Pavarësisht vërejtjes së Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Ministria e Administratës Publike me të cilën udhëheqë Goran Minçev vazhdon të komunikojë me opinionin vetëm në gjuhën maqedonase, duke i privuar qytetarët shqiptarë në gjuhën e tyre amë.
Të vetmet njoftime në gjuhën shqipe në ueb-faqen që e shfrytëzon Ministria, janë informata e para nëntë muajve për marrjen e detyrës dhe shënimi i Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Arsyetimi i Minçevit është se ende nuk kanë ueb-faqe zyrtare, të cilën duhet ta përgatisë Ministria e Transformimit Digjital, ndërsa aktualisht komunikatat dhe njoftimet publikohen në ueb-faqen e ish Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
“Në atë moment kur të jenë të përgatitura ueb-faqet, në kohë do të informoheni, ndërsa ashtu siç mund të shihni edhe në hyrjen e zyrës sime, përfshirë edhe tekstin e ministrit janë në dy gjuhë, gjegjësisht në maqedonisht dhe shqip”, tha Goran Minçev, ministër i Administratës.
Minçev, nuk heq dorë nga interpretimi i tij kreativ i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pavarësisht se pas denoncimit të Alsat, në dhjetor të vitit të kaluar Inspektorati konstatoi se ka shkelur ligjin edhe atë nenin 1 paragrafi 2 dhe 3, nenin 2 paragrafi 3, në lidhje me nenin 6 paragrafi 4 dhe për këtë i dha vërejtje.
Pavarësisht se me Ligjin për Përdorimin Gjuhëve, institucionet obligohen të komunikojnë edhe në gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, respektivisht shqipe, ministri Minçev nuk heq dorë nga interpretimet kreative të Ligjit. Sipas tij, ka nen në ligj që atij ia lejon të mos e përdor institucioni shqipen, megjithatë komunikatat në kërkesë të mediave mund të përkthehen.
“Në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në mënyrë decide shkruan dhe atë mund ta sqarojmë me nen të ligjit, në të cilin thuhet se atje ku ka funksionarë të zgjedhur dhe emëruar në kuadër të Ministrisë dhe nuk janë prej komuniteteve etnike, përdoret gjuha maqedonase. Kjo, do të thotë se kumtesa edhe deri më tani, por edhe më tej do të dërgohen te mediat në gjuhën maqedonase pasi kjo është e rregulluar me ligj. Por, me kërkesë të mediave ne si ministri e administratës publike qëndrojmë në dispozicion i njëjti tekst të përkthehet edhe në më shumë gjuhë prej komuniteteve etnike. Që do të thotë, veprojmë sipas ligjit”, u shpreh Goran Minçev, ministër i Administratës.
Megjithatë, mbetet e paqartë se cilit nen i referohet ministri, ndonëse deklarata e tij është në kundërshtim me gjetjet e Inspektoratit, të cilët kanë konstatuar shkelje të dispozitave kryesore të ligjit. /Alsat/