Shkelje të tjera në UT, ushtruesit e detyrës kurrë nuk shpallën konkurs

    Vendosja e kritereve shtesë dhe favorizuese për kandidat të caktuar në konkursin për përzgjedhjen e rektorit të ri të UT-së nuk është shkelja e vetme ligjore apo statutore e Universitetit të Tetovës. Siç mëson ALSAT, ligjërisht ky konkurs është dashur të përfundojë dy vite më herët, por vazhdimisht është prolonguar në kundërshtim me dispozitat ligjore, sipas të cilave ushtruesi i detyrës së rektorit duhet në afat prej 30 ditësh nga zgjedhja e tij të iniciojë procedurë për zgjedhje të rektorit ndërsa universiteti nuk guxon të ngelet me ushtrues detyre për më shumë se 6 muaj.

    Neni 100 i Ligjit të Arsimit të Lartë
    “Më së voni 30 ditë nga dita e zgjedhjes së ushtruesit të detyrës rektor nga paragrafi (2) i këtij neni, ngrihet procedura për zgjedhjen e rektorit”.

    Megjithatë konkursi në vitin 2021 nuk u shpall dhe UT-ja ngeli pa rektor. Reshat Qaili u caktua ushtrues i detyrës së rektorit. Edhe pse ligji e thotë qartë, Qaili për gjashtë muaj në këtë pozitë nuk shpalli konkurs për rektor. Pas tij, ushtrues i detyrës së rektorit në Maj të vitit 2022 u zgjodh ish-rektori Vullnet Ameti, i cili gjithashtu nuk nisi procedurë për zgjedhjen e rektorit. Në fund, në nëntor të vitit 2022 në këtë pozitë u zgjodh ushtruesi aktual i detyrës së rektorit, Kushtrim Ahmeti i cili po ashtu nuk veproi në përputhje me ligjin dhe nuk e publikoi shpalljen për rektor në afat prej 30 ditësh.

    Neni 100 i Ligjit të Arsimit të Lartë
    “Në rastet e ndërprerjes së mandatit të rektorit nga paragrafi (1) i këtij neni, deri në
    zgjedhjen e rektorit të ri, Senati zgjedh për ushtrues detyre rektor një nga prorektorët e
    universitetit për periudhë maksimale prej më së shumti gjashtë muaj”.

    Në qoftë se këto shkelje konstatohen edhe nga Inspektorati i Arsimit, të gjitha vendimet e marra nga ushtruesit e detyrës-rektorë si dhe vendimet e Senatit të UT-së nga dhjetori i vitit 2021, mund të shpallen si të pavlefshme, në mesin e tyre edhe konkursi aktual për zgjedhjen e rektorit.

    Siç mësojmë, Inspektorati i Arsimit të Premten ka shkuar në Universitetin e Tetovës për të hetuar parregullsitë dhe në mesin e ankesave, ka edhe elemente të kryerjes potenciale të veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

    Nëse këto shkelje konstatohen zyrtarisht, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ka të drejtë të anulojë konkursin dhe vendimin ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Petkoviq dënon betimin e kryetarëve të rinj në veri të Kosovës

    Lajmi i rradhës

    NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Kovaçevski: Akuzat e Mickoskit janë nebulozë dhe mashtrim i publikut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë