Shqipëria merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka nisen sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që nisë më 1 qershor dhe përfundon më 30 qershor 2022.

    Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë, paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.

    “Vënia para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit ndërkombëtar, qofshin shtete apo individë, kërkon bashkëpunim të fortë të gjithë shteteve paqedashëse, duke filluar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Debati i kryesuar nga Kryeministri Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

    “Takimet e kryesuara nga Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror, të tillë si: debat i hapur drejtuar nga Xhaçka, mbi tematikën Gratë, Paqja dhe Siguria, me nëntemë “Roli i organizatave rajonale për zbatimin e GPS në situata trazirash politike dhe marrje pushteti me dhunë” (15 Qershor); sesion informimi, drejtuar nga Xhaçka, mbi bashkëpunimin mes OKB dhe organizatave rajonale, ku do të ftohet Bashkimi Europian (16 qershor); debat i hapur mbi Metodat e Punës të Këshillit të Sigurimit, drejtuar nga Ambasadori i Shqipërisë në OKB, NY (28 qershor)”, shton ministria.

    Kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e Këshillit të Sigurimit gjatë mandatit të saj dyvjeçar në Këshill. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023.

    Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë.

    Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Rama dhe Xhaçka do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën.

    Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.

    Lajmi Paraprak

    Gjatë kësaj jave Real Madrid pritet t’i prezantojë dy transferimet e para

    Lajmi i rradhës

    Flet dëshmitari i zjarrit në Tetovë: Ishte e pamundur të ndalonim përhapjen e zjarrit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë