Shqipja si element identitar: mbrojtja dhe avancimi i gjuhës përtej politikës

    Gjuha shqipe ka qenë gjithnjë një element kyç i identitetit kombëtar shqiptar, por shpesh është vendosur në qendër të debatit politik, sidomos në Maqedoninë e Veriut. Në një kohë kur përparimi i saj në përdorimin zyrtar është i dukshëm, mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të garantimit të një statusi të plotë dhe të pakontestueshëm. Kjo temë ishte në qendër të konferencës shkencore “Gjuha shqipe identitet dhe jo politikë!”, e organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, ku drejtues të lartë shtetërorë dhe ekspertë theksuan rëndësinë e mbrojtjes dhe avancimit të gjuhës shqipe përtej kufizimeve burokratike dhe interpretimeve politike.

    “Gjuha është indi që na lidh të gjithëve si komb, përtej kufijve dhe ndarjeve të ndryshme, si ato fetar”, kështu tha kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, ndërsa shtoi se shqiptarët janë krenarë dhe me fat që kanë një gjuhë të pasur dhe të bukur, që siç thotë, nuk përbën vetëm një mjet komunikimi, por është simbol uniteti.

    Megjithatë, Gashi theksoi se gjuha shqipe po përballet me sfida të mëdha në mbrojtjen, fuqizimin dhe avancimin e gjuhës shqipe. Gashi tha se gjuha shqipe gëzon një avancim të përdorimit, por duhet të bëhet shumë më tepër drejt zyrtarizmit të plotë të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut.

    “Gjuha shqipe është lodhur nga politika. Kjo shpesh ma kujton ëndrrën që e përshkruan Faik Konica, në të cilën i shfaqet një grua e bukur, por e veshur me lecka, me ç’rast i thotë, unë jam gjuha shqipe e hidhëruar nga mundimet që po heq dhe mundimet që me rrethojnë. Siç e dini, në vendin tone, gjuha shqipe ka një nivel të avancuar të përdorimit zyrtar, por padyshim, ende ka shumë hapësirë për përmirësim dhe drejtim të respektimit të përdorimit të saj”, tha kryeparlamentari Gashi.

    Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë i vendit, Izet Mexhiti tha se formulimet e papërshtatshme, si 20 përqindëshi, duhet të zëvendësohen me terme të cilat janë politikisht dhe etnikisht të pranueshëm, që siç thotë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë statistikë, por pjesë e pandashme e shtetit.

    “Kushtetuta duhet të prodhojë zgjidhje, jo të krijojë probleme apo frustracione. Qëllimi ynë është forcimi i themeleve të shtetit përmes një kushtetute gjithëpërfshirëse e cila ofron qartësi dhe drejtësi. Formulime të papërshtatshme si 20% i popullsisë, duhet të zëvendësohen me terme politikisht dhe etnikisht të pranueshëm, pra, kuotat nuk mund të jenë zëvendësim për gjuhën amtare dhe kjo sidomos për shqiptarët është e vërtetë, të cilët nuk janë thjesht një përqindje, ata janë një realitet. Shqiptarët nuk janë statistikë, ata janë pjesë e pandashme e këtij shteti”, tha Mexhiti.

    Ndërkohë, nga Aleanca për Shqiptarët e cila është pjesë e Frontit Europian paralajmërojnë subjektet politike shqiptare në qeveri që ndryshimi i 20 përqindëshit të mos përzihet me temën e stemës që sipas tyre e imponon VMRO-DPMNE-ja.

    “Heqja e termit ofendues “20%” dhe emërtimi i drejtë i gjuhës shqipe nuk guxon të ndërlidhet me ndryshimin e stemës dhe vendosjen e luanit të VMRO-së. Emërtimi i drejtë i gjuhës shqipe dhe ndryshimi i himnit dhe flamurit, janë nevojë për të korrigjuar padrejtësitë dhe për të trajtuar siç duhet bashkësitë etnike në vend. I gjithë monologu i partive në pushtet po zhvillohet në drejtim të gabuar”, theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Përndryshe, tema e simboleve shtetërore u ri-aktualizua pasi kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi ndryshimin e saj. Eksponentët shqiptarë në qeveri theksuan se çështja e stemës të zgjidhet së bashku me çështje të tjera si heqja e 20 përqindëshit për gjuhën shqipe nga Kushtetuta si dhe ndryshimi i himnit shtetëror, por nga VMRO-DPMNE mohuan se ka diskutime për ndryshim të himnit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mungesa e kuadrove ndikon në efikasitetin e gjykatës

    Lajmi i rradhës

    Gratë në RMV në profesionet me paga më të ulëta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë