Shkollat në shumë rajone të RMV mbeten të zbrazëta, ulet numri i nxënësve

    Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se vetëm në një vit shkollor, numri i nxënësve në arsimin fillor është zvogëluar për 1015 nxënës, ndërsa ai i shkollave të mesme për 1798. Në fund të vitit shkollor 2021/2022, numri i nxënësve në shkollat fillore ishte 184 910, që paraqet një rënie prej 0,6 % krahasuar me vitin paraprak. Në shkollat e mesme, numri i nxënësve në fund të vitit shkollor 2021/2022 ishte 69 378, që është një rënie prej 2,5 për qind krahasuar me vitin paraprak shkollor.

    Alsat tashmë disa herë ka raportuar për uljen e numrit të nxënësve në arsimin fillor duke sjell raste konkrete nga fshatra të komunave të ndryshme të vendit. Habibja është nxënësja e vetme e shkollës periferike “Emin Duraku” në fshatin Raoviq të Komunës së Sarajit. Ajo tashmë po ndjek mësimet në klasë të tretë. Pavarësisht se nuk e shoqëron asnjë fëmijë tjetër, dëshira e saj për të mësuar nuk u zbeh asnjëherë. Siç tha ajo, shokë të ngushtë tashmë ka mësuesit të nuk mungojnë as edhe një ditë.

    “Kur kemi filluar në klasë të parë kam qenë unë, një shoqe dhe tre djem më duket kanë qenë. Gjithsej sa keni qenë? Dhjetë nxënës, të gjithë kemi qenë. Ku shkuan ata? Kanë shkuar poshtë, në fshat tjetër. Sihanën e kam pas shoqe të ngushtë. Nuk e ke pa më atë? Jo”.

    Ngjashëm është edhe në fshatrat e komunës së Likovës. Nga fillimi i vitit shkollor 2022-23 në shkollën fillore “Rilindja” janë dhënë 12 fletëshpërngulje të nxënësve nga fshati Llojan dhe Vaksincë. 10 flet shpërngulje janë dhënë për shtetet perëndimore ndërsa 2 të tjera për Kumanovë dhe Likovë.

    “Numri i nxënësve është ulur shumë. Kemi qenë 16 e tash jemi 8, edhe disa kanë me shku dhe do të mbesim 6. A ishte më mirë kur ishit më shumë nxënës? Po, shumë. Ishte më mirë se kishim me kë me komuniku. Kemi qenë 6 djem në klasë tash vetëm dy”.

    Gjithashtu, sipas Entit të Statistikave në vitin 2020/2021 ka pasur 980 shkolla, vetëm një vit më vonë në funksion ishin 976 shkolla, që do të thotë se katër shkolla janë mbyllur, edhe pse nuk specifikohet nëse janë shkolla qendrore apo rurale. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Përse Arlindin?

    Lajmi i rradhës

    Çdo hotel dhe restorant në Ohër kërkon kuzhinier dhe punonjës dhome

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë