Shkolla armene që kultivon dhe shet ushqimin e saj

    Kur një nxënës nuk u paraqit në klasë një ditë në fillim të vitit 2012, drejtori i shkollës, Zohrab Maghakian, telefonoi në shtëpinë e djalit për të zbuluar arsyen.

    Prindërit e nxënësit që mungoi i thanë se nuk kishin mundësi t’i blinin uniformë djalit të tyre, prandaj ai qëndroi në shtëpi.

    “U ndjeva tmerrshëm”, rikujtoi Maghakian për telefonatën, të bërë menjëherë pasi ai filloi punën si drejtor i shkollës. “Ishte e pamundur të mos mendoje se një fëmijë nuk ishte në gjendje të vinte në klasë për këtë arsye.”

    Menjëherë pas kësaj, drejtori i ri vendosi ta shndërronte shkollën në një vend i cili mund të mbështeste nxënësit e saj në nevojë, duke u mësuar atyre mësimet e bujqësisë së fshatit.

    Drejtori i shkollës, Zohrab Maghakian, në një klasë për parashkollorët, e cila u pikturua nga mësuesit, prindërit dhe nxënësit.
    Drejtori i shkollës, Zohrab Maghakian, në një klasë për parashkollorët, e cila u pikturua nga mësuesit, prindërit dhe nxënësit.

    Sot, shkolla e mesme H. Navasardian, e cila gjendet rreth një orë larg me makinë në perëndim të Jerevanit, gumëzhin nga aktivitetet midis klasave. Në një dhomë, vajzat dhe mësuesit këndojnë këngë tradicionale ndërsa presin mollët dhe pjeshkët në copa. Ndërsa djemtë i dërgojnë ato në makinat tharëse për t’u ruajtur si fruta të thata për komposto.

    Përjashtë, djemtë përdorin lopata për të kanalizuar ujin nëpër pemët e kumbullave. Shkolla ka gjithashtu pemë kajsie, një serrë me shkurre luleshtrydhesh, patate dhe një vresht të madh. Në një fshat malor aty pranë, zgjoi i bletëve të shkollës shpejt do të kthehet në mjediset e shkollës për dimër.

    Nxënësit bartin tabakatë me rriska pjeshke deri te makinat tharëse në shkollë.
    Nxënësit bartin tabakatë me rriska pjeshke deri te makinat tharëse në shkollë.

    Pjesa më e madhe e vjeljeve vjetore, të cilat përfshijnë tonelata me rrush të freskët, dhjetëra kilogramë mjaltë dhe sasi të mëdha frutash të thata, konsumohen nga studentët. Por, pjesa më e madhe u shitet banorëve lokalë, shumë prej të cilëve i shesin prodhimet në fabrikat e përpunimit të frutave.

    Nga këto të ardhura, shkolla arrin të sigurojë veshje për disa nxënës dhe t’i ushqejë pothuajse që të 250 nxënësit.

    “Në Armeni, drekat në shkollë paguhen nga qeveria deri në klasën e katërt. Këtu, ne jemi në gjendje t’i ushqejmë nxënësit deri në klasën e nëntë”, tha Maghakian, duke vënë në dukje se buxheti i shtetit është vetëm 151 dramë armenë (0.38 dollarë) për shujtën e një nxënësi.

    Shkolla e mesme H. Navasardian në Amberd. Vreshtat e shkollës duken në të djathtë. Luleshtrydhet rriten në serrën në pjesën e sipërme të djathtë, ndërsa pemishte të vogla kultivohen rreth ndërtesës kryesore të shkollës në të majtë.
    Shkolla e mesme H. Navasardian në Amberd. Vreshtat e shkollës duken në të djathtë. Luleshtrydhet rriten në serrën në pjesën e sipërme të djathtë, ndërsa pemishte të vogla kultivohen rreth ndërtesës kryesore të shkollës në të majtë.

    Për nxënësit që kanë nevojë për uniforma , blihen pëlhura të gjata, më pas mësuesit e aftësuar për rrobaqepësi, qepin uniformat e shkollës sipas porosisë. Maghakian pretendon se puna kryhet jashtë orarit të mësimit dhe nuk ndërhyn në procesine rregullt mësimor të nxënësve, por shkolla ka aplikuar që një orë në ditë punë bujqësore të përfshihet në kurrikulën e saj.

    Prodhimi i ushqimit ka vlerën e vet arsimore, thotë Maghakian, sepse jo të gjithë studentët do të përfundojnë në universitet dhe të gjithë shohin rezultatet e prekshme të punës fizike.

    Diana Karapetian (në të djathtë, duke mbajtur një mollë) dhe nxënës të tjerë më të rritur përgatisin që t'i terin mollët e rritura në shkollë.
    Diana Karapetian (në të djathtë, duke mbajtur një mollë) dhe nxënës të tjerë më të rritur përgatisin që t’i terin mollët e rritura në shkollë.

    Nxënësja Diana Karapetian thotë se aftësitë që mësoi në shkollë i kanë mundësuar asaj ta ndihmojë nënën e saj në shtëpi, veçanërisht duke tharë frutat që të qëndrojnë gjatë dimrit.

    “Unë e bëj punën me kënaqësi këtu në shkollë, sepse jemi të gjithë bashkë”, thotë ajo. “Ne jemi të lidhur kështu”.

    Kohët e fundit është dashur të pritet një trung i vjetër plepi në oborrin e shkollës. Me ndihmën e zejtarëve vendas, studentët ishin në gjendje të krijonin një tavolinë të madhe pikniku nga druri i plepit, e cila u shit për 150.000 dram (370 dollarë).

    Komposto e sapobërë nga frutat e rritura në shkollë.
    Komposto e sapobërë nga frutat e rritura në shkollë.

    Maghakian i tha Radios Evropa e Lirë se shkolla e tij ka mbetur kryesisht e paprekur në mënyrë që të zhvillohet modeli i pazakontë i financimit, pa probleme nga burokratët shtetërorë. Ai tha se shpreson që shkollat e tjera do të mund të ndjekin shembullin e Amberdit.

    “Ne shohim se vendi ynë ka probleme serioze. Pse shkollat duhet të shkojnë vazhdimisht dhe të kërkojnë para shtesë nga qeveria? Shkolla jonë ka nevojë për fonde për një mur të ri tani, por ne do të jemi në gjendje t’i mbledhim këto para”, thotë ai.

    “Ne mund ta ndihmojmë vendin tonë duke e ndihmuar veten”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Mbi 420 mijë persona në RMV vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, nuk kanë as terapi të nevojshme

    Lajmi i rradhës

    Gashi: LEN e ka prioritet kryesor luftën kundër korrupsionit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë