Shkeljet nuk cenojnë sigurinë ushqimore  

    Konsumatorët në Maqedoni konsumojnë produkte ushqimore që përmbushin cilësisht kërkesat ligjore të sigurisë së ushqim. Kjo mbështetet edhe nga rezultatet e kontrolleve zyrtare të ushqimit. Në betejën e vazhdueshme për të përmbushur objektivin madhor, garantimin e sigurisë së ushqimit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në vazhdimësi po kryen monitorime dhe po asgjëson edhe ushqimin që nuk është i sigurt për konsum.

    E drejta për ushqim përbën nevojë jetike për njeriun, por garantimi i saj nuk mund të nënkuptohet pa cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore që konsumojmë, ose thënë ndryshe, siguria ushqimore.

    Nëse në vendet e zhvilluara të botës, ditët e sotme po punohet me ritme të intensifikuara drejt garantimit të produkteve ushqimore të shëndetshme, në shumicën e vendeve në zhvillim, përfshi Maqedoninë, siguria e ushqimit mbetet sfidë dhe beteja me të kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjitha palëve të interesuara. Garantimi i sigurisë ushqimore është një proces kompleks, përmbushja e të cilit realizohet nëpërmjet qasjes së integruar, e cila përfshin kontrollin e kultivimit, përpunimit, prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore.

    Në ndërkohë Salçiçe, lëngje për fëmijë, fiq të thatë, akullore, xhenxhefil pluhur, gjalpë, ujë mineral me suplemente dhe aditivë për industrinë e bukës, janë vetëm disa nga produktet që vitin e kaluar u tërhoqën nga tregu vendas si të pasigurta.

    Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, vetëm në janar të këtij viti, asnjë ushqim i importuar nuk është asgjësuar apo kthyer për shkak të kushteve jo të sigurta. Janë kryer 4808 kontrolle, nga të cilat 2 474 të rregullta, 306 kontrolle dhe 2028 të jashtëzakonshme, janë kontrolluar 3269 dërgesa me ushqime të importuara me origjinë jo shtazore. Janë shqiptuar gjithsej 369 masa inspektuese, nga të cilat tre janë kallëzime kundërvajtëse, 312 vendime, 27 edukata dhe po aq ftesa për pajtim me urdhërpagesë për kundërvajtje. Janë kryer edhe 1094 kontrolle për dërgesat e importit dhe 322 për dërgesat transit vetëm në muajin e parë të vitit.

    Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se qytetarët e Maqedonisë konsumojnë ushqime të testuara dhe të sigurta, duke shtuar se ushqimi që është në qarkullim është e sigurt për t’u ngrënë.

    Procedurat parashikojnë se nëse konstatohet një problem për një dërgesë, kompania importuese ka të drejtën e një kontrolli të dytë, si dhe të një të tretë – superkontrollit. Edhe pse rrallë, nga Agjencia pranojnë se ndodh që rezultatet të jenë të kundërta me ato zyrtare dhe kjo kryesisht kur bëhet fjalë për ndotjen me pesticide, të cilat kanë afatin e tyre të karencës apo përdorimit të fundit të plehrave dhe deri në korrjen e parë pas së cilës ulet koncentrimi i tyre. Domethënë, pas një periudhe të caktuar kohe, përqendrimi i tyre ulet, kështu që deri në përfundimin e të gjitha analizave, i fundit mund të tregojë se ato janë bërë të sigurta për t’u ngrënë. Autoritetet sigurojnë se qytetarët duhet të jenë të sigurt se konsumojnë produkte ushqimore që përmbushin cilësisht kërkesat ligjore të sigurisë së ushqimit, edhe pse, shtojnë , gjithmonë, për fat të keq, mund të ketë lëshime të mundshme dhe të caktuara.

    Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Nikolçe Babovski pohon se po hamë ushqim të sigurt. Asgjë, thotë ai, nuk i lihet rastësisë. Tregu monitorohet dhe reagohet vazhdimisht sipas standardeve ndërkombëtare. Siç shpjegon Babovski, çdo produkt ushqimor për të cilin nuk ka garanci se i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të sigurisë trajtohet si “i pasigurt” dhe konsiderohet si rrezik potencial për shëndetin e njeriut. “Bazuar në sistemin e integruar të kontrollit të vendosur, ne kryejmë mbikëqyrje të vazhdueshme mbi operatorët e ushqimit njerëzor dhe ushqimit të kafshëve në drejtim të përmbushjes së kushteve të përgjithshme dhe të veçanta për sigurinë, por edhe për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Kontrollet kryhen në të gjitha fazat e prodhimit: përpunim, shpërndarje dhe shitje, si dhe gjatë importit. Çdo produkt ushqimor për të cilin nuk ka garanci se plotëson kushtet e përgjithshme dhe specifike të sigurisë trajtohet si “i pasigurt” dhe konsiderohet si një rrezik potencial për shëndetin e njeriut. Një ushqim i tillë tërhiqet nga tregu nga vetë operatorët, por edhe me urdhër dhe mbikëqyrje të shërbimeve të inspektimit dhe zakonisht asgjësohet në mënyrë të padëmshme. Kjo vlen edhe për ushqimin për kafshët”, thotë Babovski.

    Siç thekson ai, edhe pse nga institucionet dhe operatorët e tregut bëhen të gjitha përpjekjet për të tregtuar ushqime të sigurta, gjithmonë ekziston mundësia që disa nga parametrat e përcaktuar të sigurisë të mos plotësohen, pra të shkelen. Në raste të tilla, edhe kur ka dyshime se ushqimi për njerëzit apo ushqimi për kafshët është i pasigurt, merren masa për mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të drejtave të konsumatorëve nga vetë operatorët e ushqimit dhe nga Agjencia.

    “Nëse bëhet fjalë për ushqim të importuar me pëlqim nga shërbimet kompetente të kontrollit të sigurisë ushqimore, ushqimi i pasigurt mund t’i kthehet operatorit në vendin eksportues. Vetë operatorët janë përgjegjës për vendosjen e ushqimit të sigurt në tregun vendas, i cili plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta ligjore të përcaktuara për sigurinë. Nëse ata konsiderojnë ose kanë arsye të besojnë se ushqimi që është importuar, prodhuar, përpunuar, përpunuar ose shpërndarë nuk përputhet me kërkesat e sigurisë, ata duhet të fillojnë një procedurë të menjëhershme për tërheqjen e tij nga qarkullimi, dhe në rast se ushqimi ka kaluar kontrollin e menjëhershëm të operatorit ushqimor, për të informuar Agjencinë për këtë. Në rast se produkti ka arritur te konsumatori, operatori duhet të informojë në mënyrë efektive dhe të saktë konsumatorët për arsyen e tërheqjes së ushqimit dhe, nëse është e nevojshme, të tërheqë ushqimin e furnizuar tashmë për konsumatorët, në rast se masat e tjera nuk janë të mjaftueshme në mënyrë që të arrihet një shkallë e lartë e mbrojtjes së shëndetit të njeriut”, shpjegon Babovski.

    Njëherësh operatori i ushqimit përgjegjës për shitjen me pakicë dhe shpërndarjen duhet të ketë informacionin përkatës të ndjekjes së ushqimit.

    Operatori duhet të dijë se ku është vendosur ushqimi dhe duhet të informojë menjëherë agjencinë nëse ai merr ose ka një rezultat laboratorik të mospërputhjes me kërkesat e sigurisë ushqimore ose konsideron ose ka arsye të besojë se ushqimi që është vendosur në treg mund të jetë i dëmshëm për shëndetin e njerëzve, si dhe të informojë për veprimet e ndërmarra për parandalimin e rrezikut për konsumatorin fundor. Ushqimi tërhiqet edhe në rast dyshimi apo helmimi nga ushqimi. Në këto raste, kur inspektorët e Agjencisë së Ushqimeve veprojnë dhe bashkëpunojnë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor e Sanitar, dhe nëse është e nevojshme me autoritetet e tjera shtetërore, kontrollet zyrtare, mënyra e kryerjes së hetimeve epidemiologjike të sëmundjeve që vijnë nga ushqimi dhe masat që janë të marra në rast dyshimi dhe konstatimi pozitiv të sëmundjeve të transmetueshme nga ushqimi dhe kërkesat dhe kushtet e përgjithshme dhe të veçanta që operatorët e ushqimit duhet të plotësojnë për të parandaluar dhe eliminuar shfaqjen e sëmundjeve ushqimore, kryhen sipas procedurave dhe protokolleve të përcaktuara saktë, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

    Ndryshe, në vitin 2023 janë kryer gjithsej 56.951 monitorime inspektuese dhe janë shqiptuar 5.642 masa, 11 kallëzime penale dhe 59 kallëzime kundërvajtëse. Janë anuluar 147.415 kilogramë ushqime, 38.719 nga inspektorët dhe 108 696 kilogramë nga operatorët. Janë asgjësuar edhe tre ngarkesa të importuara me produkte jo shtazore me “peshë” 38.636 kilogramë. Janë ndaluar 14 dërgesa me ushqime me origjinë shtazore me një sasi prej 216.979 kilogramësh dhe janë asgjësuar tre “të rënda” 4783 kilogramë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Si të mbrohemi nga sulmet kibernetike!

    Lajmi i rradhës

    Si ndikojnë multivitaminat tek demenca

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë