Erdogan: Turqia nuk pret më asgjë nga BE-ja

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha më 1 tetor se vendi i tij “nuk pret më asgjë nga Bashkimi Evropian, i cili na ka lënë të presim në derën e tij për 40 vjet”.

    “Ne i kemi mbajtur të gjitha premtimet që ia kemi bërë BE-së, ndërsa ata nuk e kanë përmbushur pothuajse asnjë zotim”, tha ai para fillimit të sesionit të ri parlamentar në Ankara.

    Erdogani shtoi se nuk e ka ndër mend të “tolerojë kërkesa të reja, apo kushte në procesin e anëtarësimit” të Turqisë në bllok.

    Zemërimi i Erdoganit e ka burimin edhe nga një vendim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila e kritikoi Turqinë të enjten e kaluar për dënimin e një mësimdhënësi pas tentim-puçit më 2016, mbi bazat se ai e kishte shkarkuar një aplikacion të koduar për dërgimin e mesazheve të ndërlidhur me puçistët e dyshuar.

    Vendimi i gjykatës se të drejtat e Yuksel Yalcinkayas janë shkelur mund ta krijojë një precedent të fuqishëm, në një kohë kur gjykata me bazë në Strasburg ka para vetes mijëra raste të ngjashme.

    Turqia e fajëson një grup të udhëhequr nga kleriku fetar turk me vendbanim në Shtetet e Bashkuara, Fetullah Gulen, për puçin e dështuar për ta rrëzuar Erdoganin nga pushteti, duke pretenduar se aplikacioni i mesazheve i quajtur ByLock, ishte përdorur për ta bashkërenduar komplotin.

    Erdogani tha më 1 tetor se vendimi i gjykatës së Strasburgut “ishte goditja e fundit”.

    “[Turqia] nuk do t’ia kthejë shpinën luftës kundër këtij grupi tradhtarësh”, tha ai.

    Lajmi Paraprak

    Shkelet afati, shkolla në Vizbeg ende s’është gati!

    Lajmi i rradhës

    Raporti i OSBE për 14 majin: U keqpërdorën burimet shtetërore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë