Shkollat mund t’i rikthehen drurit në rast se ka ndërprerje të rrymës?

    Oxhaqet e shumë shkollave fillore të fshatit janë pastruar dhe janë në gatishmëri në rast se kriza energjetike dhe ekonomike detyron përdorimin e druve për ngrohje.

    Në shkollën fillore “Lima Kaba” të fshatit Luboten të Komunës së Butelit ngrohja me lëndë djegëse është siguruar për gjithë sezonin e dimrit, por problemet me energjinë elektrike mund të shkaktojnë ndërprerjen e saj.

    Drejtoresha Ajfer Dibrani tha për Alsat se tashmë kanë nisur të vërehen edhe problemet e para, ndërprerje e rrymës në ditë të caktuara në gjithë fshatin.

    “Asnjëherë s’kemi pas problem me naftën por me rrymën po, gjithmonë kemi pas. Ne jemi të adaptuar me rrymën, nuk është vetëm ky vit që e kemi këtë problem, me rrymën kemi problem edhe viteve të kaluara. Nuk është problemi veç i ngrohjes, kemi edhe problemin e ujit, nëse s’kemi rrymë edhe ujë nuk kemi atëherë pastërtia nuk do të jetë në nivelin e duhur. Shpresoj që do ta kemi përkrahjen në të ardhmen që nëse kemi krizë ta kalojmë me ndonjë agregat ose me dru”, tha Ajfer Dibrani, drejtore e sh/f “Liman Kaba” fshati Luboten.

    Gazetarja: A mund t’i riktheheni sërish drurit?

    Ajfer Dibrani, drejtore e sh/f “Liman Kaba” fshati Luboten: Nëse ka nevojë do të rikthehemi, për fëmijët jemi këtu që fëmijët mos të ngecin mbrapa, kemi oxhaqe këtu”.

    Dimër i vështirë pritet të jetë edhe për shkollën fillore “Naim Frashëri” të komunës së Studeniçanit.

    Burak Aliu, sekretar i shkollës tha se për momentin ky institucion posedon lëndë djegëse për ngrohje për një muaj. Pjesa tjetër e furnizimit varet nga kompanitë.

    “Me atë që jemi furnizuar deri më tash mendojmë të kalojmë vetëm një muaj, aq tonelata naftë kemi marr. Mendojmë se në të ardhmen mund të ndryshoj çmimi, nuk na lejojnë as kompanitë që prej tash ta paguajmë ose ta marrim. Do të varet edhe prej kompanisë ku e sigurojmë lëndën djegëse. Dje ka pas tjetër çmim sot kishte tjetër çmim, domethënë çmimi gradualisht shkon dhe rritet. Oxhaqet e shkollës të gjitha janë në funksion, janë të pastruara nga personeli teknik”, tha Burak Aliu, sekretar i sh.f  “Naim Frashëri: fshati Studeniçan.

    Me vendim të Qeverisë, çerdhet, shkollat dhe disa institucione tjera që kanë qenë në tregun e lirë energjetik janë përfshirë në tregun e rregulluar nën kompetenca të EMV-së.

    Kjo nënkupton  se institucionet do të paguajnë fatura më të lira të energjisë elektrike për rrymën që do ta shpenzojnë.

    Lajmi Paraprak

    Nga nesër ‘fiken’ autobusët – Të punësuarit hyjnë në grevë për shkak të borxhit të ndërmarrjes

    Lajmi i rradhës

    Në Bullgari ndalohet hapja e klubit maqedonas

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë