Shqiptarët në RMV nuk e raportojnë hapur dhunën!

    Në një botë ku siguria është e domosdoshme, të ketë një mjet të besueshëm dhe të arritshëm për raportimin e dhunës është shumë e rëndësishme. Linja e SOS-it, një sinjal i përdorur gjerësisht për ndihmë të menjëhershme, merr një rol të ri kyq në shoqërinë bashkëkohore si një rrugë dedikuar për raportimin e dhunës. Pavarësisht nëse është dhuna në familje, ndjekja në rrugë ose çdo formë sjellje e rrezikshme, linja e SOS-it vepron si një urë lidhëse mes viktimës dhe ndihmës.

    Deri në 50 telefonata në muaj bëhen në linjën SOS falas 141 700, e dedikuar për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje. Linja ekziston që nga viti 1994, është aktive 24 orë në ditë dhe mund të arrihet duke telefonuar nga çdo operator celular, pa asnjë prefiks. Ata i zhvillojnë bisedat në gjuhët maqedonase, shqipe, turke dhe rome. “Numri i viktimave mund të jetë deri në 30, ndërsa pjesa tjetër e thirrjeve mund të jenë disa herë nga i njëjti person, sepse ose dhuna përsëritet ose viktima ka nevojë për informata shtesë”, ka thënë për gazetën Koha Azra Milaimi Rexhepi, operatore e kësaj linje e cila njëkohësisht ushtron edhe profesionin e psikologes.

    “Në bazë të thirrjeve, më e shpeshtë në numër është dhuna psiqike e pasuar me dhunën fizike ose në shumë raste e kombinuar. Jo e rrallë është edhe dhuna ekonomike ndërsa kohës së fundit janë shtuar edhe raste të denoncimit të ‘cyber’ dhunës apo dhunës virtuale. Zakonisht lajmerohen vetë viktimat por ndodh që të paraqitent edhe ndonjë familjarë apo fqinj”, shpjegon Milaimi-Rexhepi.

    Vërejtja që e ka ajo është te raportimi i dobët i dhunës nga ana e qytetarëve shqiptarë, pasi që siç tregon nga përvoja e sajë tashmë njëvjeçare në këtë qendër, numri i raportimeve që kanë ardhur nga shqiptarët kanë qenë më pak se dhjetë.

    “Si operatore që përveç gjuhës maqedonase, jam këtu edhe për viktimat që e flasin gjuhën shqipe dhe fakteqësisht mund të them se numri i të njejtave është shumë i vogël, afersisht për një vit nuk e arrin as numrin e 10 viktimave, gjë që mua më shqetëson shumë sepse besoj fuqishëm se ka një numër të madh të grave shqiptare të cilat përjetojnë si dhunë familjare, ashtu edhe dhunë gjinore”, shton ajo.

    Ajo beson se arsyeja kryesore e mos denoncimit të dhunës tek popullata shqiptare qëndron tek mendimi se çdo gjë që ndodh brenda familjes duhet të mbetet aty dhe nuk duhet që dikush tjetër të t’ua zgjidhë problemet familjare.

    “Si faktor tjetër i mos denoncimit është edhe ndjenja e turpit që viktimat zakonisht e ndjejnë dhe druajnë se do të përqeshen”, thotë ajo dhe apelon tek të gjithë shqiptarët e Maqedonisë që të thërrasin në numrin 141 700 dhe të denoncojnë dhunën apo presionin e çfaredo lloji, sepse secili ka të drejtë të jetojë një jetë të qetë.

    Së fundmi, kjo organizatë ka hapur edhe një qendër këshilluese për ndihmë psiko-sociale dhe juridike. Sipas përvojës së operatorëve nga organizata, gratë nga zonat urbane janë më të shumta në regjistrime, por kanë filluar të inkurajohen edhe gratë nga zonat rurale. Megjithatë, frika ekziston ende tek të gjithë. Sipas të dhënave të fundit, në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 1191 viktima të dhunës në familje. Prej tyre, më të shumtat janë gra, pra 942, nga të cilat gjysma janë të martuara si bashkëshorte në bashkim familjar. Pikërisht për këto arsye Këshilli Kombëtar për Barazinë Gjinore rekomandon që viktimat të inkurajohen dhe të raportojnë dhunën.

    Lajmi Paraprak

    Sot fillon sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit

    Lajmi i rradhës

    RMV fiton 25% më shumë se vitin e kaluar nga turizmi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë