VRASJE PA EPILOG | Kovaçki: Spasovski, i paaftë si ministër

    Nga marsi deri në tetor një seri vrasjesh dhe tentim vrasjesh janë regjistruar në Shkup, Prishtinë dhe një prej tyre në Greqi, që sipas policisë përbëjnë hakmarrje mes grupeve kriminale e që për vazhdimësi kanë vrasjen në një nga lokalet e njohura afër Çarshisë së Vjetër në Shkup. Më 6 mars, persona të maskuar u futën në lokalin e njohur si “Shisha Bar” dhe vranë Jeton Krivanjevën dhe Enes Iseinin. Autorët u arratisën, ndërsa mjeti i tyre u gjend i djegur disa kilometra në dalje të Shkupit.

    Më 1 qershor policia arrestoi një 31 vjeçar si i dyshuar për ndihmë në vrasjen e 6 marsin, por pa epilog konkret. Gati dy javë më vonë në Prishtinë mbeti i vrarë Blerim Daci nga Shkupi edhe pse për këtë autoritetet vendase nuk kanë dhënë një version konkret nëse lidhet me ndonjërin nga incidentet e armatosura ose jo.

    Më 15 korrik në Greqi vritet shoqëruesi i Krivanjevës, Orhan Bajrami i njohur si Oki. Ai u vra në një vilë derisa ndodhej me pushime afër Selanikut, ndërsa i plagosur rëndë mbeti shoqëruesi i tij. Për vrasjen e tij, as policia vendase dhe as autoritetet greke nuk kanë dhënë më tepër informacion nga hetimi.

    25 gusht, në parkingun e Qendrës Tregtare East Gate Mall në Shkup, gjuhet me breshëri plumbash në drejtim të veturës së Rade Trajkovskit i njohur si Shtekli. Ky i fundit herën e parë i shpëtoi plumbave falë automjetit të blinduar. Dy muaj më vonë, përkatësisht më 24 tetor Shtekli dhe shoqëruesi i tij ishin cak i një tjetër tentative për likuidim. Shtekli pësoi lëndime të lehta trupore, ndërsa shoqëruesi i tij ndodhet në gjendje kritike.

    Asnjë nga rastet e lartpërmendura që kanë cenuar drejtpërdrejtë sigurinë e kryeqytetit, akoma nuk ka epilog dhe autorët e vrasjeve dhe akteve të mbetura në tentativë nuk kanë dalë para drejtësisë. Opozita vlerëson se me policia nuk arriti ta parandalon tentim vrasjen ndaj Trajkovskit edhe pse e njëjta është paralajmëruar ditë më parë në rrjetet sociale.

    “MPB-ja e drejtuar nga Spasovski është aq e paaftë sa s’mund të zbardhë rast që ka ndodhur në mes të ditës ku ekzistojnë shumë mundësi për identifikim dhe lokalizim. MPB-ja e drejtuar nga Oliver Spasovski përjeton dështim total. Është edhe më e tmerrshme që policia e drejtuar nga Spasovski nuk e parandaluar rastin, edhe pse disa ditë më herët është paralajmëruar vrasja në rrjetet sociale të njërit nga personat e lënduar”, deklaroi Dragan Kovaçki, deputet i VMRO-DPMNE-së.

    Por ministri i brendshëm Spasovski thotë se shifrat flasin ndryshe. Sipas tij, aksioni operativ “Mali” çoi në pranga tre persona të dyshuar, ndërsa ndaj grupeve kriminale është hapur luftë e pa kompromis. Sipas tij, rasti i djeshëm nuk cenon sigurinë e përgjithshme në kryeqytet dhe se policia i ka shpall luftë grupeve kriminale që 30 vite askush nuk ka pasur guximin t’i prekë.

    “Nga shkatërrimi i pjesës dërmuese të grupeve kriminale falë aksioneve operative të ndërmarra, në muajin e fundit janë arrestuar tre persona si pjesë e grupeve që ishin subjekt i operacionit “Mali”. Kjo flet për nivel të lartë të angazhimit të policisë me këto grupe të cilat për 30 vite dikush i ka krijuar dhe nuk ka guxuar t’i prekë”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

    Spasovski paralajmëroi vazhdimin e aksionit “Qytet i sigurt”, ndërsa në kuadër të aksionit operativ “Verë e sigurt” janë ndaluar për verifikim 3.312 persona, janë kontrolluar 2.870 makina dhe janë arrestuar 37 persona. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Artan Grubi, Vizbegun po e shndërron në një Las Vegas të Shkupit”

    Lajmi i rradhës

    ShGM, SPGPM dhe KEMM: VENDIM SKANDALOZ I GJYKATËSES PANEVA PËR GAZETARËT

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë