Shkollat boshatisen, ndërsa popullata e RMV jashtë vendit po shënon rritje

    Nga viti në vit po rritet numri i fëmijëve nga Maqedonia të lindur jashtë shtetit. Përderisa popullsia brenda vendit po tkurret me ritme të shpejta, popullata e Maqedonisë jashtë vendit ka pësuar lindje të fortë. Gjithashtu po rritet gjithnjë e më shumë numri i fshatrave në vend, ku po vërehen dritat e ndezura natën. Qepenat e ulura nëpër shtëpi dhe oborret bosh po shënojnë një trend në rritje.

    Ndryshe nga regjistrimi i vitit 2002, kur numëroheshin 147 vendbanime bosh, në 20 vjet numri i tyre është rritur në 205. Regjistrimi i fundit i vitit 2022 ka treguar se në vend janë gjithsej 1781 vendbanime dhe 205 janë bosh. Rreth 218 vendbanime kanë më pak se 10 banorë. Në disa rajone dhe komuna, situata është dramatike për shkak të uljes së lindshmërisë së fëmijëve të lindur të gjallë, dhe rritjes së vdekshmërisë. Të rinjtë po largohen, ka fshatra ku prej vitesh nuk ka lindur asnjë fëmijë, ka mungesë nxënësish si në shkollat ​​fillore ashtu edhe në ato të mesme, që mund të çojë në mbylljen e tyre.

    Brenda dekadës së fundit, shkollat fillore në vend kanë humbur rreth 30 mijë nxënës, mbi 22 mijë nxënës më pak në shkollat e mesme dhe mbi 10 mijë studentë më pak. Në reduktimin drastik kanë kontribuar sa migrimi, po aq edhe shifrat gjithnjë e në rënie të lindjeve në dekadat e fundit.

    Mbi 60 komuna në vend kanë humbur një përqindje të madhe të popullsisë së tyre, pjesërisht nga migrimet e brendshme dhe pjesërisht nga migrimet e jashtme. Siç tregon publikimi i Entit Shtetëror të Statistikave për migrimet në vend, numri i fëmijëve të shtetasve të Maqedonisë të lindur jashtë vendit është vazhdimisht në rritje.

    Këto shifra tregojnë se në vitin 2009 gjithsej 3510 fëmijë nga vendi kanë lindur jashtë vendit, ndërsa në vitin 2019 ky numër është 5187, apo është rritur për 47.8 për qind. Analizat e statistikës vendore më tej tregojnë se në të njëjtën kohë, pjesëmarrja e të lindurve jashtë vendit në numrin total të lindjeve në vend nga 14.8 për qind (2009) arriti në më shumë se një të katërtën, ose 26.1 për qind (2019). Në këtë interval kohor jashtë vendit kanë lindur 48.658 fëmijë, që përfaqëson lindshmërinë dyvjeçare të vendit si dhe 19.5 për qind nga numri i përgjithshëm i lindjeve (250.061 fëmijë) në Maqedoninë e Veriut.

    Për sa i përket vendeve pritëse, më shumë se dy të tretat (66-70 për qind ) i takojnë tre vendeve evropiane të pritjes (Zvicër, Itali dhe Gjermani). Megjithatë, duhet pasur parasysh se këto të dhëna nuk nënkuptojnë një mbulim të plotë të fëmijëve të lindur jashtë vendit, pra numri i tyre sipas të gjithë gjasave është dukshëm më i madh. Analiza më tej theksojnë edhe shkaqet e mërgimit të madh jashtë si rritja e të papunësisë së personave me nivel të lartë arsimor (veçanërisht në kushtet e masivizimit të arsimit të lartë), paga më të larta, dhe standardi më i mirë i jetesës në vendet pritëse. Theksohen edhe mosrespektimi i punës, nënvlerësimi i profesionalizmit, mundësitë e kufizuara për promovim në profesioni, punësimi vetëm me teserën e partisë, dëshpërimi, pakënaqësia dhe pamundësia për të avancuar në profesion janë pjesë e arsyeve që i bëjnë të rinjtë të largohen jashtë vendit.

    Për pasojë të migrimit të madh po shfaqet mungesa e fuqisë punëtore. Njëherësh migrimi i popullsisë ka ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të vendit përmes rritjes më të ulët ekonomike për shkak të humbjes së potencialit që tani po ndërton ekonomitë e huaja, uljen e konkurrencës dhe ndikimit negativ në sistemin shoqëror, emigrimin e personave të kualifikuar, etj.

    Emigrimi i të rinjve po shkakton rritjen e numrit të qytetarëve në moshën e pensionit dhe largimi i fuqisë punëtore përkeqëson statusin social dhe ekonomik të vendit. Largimi i punonjësve të kualifikuar sidomos të të rinjve janë të dukshme përmes humbjes së kapitalit të investuar, si investimet e mëparshme të shoqërisë dhe familjes në shkollimin e tyre, që tani po kontribuojnë për ekonomitë e Evropës në vend se për ekonominë vendore. Mungesa e kapitalit njerëzor tani është kthyer në shqetësim për rritjen ekonomike të vendit, teksa në afate më të gjata, sistemi i pensioneve ku po rritet numri i pensionistëve dhe po ulet ai i punëtorëve që paguajnë kontribute shoqërore.

    Shqetësime ka edhe për kujdesin social dhe cilësinë dhe nivelin e demokracisë, në mungesë të një popullsie të re në moshë, që po përkeqësohet si trend. Ikjet e mëdha i kanë vënë në vështirësi bizneset në të gjithë sektorët së bashku edhe më rënien e konsumit që ndikojnë dukshëm së bashku me eksportin edhe në zhvillimin më të madh të ekonomisë së një vendi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Së shpejti data për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale

    Lajmi i rradhës

    Ristova: Këshilli Gjyqësor duhet shkarkuar urgjentisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë