për mos realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara por që nuk janë realizuar, është edhe ai kur në vitin 2007 duhej të paguajmë 86 milionë dollarë për obligimet jo të realizuara në periudhën 1999-2007 ndaj kompanisë OKTA apo “Helenik Petroleum” si pronare e rafinerisë së Shkupit. Pas barazimit të obligimeve të ndërsjella dhe në bazë të vendimit të humbur gjyqësor të arbitrazhit, si shtet i paguam kësaj kompanie 40 milionë dollarë.

    Rasti më i ri i dëmshpërblimit të dëmshëm nga Marrëveshja e blerjes së rafinerisë OKTA, është ai i muajit dhjetor të vitit 2022, sipas të cilit shteti tani duhet t’i paguajë 21 milionë euro kompanisë greke “Hellenic Petroleum”, pasi nuk respektoi marrëveshjen e nënshkruar në 1999. Me të, vendi mori përsipër të blinte çdo vit 500 mijë ton mazut nga Greqia, megjithëse nuk kishte nevojë për një sasi të tillë.

    Njëherësh shteti duhet të paguajë shumën prej 8.5 milionë euro për mos ndërtimit e qendrës klinike ”Nëna Terezë”, në Shkup. Kontrata për ndërtimin të qendrës së re klinike ishte e vlefshme 72 milionë euro dhe u nënshkrua në vitin 2017, nga ekzekutivi i mëparshëm, ndërsa qeveria e re e shkëputi kontratën dhe paralajmëroi se do të ndërtojë qendër të re klinike me një vlerë prej 500 milionë euro. Opsion tjetër për zgjidhjen e kontestit për Ministrinë e Shëndetësisë mbetet edhe Gjykata e Arbitrazhit në Paris. Nga Komisioni Anti Korrupsion thonë se për harxhimet e tilla të mëdha, nevojitet edhe të bartet përgjegjësi.

    “Për zbatimin e marrëveshjes mban përgjegjësi edhe personi që nënshkruan kontratën, si dhe në rast se nuk zbatohet dhe bëhen kosto shtesë për shtetin. Pra përgjegjësia dhe llogaridhënia e nënshkruesve përgjegjës të kontratave është e nevojshme. Në të kundërtën, rreziqet e korrupsionit janë shumë të mëdha, sepse nëse nuk ka shkak të arsyeshëm për mos zbatimin e një marrëveshjeje, mbetet dyshimi se i tillë ka qenë qëllimi”, thotë numri i një i Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska.

    Një rast tjetër i kërkesës së dëmshpërblimit është edhe i kompanisë spanjolle “Rubau Konstruksiones”, që kërkon 10 milionë euro për marrëveshjen e shkëputur.

    Nga Kompania shtetërore e rrugëve thonë se ajo kishte realizuar vetëm 35 për qind të asaj që ishte paraparë në kontratë. Bile shtojnë se edhe më parë ka pasur probleme me këtë kompani.

    Kompania para katër vitesh kishte ndërprerë kontratën me Ndërmarrjen e shtetit të rrugëve për ndërtimin e seksionit prej 10 kilometra nga Farishi deri në Drenovë, për shkak se nuk është paguar fatura e fundit dhe kërkojnë dëmshpërblim prej 10 milionë dollarësh, nga Arbitrazhi në Zagreb. Mirëpo vlerësohet se pretendimet tyre janë të pabaza dhe Maqedonia e Veriut do të paraqesë argumente të forta në arbitrazh.

    “Askund në botë nuk ka kërkesë për ndërprerje për shkak të mos pagesës së faturës së fundit, por kjo është çështje arbitrazhi. Do të vërtetohet. Kemi kërkuar zgjidhjen e kontratës me diçka që mban ose thënë ndryshe ‘pi ujë’ për shkak të mos dorëzimit të programit të punës për 3 muaj. Kjo është një kërkesë dhe për shkak të largimit nga një kantier”, thonë nga ndërmarrja e rrugëve.

    Një rast tjetër i kontestit vjen edhe nga shkëputja e marrëveshjes për xeheroren në afërsi të Strumicës.

    Së fundmi, Gjykata e Lartë Administrative rrëzoi vendimin e Gjykatës Administrative për marrjen përfundimtare të koncesionit të “Euromax Resources” për shfrytëzimin e minierës “Ilovica-Stuka” , ndërsa pas ankimimit të kompanisë e ktheu çështjen për rigjykim.

    Ky është rikthimi i dytë në fillimin e procesit të Gjykatës së Lartë Administrative për çështjen e minierës së bakrit dhe arit. Kohë më parë, ish-zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev tha se Maqedonia ka marrë 3 milionë dollarë si kompensim nga arbitrazhi që shteti ka fituar ndaj ish-pronarëve të fabrikës “Feni Industry”, e cila iu shit një kompanie të re përmes procedurës së falimentimit.

    “Ata filluan arbitrazhin kundër shtetit në Uashington dhe e humbën atë arbitrazh. Është arbitrazhi i parë që shteti fitoi me sukses dhe jo vetëm e fitoi, por mori edhe dëmshpërblim prej tre milionë dollarësh nga pronarët e mëparshëm për proceset gjyqësore, shpifjet, etj“, theksoi Angjushev.

    Gjithashtu në vitin 2021 kemi paguar 6.5 milionë euro dëmshpërblim për mos ndërtimin e një pjese të hekurudhës në drejtim të Bullgarisë në llogari të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim. Kjo shumë është paguar në emër të kamatave dhe harxhimeve për mjetet jo të realizuara të huamarrjes së kontraktuar dhe që nuk është tërhequr të hekurudhës Beljakovcë-Kriva Pallankë. Njëherësh, shteti i kanoset edhe pagesa e dëmshpërblimeve prej 350 mijë euro në vit edhe për mos realizimin e obligimeve ndaj kreditorëve të jashtëm për transportin e shpejtë në Shkup. /koha/

    Lajmi Paraprak

    ShGM reagon për sjelljen e zyrtarëve të MASh-it ndaj gazetares Qerimi

    Lajmi i rradhës

    Ivanovska: Kemi ankesa nga qytetarët për vendimet e gjykatave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë