Osmani: Mickoski është politikan i ligës së katërt, harron se përballë ka Ali Ahmetin

    Osmani: Nëse bëhet fjalë për integrimet, BDI-ja është e gatshme të shkoj në opozitë, por qeveria e ardhshme nuk do të jetë pa të

    Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në Click Plus në TV21, tha se BDI-ja është e gatshme të shkojë në opozitë, nëse opozita e vendos si kusht kryesor për ndryshimet kushtetuese dhe rrjedhimisht integrimin e vendit në BE. Por, nga ana tjetër ai tha se në zgjedhjet e ardhshme nuk diskutohet se BDI-ja do vijë në pushtet dhe do të jetë pjesë e qeverisë.

    “Në kontekstin e integrimit në BE mund të shkojmë në opozitë, këtë e kemi vendosur edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë. Por, qeveria e ardhshme nuk do të jetë pa BDI-në. Flasim për kushtin që ka vendosur opozita që ne të shkojmë në opozitë, ne nuk e vendosim në diskutim”, tha Osmani.

    Osmani: Mickoski është një politikan i ligës së katërt, harron se përballë ka Ali Ahmetin

    Osmani, ishte i ftuar sonte në emisionin Click Plus në TV21. Duke folur për situatën politike në vend dhe ndryshimet kushtetuese që priten të ndodhin, ai sulmoi kryetarin e opozitës maqedonase, Hristjan Mickoskin, duke e quajtur një politikan të kategorisë së tretë dhe të katërt, që harron se ka përballë një politikan si Ali Ahmetin.

    “Pas gjithë atyre protestave, thirrjeve kundër ndryshimit të Kushtetutës, Mickoski me lëvizjet e fundit tregoi se është një politikan i ligës së tretë dhe të katërt. Ai nuk e kupton që përballë ka Ali Ahemtin, që politikën nuk e sheh lojë, ku ai nuk humb asnjë shans përballë këtyre mundësive. Mickoski është i vetëdijshëm se një qeveri pa BDI-në nuk ka, se ndryshe i bie të jetë qeveri monoetnike. Mickoski me gojën e vetë tha se ne votojmë ndryshimet kushtetuese nëse BDI-ja shkon në opozië, ja ne dalim në opozitë, le t’i votojë ndryshimet kushtetuese.”- shtoi Osmani.

    Osmani: Mickoski nuk ka një qëndrim të saktë për ndryshimet kushtetuese, dje jo, sot po

    Osmani tha se kryetari i opozitës maqedonase, Hristjan Mickoski, nuk ka një qëndrim të saktë për sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Osmani tha se me këto luhatje të përditshme të Mickoskit, ai po çorodit çdo familje maqedonase, ku një ditë thotë po dhe një ditë jo.

    “Mickoski nuk ka një qëndrim të saktë për sa i përket ndryshimeve kushtetuese, dje thoshte jo, sot thotë po. Që do të thotë se nuk ka ndonjë problem serioz. Unë mendoj se fakti që Mickoski tha publikisht, para njerëzve se ndryshimet kushtetuese nuk janë problem, problemi është BDI-ja dhe një shtyrje e implementimit, që nuk ka asnjë peshë juridike, kjo ka ndryshuar krejt situatën. Ajo konferencë e Mickoskit e ka ndryshuar situatën 180 shkallë, ku në çdo familje maqedonase diskutohet se dale çfarë po ndodh me të?!”, deklaroi zëdhënësi i BDI.

    Osmani: Heqim dorë edhe nga kryeministri shqiptar, nëse Mickoski e kërkon këtë

    Duke folur për kryeministrin shqiptar, zëdhënësi i BDI tha se ata janë të gatshëm të heqin dorë edhe nga kryeministri shqiptar, nëse Mickoski e kërkon një gjë të tillë në këmbim të ndryshimeve kushtetuese.

    “Qeveria është shumë më e madhe se pozicioni i kryeministrit. Ne tani po bëjmë kompromis për kushtetutën, nuk do të lejojmë asnjë alibi. Nëse Mickoski thotë se kërkon edhe kryeministrin deri në zgjedhje, edhe kryeministrin ia japim. Ndryshimet kushtetuese janë aq jetike, sa i tejkalon të gjitha sakrificat”, deklaroi Osmani.

    Osmani në krah të “Planit Rama” për Kosovën: Është qëllimmirë!

    Osmani, doli në mbrojtje të planit të Ramës për Kosovën, ku tha se është një plan qëllimmirë nga ana e tij. Ai tha se ky plan është një propozim dhe nuk imponon zgjidhje, por vetëm tregon një dalje nga situata e krijuar.

    “Nuk dua të bëj avokatin e Ramës, por e di nga informacionet e mia, nga qasjet në propozim, është një propozim qëllimmirë për të krijuar një situatë të re, që Kosova të pozicionohet, por jo për të imponuar zgjidhje, sepse në fund duhet të nënshkruajnë autoritet kosovare. Rama nuk po imponon zgjedhje, tregon mënyra të tjera të menduarit dhe të vepruarit. Besimi në SHBA-të nuk na ka tradhtuar asnjëherë, si shqiptarë.”- tha Osmani.

    Osmani: Nuk do të ketë parti shqiptare që do të ketë guximin të qeverisë me VMRO-në

    Osmani, tha se kur VMRO-ja mendon një qeveri pa BDI-në, mendon një qeveri pa shqiptarët. Ai tha se nuk mendon se do të ketë parti shqiptare që do të bënte koalicion qeverisës me Mickoskin në krye.

    “Kur VMRO-ja mendon një qeveri pa BDI-në, mendon një qeveri pa shqiptarët. Sepse ata e dinë që nuk do të ketë parti shqiptare që do të ketë guximin të rrijë në Qeveri me VMRO-në, në kushte kur ata i diktojnë shqiptarëve se kush do t’i përfaqësojë ata. Mickoskit i pengon BDI-ja, sepse BDI-ja i përfaqëson të gjithë shqiptarëve”, shtoi Osmani.

    Lajmi Paraprak

    “Të ecësh vetëm natën”, Maqedonia ndër më të sigurtat

    Lajmi i rradhës

    A do të ketë Qeveri pa parti shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë