Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë rrezikon mosfunksionimin

    Për dy vite koordinon vaksinimin në Kumanovë dhe Likovë. Por për shkak të mungesës së vendimit për punë, Valdrin Miftari nga dita e hënë rrezikon të humb edhe angazhimin me kontratë në vepër në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Pas këtij dëshpërimi, Miftari nuk përjashton edhe largimin nga vendi.

    “Kam shpresuar gjithmonë se do të bëhet një ditë, por nuk ka asgjë. Edhe unë si çdo tjetër po mendoj të largohem. Rrogë kemi, por na mungojnë shumë benefite si përvoja në punë dhe sigurimi shëndetësor”, theksoi Valdrin Miftari, Koordinator i vaksinimit.

    Aneta Trajkovska për 13 vite ka statusin e të punësuarës me kontratë në vepër, por nga dita e hënë duhet të jetë gati për më të keqen.

    “Nuk e di si t’ju them. Jam e zhgënjyer. 13 vite pre vendim pune, nuk ka pëlqim. Pas 13 viteve punë ja ku jam. Me të vërtetë nuk di çfarë të ju them”, tha Aneta Trajkovska, Koordinatore.

    Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë po rrezikon të mbetet pa mjekë, kuadër administrativ, pa shoferë ambulance dhe shoferë për ekipet e vizitave shtëpiake. Kërkesat për t’i punësuar 36 të angazhuarit si kuadër i domosdoshëm për këtë institucion tashmë disa herë ka hasur në vesh të shurdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtori Faruk Alili thotë situata në Institucionin të cilin e drejton ai do të rëndohet edhe më tepër për shkak se një pjesë e kuadrit nga viti i ardhshëm del në pension.

    “Tashmë dy vite nuk kemi as përgjigje pozitive as negative pse nuk jepet pëlqimi për këta punëtorë të cilët me vite janë këtu. Përveç tyre ka edhe administratë pa të cilët nuk funksion shtëpia e shëndetit. Kuadri jonë janë para pensionit. Një pjesë ka ikur në pension, një pjesë pritet vitin e ardhshëm. Nëse nuk jepen pëlqime për shoferët do të kemi pengesë sepse nuk do të ketë kush t’i shërben qytetaret në nevojat e tyre”, u shpreh Faruk Alili, Drejtor i SH.SH Kumanovë.

    Ministria e Shëndetësisë thotë se pëlqimi tek ta ka kaluar, por vendimet për punë i pengon Ministria e Financave.

    “Ministria e Shëndetësisë ka dhënë pëlqimin për 36 të punësuar për të cilët është kërkuar pëlqimi nga Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë, po siç mësojmë Ministria e Financave ka dhënë pëlqim vetëm për 13 prej tyre”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Dikasteri i Shëndetësisë injoron edhe kërkesën për t’i dhënë vendime pune edhe 26 motrave medicinale në këtë Institucion të cilat u punësuan gjatë pandemisë.

    “Gjatë kohë pandemisë janë angazhuar me projekt të Ministrisë së Shëndetësisë 26 motra medicinale të cilat e kanë realizuar vaksinimin pas asnjë problem, ishin në vij të parë në vaksinim, në ambulancën e natë edhe në vizitat shtëpiake. As për ato nuk kemi pëlqim”, tha Faruk Alili, Drejtor i SH.SH Kumanovë.

    Heshtje në Ministrinë e Financave për kërkesat e Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë dhe akuzat e dikasterit të Shëndetësisë. Nga ky dikaster nuk u përgjigjën se ku bazohen në refuzimin e pëlqimeve derisa të angazhuarit në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë janë të sistemuar, ka vende të lira dhe buxhet të caktuar për ta./

    Lajmi Paraprak

    Ekonomia e RMV-së nuk është imune ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    Taktika e Rusisë në Siri dhe Ukrainë është e njëjtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë