Shri Lanka sërish vendos gjendjen e jashtëzakonshme

    Ushtruesi i detyrës së presidentit të Shri Lankës, Ranil Wickremesinghe, në orët e vona të së dielës urdhëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, në përpjekje për të parandaluar trazira para votimit të Parlamentit gjatë kësaj jave për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Udhëheqësit e Shri Lankës kanë vendosur disa herë gjendjen e jashtëzakonshme që prej muajit prill kur nisën protestat kundër Qeverisë për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së furnizimeve thelbësore.

    “Është e përshtatshme pra që të bëhet në interes të sigurisë publike, mbrojtjes së rendit publik dhe mirëmbajtjes së furnizimeve dhe shërbimeve thelbësore për jetën e komunitetit”, u tha në njoftim.

    Wickremesinghe njoftoi për gjendjen e jashtëzakonshme javën e kaluar, pasi presidenti Gotabaya Rajapaksa u largua nga shteti për shkak të protestave kundër Qeverisë së tij, por gjendja e jashtëzakonshme nuk ishte shpallur zyrtarisht.

    Rregulloret e mëparshme të gjendjes së jashtëzakonshme janë përdorur për të vendosur ushtrinë në rrugë për të arrestuar njerëzit, për të kontrolluar pronat private dhe për të shtypur protestat.

    Në kryeqytetin e Shri Lankës, Kolombo, të hënën situata ishte e qetë, pas javësh me protesta masive.

    Presidenti Rajapaksa u largua javën e kaluar për në Maldive e më pas në Singapor, pasi qindra-mijëra protestues anti-qeveritar dolën në rrugët e Kolombos dhe uzurpuan zyrat e zyrtarëve qeveritarë.

    Të premten, Parlamenti pranoi dorëheqjen e Rajapaksas dhe pritet që këtë javë të mblidhet për të zgjedhur presidentin e ri. Votimi për presidentin pritet të mbahet të mërkurën, më 20 korrik.

    Wickremesinghe, që ka qenë gjashtë herë kryeministër dhe konsiderohet aleat i Rajapaksas, është një nga pretendentët kryesorë për postin e presidentit, por protestuesit kanë thënë se nuk duan që ai të zgjidhet president, duke paralajmëruar protesta dhe trazira nëse ai zgjidhet. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët e RMV-së mund të ballafaqohen edhe me rritjen e çmimit të faturave të shërbimeve komunale!

    Lajmi i rradhës

    Burimet e rinovueshme të energjisë – shpëtim për Ballkanin Perëndimor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë