“Shkupi 2014” vazhdon edhe pas një dekade

    Përfundimi i projektit “Shkupi 2014”, i cili nuk arriti të finalizohej një dekadë më parë (2014), që prej vitit të kaluar është një nga prioritetet e punës së Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, shkruan gazeta Koha. Përveç muzeve në kalanë e Shkupit, rikonstruksioni i kompleksit muzeor “Muzeu i Ujit” në Ohër, përfundimi i Universitetit të Shën Klementit në Pllaoshnik, apo vazhdimi i projekteve të ndërprera apo të ngecura si Muzeu i Maqedonisë, Teatri në Strumicë, Teatri Turk dhe Teatri dhe Biblioteka në Tetovë… , këto ditë Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka bërë me dije se do të përfundojë monumentin e Nënë Terezës. Pa dhënë hollësi se kur do të fillojnë punimet, ministri Zoran Ljutkov ka deklaruar për mediat se ashtu si ndërtesat e tjera të papërfunduara, edhe ky monument do të finalizohet.

    Sipas tij, bëhet fjalë për një sërë projektesh që kanë ngecur dhe tendenca është t’i përfundojnë të gjitha. I cilësuar si një ndërtim i paligjshëm që bllokon hyrjen në sheshin Maqedonia në qendër të Shkupit dhe për të cilin disa vjet më parë kërkohej që të prishej, Lutkov është i mendimit se për arsye praktike nuk është mirë, sepse do të kushtojë dyfish më shumë për të prishur atë që është ndërtuar deri më tani sesa për ta përfunduar.

    Monumenti i Nënë Terezës, pjesë e projektit “Shkupi 2014” (për të cilin Qeveria e udhëhequr dikur nga Nikola Gruevski shpenzoi rreth 700 milionë euro), u deklarua si një donacion nga kompania “Sahara India”, në pronësi të biznesmenit kontrovers indian Subrata Roy. Por pasi Roy për mashtrime financiare u dënua në Indi, Qeveria e Gruevskit, përmes Ministrisë së Kulturës mori përsipër projektin, që nisi në vitin 2015 me një vlerë kontrate prej 5.5 milionë euro. Përmendorja për Nënë Terezën, si hallka e fundit që do të mbyllte projektin “Shkupin 2014”, u konceptua dhe u projektua në frymën megalomane të përmendoreve pranë saj dhe shumë larg modestisë që karakterizoi jetën dhe veprën e humanistes shqiptare. Sipas maketit, përmendorja duhet të jetë e lartë 32 metra, e konceptuar si një vend pelegrinazhi.

    I mbuluar pjesërisht nga një kupolë në ngjyrat bardhë e blu, sipas sarit që mbajnë misionaret e Nënë Terezës, objekti përbëhet nga një tarracë, shatërvan, një përmendore e Nënë Terezës, motra, engjëj, kurora në reliev. Kompozimi përfshin momente të ndryshme që tregojë Nënë Terezën dhe motrat misionare duke u kujdesur për të sëmurë, invalidë, e të tjerë.

    Lidhur me projektin “Shkupi 2014”, Qeveria LSDM-BDI formoi një grup pune pas ardhjes në pushtet në vitin 2017, i cili në raport konstatonte se monumenti, si një objekt i paligjshëm prej betoni duhet të shembet menjëherë sepse, përveç shkeljes së një sërë ligjesh, ai kërcënon edhe sigurinë e sheshit qendror të vendit. Po ashtu, si “Nënë Tereza”, edhe objekte të tjera të “Shkupit 2014”, as nuk u “prekën” nga Qeveria e LSDM-së.

    Lajmi Paraprak

    Si mund ta godasin ekonominë globale tarifat tjera të Trumpit ndaj Rusisë?

    Lajmi i rradhës

    THELLOHET MINUSI NË ARKËN SHTETËRORE! / Në gjashtë muaj shpenzohen dy të tretat e deficitit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë