“Shtëpia duhet të ketë djem” / Abortet selektive në Dibër po pakësohen

    Në Dibër dhe fshatrat përreth, ende vazhdon të jetë e pranishme dëshira e bashkëshortëve për të pasur djem, megjithëse jo në të njëjtin nivel si në të kaluarën. Traditat e kësaj ane, njësoj si në shumë pjesë të tjera të vendit, thonë se “shtëpia duhet të ketë djem”. Dekada më parë, në komunën e Dibrës ka qenë e pranishme edhe dukuria e aborteve selektive, por kjo prirje po zbehet çdo vit e më shumë. Sipas të dhënave zyrtare nga mjekët gjinekologë në Dibër, kohëve të fundit nuk janë regjistruar aborte selektive mbi baza gjinore. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ekziston asnjë rast i tillë.

    Rreth këtij fenomeni, biseduam me gjinekologun e njohur dibran, dr. Argëtim Fida. Ai për gazetën Koha, deklaron se në të kaluarën abortet selektive ndodhnin shpesh, por sot kjo dukuri është shumë më e rrallë.

    “Nuk kemi regjistruar aborte selektive mbi baza gjinore në Dibër. Sot, bashkëshortët janë më modernë dhe shumica e tyre kanë një pikëpamje të barabartë si për fëmijët meshkuj, ashtu edhe për femrat. Tradita bën që shumë familje të dëshirojnë të kenë djalë, por kjo nuk nënkupton se nënat detyrohen të kryejnë aborte selektive. Kjo dukuri është tashmë pjesë e së kaluarës, edhe pse dëshira për të pasur një mashkull në familje ende ekziston. Sot, nënat në Dibër gëzohen njësoj për lindjen e djemve dhe vajzave, duke u lutur vetëm që fëmijët të jenë të shëndetshëm. Nuk mund të flasim më për aborte selektive në mënyrë të strukturuar apo të përhapur”, thotë dr. Fida.

    Sipas traditës në Dibër dhe rrethinë, djali konsiderohet ai që mban mbiemrin dhe kujdeset për prindërit në pleqëri. Prandaj dëshira për të pasur djalë ka qenë historikisht e theksuar.

    Por sot, kur jetojmë në rrethana krejtësisht të ndryshme krahasuar me të kaluarën, ndikimi i gruas, veçanërisht i nënës, është shumë më i madh kur bëhet fjalë për abortin selektiv dhe përcaktimin e gjinisë së fëmijës.

    Këto ditë biseduam me një nënë dibrane 32-vjeçare, e cila është shtatzënë dhe ka tashmë tre vajza. Ajo na tha se pret me shumë dëshirë të lindë një djalë, por nëse fëmija është vajzë, nuk do ta abortojë. “Kurrë nuk do të abortoj fëmijën tim, pavarësisht nëse është vajzë. Dëshiroj të kem djalë, por edhe nëse është vajzë, do ta mbaj me dashuri të madhe. Mjafton të jetë fëmijë i shëndoshë”  thotë bashkëbiseduesja jonë, F.R.

    Në një nga ambulancat gjinekologjike takuam edhe 26-vjeçaren T.T. nga një fshat i Dibrës.

    “Pashë në ekografi se ishte vajzë. Jam shumë e lumtur”,  tha ajo. “Por ky nuk ishte lajm i gëzueshëm për burrin, vjehrrën dhe vjehrrin tim. Këtë ma tha nëna ime, ndërsa pres lindjen e parë”.

    Aborti selektiv mbi baza gjinore nuk është fenomen i panjohur në vendin tonë dhe zakonisht nxitjet vijnë nga normat patriarkale, të cilat i shohin pasardhësit meshkuj si më të dëshirueshëm. Kjo lidhet gjithashtu me përqindjen e lartë të emigrimit, veçanërisht të burrave. Megjithatë, edhe në rajonin e Dibrës ndodhin raste të tilla, por ato janë të rralla. Zakonisht bëhet fjalë për nëna nga zona rurale, por ka edhe gra nga Dibra që abortet i kryejnë në spitale gjinekologjike në qytete të tjera.

    Lajmi Paraprak

    Fetai e pranoi se është bllokuar procesi i punësimit të shqiptarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë