A u dorëzua OSBE para Rusisë?!

    Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i ka hedhur poshtë vlerësimet se Rusia ka fituar duke votuar që Malta të jetë vendi kryesues i organizatës më 2024, pasi Moska i ka vënë veto Estonisë, shtet anëtar i NATO-s.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Osmani ka thënë se vendimi shënon “fitore për rregullin ndërkombëtar”, pasi OSBE-ja funksionon me konsensus.

    Radio Evropa e Lirë: Zoti Osmani, pse ju dhe të gjithë në OSBE e ndryshuat mendjen dhe u dorëzuat para Rusisë, duke e ftuar ministrin rus (Sergei) Lavrov në Këshill?

    Bujar Osmani: Nuk mendoj se ndonjë vit, përfshirë të kaluarin, ministri Lavrov apo ministrat e shteteve pjesëmarrëse nuk janë ftuar në takimet e OSBE-së. Çfarë ka ndodhur vitin e kaluar është se Polonia ka refuzuar të lëshojë vizë për Lavrovin, për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian.

    Prandaj, ajo çfarë po bëjmë është vazhdimësi e rregullave të përcaktuara prej organizatës, që t’i kemi të gjitha shtetet pjesëmarrëse rreth tavolinës, pasi kjo është organizatë që ka për bazë konsensusin. Marrë parasysh që organizata është duke funksionuar në kohë të jashtëzakonshme, kur ekzistenca e saj është duke u sfiduar, ne kemi menduar se është jetike që të arrijmë konsensus, sidomos për shtyllat që mundësojnë funksionalitet të organizatës në të ardhmen.

    Radio Evropa e Lirë: Ju e ndërmjetësuat marrëveshjen që Malta të marrë kryesimin e OSBE-së vitin tjetër. A nuk është kjo fitore për Rusinë? Sepse Rusia është duke e shfrytëzuar të drejtën e saj të vetos, dhe ajo po arrin atë që po synon.

    Bujar Osmani. Nuk mendoj ashtu. Besoj se është fitore diplomatike. Është fitore për OSBE-në dhe fitore për rregullin ndërkombëtar. OSBE-ja është organizatë e bazuar në disa parime bazike dhe parime të përcaktuara me Aktin Final të Helsinkit, i cili ka qenë pjesë e arkitekturës së sigurisë evropiane dhe ka garantuar paqe dhe stabilitet për më shumë se 75 vjet, OSBE-ja më konkretisht, në 50 vjetët e fundit.

    Ne kemi qenë të qartë në dënimin e agresionit rus në Ukrainë. Rusia i ka shkelur parimet dhe përkushtimet e organizatës, dhe ne e kemi pranuar rolin tonë qysh prej fillimit, që ne jemi gardianë të këtyre parimeve. Ne e kemi bërë OSBE-në platformë për llogaridhënie politike dhe ligjore të Federatës Ruse për veprat e saj në Ukrainë. Ne e kemi aktivizuar tri herë të ashtuquajturin mekanizëm të Moskës për të mbledhur të dhëna dhe fakte për mizoritë, përfshirë rrëmbimin e fëmijëve prej Ukrainës.

    Këto të dhëna do të përdoren prej Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër udhëheqësisë ruse. Në veçanti, dimensioni njerëzor ka qenë arsyeja kryesore që OSBE-ja ka nisur një valë demokratizimi në Evropën Lindore.

    Ka shumë që thonë se puna e OSBE-së ka pasur ndikim në rënien e Murit të Berlinit dhe në valën e demokratizimit, prandaj besoj se duke e mbajtur gjallë këtë organizatë, ne ofrojmë shërbimin për të mirë për njerëzit, sepse në fund kujdesemi për njerëzit dhe ky ka qenë slogani i kryesimit të Maqedonisë së Veriut.

    Radio Evropa e Lirë: Por përzgjedhja e Maltës, e cila nuk është anëtare e NATO-s, i përmbush pritjet e Rusisë?

    Bujar Osmani: Ne e kemi mbështetur Estoninë prej kur ka shprehur synimin për ta udhëhequr organizatën, qysh më 2020, dhe kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të arritur konsensus për Estoninë. Vetëm disa javë më parë ne e prezantuam atë në tavolinë, në Vjenë. Fatkeqësisht Federata Ruse dhe Bjellorusia nuk e kanë mbështetur kandidaturën e Estonisë.

    Më pas na është dashur të gjejmë një zgjidhje alternative, një shtet që do të jetë bazë për konsensus për 57 vendet anëtare. Kam komunikuar me secilin ministër të Jashtëm të OSBE-së, i kam pyetur nëse janë të gatshëm të veprojnë dhe ta shpëtojnë organizatën. Jam i lumtur për mirëkuptimin e Maltës, për angazhimin e tyre edhe pse Malta nuk ka ulëse të përhershme në Këshillin e Sigurimit.

    Mendoj se Malta ka bërë hap historik për të mundësuar mbijetesën e organizatës. Ka qenë propozimi ynë dhe jam mirënjohës ndaj OSBE-së, dhe shteteve pjesëmarrëse që e kanë mbështetur këtë propozim.

    Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, ministri rus është duke udhëtuar në një vend anëtar të NATO-s, Maqedoninë e Veriut.

    Bujar Osmani: Nuk pajtohem në këtë pikë. Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse nuk është duke ardhur në Maqedoninë e Veriut, nuk është duke ardhur në Shkup, nuk është duke ardhur në kapacitet shtetëror. Ai është duke ardhur në OSBE, ku janë shtetet pjesëmarrëse. Dua të jem i sinqertë me ju.

    Në kapacitet shtetëror, ata nuk do të mund të vinin në Maqedoninë e Veriut. Pozicioni ynë ka qenë i qartë. Maqedonia e Veriut e ka dënuar hapur agresionin rus në Ukrainë. Ka qenë një prej vendeve që e kanë përkrahur më së shumti Ukrainën. Ju e dini që, për kokë banori, ne jemi shteti i katërt në NATO për nga ofrimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

    Ne kemi qenë 100 për qind në linjë me politikat e BE-së për siguri dhe për vendimet lidhur me sanksionet. Kam qenë tri herë në Kiev si kryesues i zyrës. Ne kemi udhëhequr organizatën, jo sipas parimit se nuk ka ndodhur asgjë, por duke u fokusuar 100 për qind në Ukrainë dhe nevojat e saj. Megjithatë, këshilli ministror është pjesë e organizatës, ku i kemi 57 shtete pjesëmarrëse. Derisa të kemi një vendim për përjashtim apo për ndryshim të formatit të organizatës, që kërkon konsensus, ne duhet t’i ftojmë të gjitha vendet pjesëmarrëse në takim.

    Radio Evropa e Lirë: A keni konsensus që të konfirmoni presidencën e Maltës, duke marrë parasysh se Ukraina dhe tre ministra të vendeve baltike nuk do të marrin pjesë?

    Bujar Osmani: Kam pasur një takim të martën me tre ministrat e Jashtëm në takimet ministrore të NATO-s dhe kam biseduar edhe me ministrin [ukrainas, Dmitry] Kuleba. E kuptoj plotësisht pozicionin e tyre. Ata kanë dalë me deklarata dje që e përgëzojnë kryesimin e Maqedonisë së Veriut në periudhë të jashtëzakonshme.

    Megjithatë, për shkak të qëndrimit të tyre për rolin e Rusisë në organizatë, ata nuk do të marrin pjesë. Por, kjo nuk nënkupton që delegacionet e tyre nuk do të jenë në Shkup, për t’i mbështetur vendimet që tashmë janë marrë në Vjenë, qoftë në këshillin e përhershëm, apo atë përgatitor, ku do të arrijmë konsensus për kryesimin e Maltës më 2024.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë prisni të vendoset në Shkup, të enjten dhe të premten?

    Bujar Osmani: Duke marrë parasysh rregullat e organizatës, që ministrat duhet t’i konfirmojnë vendimet, pres konsensus për atë që është arritur në Vjenë. Është e qartë se kemi sfida tjera, sikurse katër pozitat kyçe, mandatet e të cilave do të skadojë vetëm disa ditë pas këshillit ministror.

    Ne kemi përgatitur një propozim për miratim për zgjatje të mandatit për një vit për këto pozita, derisa të merremi vesh për hapjen e thirrjes për plotësimin e tyre. Dhe sigurisht, çështja e buxhetit. Mendoj se kemi shënuar përparim të madh, duke arritur konsensus për ndarjet buxhetore, mirëpo për shkak të disa çështjeve të vendeve anëtare, nuk e kemi miratuar buxhetin. Prandaj, shpresoj se gjatë këshillit ministror, ne do të mund të flasim dhe të miratojmë edhe buxhetin.

    Radio Evropa e Lirë: Pas një viti të kryesimit të OSBE-së, a besoni se diplomacia është rruga për zgjidhje krizash?

    Bujar Osmani: Ekzistojnë dy trajektore. Është ose lufta, ose diplomacia. Nuk mendoj që ka pasur momentum kur diplomacia ka qenë e parëndësishme. E di që kemi sfida për shkak të faktit se ekziston vendi pjesëmarrës i OSBE-së qe e ka dëmtuar themelin e organizatës, prandaj nuk mund të flasim kinse s’ka ndodhur asgjë me atë vend pjesëmarrës.

    Mirëpo besoj se OSBE-ja dhe kapaciteti i saj diplomatik është instrument unik, i cili do të ketë rëndësi në të ardhmen, kur të arrihet paqja në Ukrainë, kur Rusia t’i tërheqë trupat prej Ukrainës.

    Besoj se OSBE-ja do të ketë një punë të rëndësishme në ofrimin e mbështetjes, jo vetëm për institucionet e Ukrainës, çka kemi bërë edhe ne përmes projekteve për ndarje të fondeve shtesë, por edhe që t’iu ndihmojmë civilëve, sepse siç e kemi thënë gjatë gjithë vitit, në fund është e gjitha për njerëzit. Gjithçka që bëjmë edhe për njerëzit.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë për Ballkanin Perëndimor? Ju keni qenë në Bruksel më 27 dhe 28 nëntor. Ballkani Perëndimor ka qenë në njërën prej temave. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se tensionet po rriten.

    Bujar Osmani: Mendoj se është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar është më i fokusuar në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, sepse është rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, për ne padyshim që jemi pjesë e rajonit, por edhe për shkak të çështjeve të hapura në rajon, të cilat mund të shfrytëzohen nga forcat e dëmshme, me qëllim të destabilizimit të kontinentit.

    Është kritike që ta kemi fokusin në zhvillimet në rajon. Fakti që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka qenë në Shkup javën e kaluar, dhe ne kemi sjellë këtu liderët, liderëve e NATO-s në rajon, dërgon mesazh të rëndësishëm. Është me rëndësi të veçantë kur ky mesazh niset prej Shkupit. Pasi Shkupi… Maqedonia e Veriut, vetëm pak vjet më parë ka qenë pjesë e problemit në rajon. Tani është faktor i rëndësishëm stabiliteti.

    Maqedonia e Veriut si demokraci e suksesshme funksionale, multietnike, që bëhet shembull në rajon, [për Ballkanin Perëndimor] prandaj është e rëndësishme të dërgohen mesazhe që kontestet e hapura duhet të zgjidhen. Ne kemi qenë nikoqirë të dialogut Kosovë-Serbi, i cili ka prodhuar Marrëveshjen e Ohrit. Ne kemi qenë aktivë gjatë kryesimit të OSBE-së gjatë operacioneve tona që kemi pasur në Ballkanin Perëndimor.

    Lajmi Paraprak

    Grkovska: Sigurinë kibernetike duhet ta shohim si investim, jo ​​si shpenzim

    Lajmi i rradhës

    Të painformuar për ndihmën falas juridike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë