Shtrenjtimet nuk ndalin duhanpirjen në RMV!

    Për dhjetë denarë janë shtrenjtuar një pjesë e cigareve. Në fakt Rodeo, Bos, Davidof dhe Vest prej të mërkurën paguhen më shumë. Shkak janë bërë ndryshimet e reja në Ligjin e Akcizës. Këto ndryshime kanë hyrë në fuqi që nga fillimi i vitit. Ato harmonizojnë normën e akçizës së çigareve me standardet evropiane. Nga këto akciza do të hyjnë në buxhet së paku 13 milionë euro.

    Mirëpo edhe shtrenjtimet e cigareve nuk kanë ndalur konsumin e duhanit në vend. Në mesatare, çdo qytetar i Maqedonisë tymos 20 cigare. Analizat e autoriteteve shëndetësore të para disa viteve tregojnë se janë regjistruar 700.000 duhanpirës në Maqedoni. Sipas hulumtimit të Institutit të Shëndetit , qytetarët në mesatare konsumojnë çdo vit 11 ton cigare, ose 5.5 kilogramë duhan për kokë banori.

    Sipas llogaritjeve të caktuara, ata shpenzojnë rreth 87 milionë euro në vit për cigare.

    Bile çmimet e produkteve të duhanit do të rriten çdo vit nga 1 janari. Kështu, standardet e BE-së do të arrihen deri në vitin 2030. Kuvendi i miratoi këto ndryshime para një viti apo më 3 tetor 2023. Ky është shtrenjtimi i dytë pas atij në fillim të vitit me nga 5-10 denarë për paketë.

    “Pas nenit 84, shtohet neni i ri 84-a, i çili thotë: Neni 84-a: Akciza e cigareve nga neni 78 paragrafi (1) i këtij ligji është 3.253 denarë për copë dhe 9 për qind nga çmimi me pakicë për kuti. Nëse akciza e kombinuar është më e ulët se 3.453 denarë për copë, zbatohet akciza minimale në vlerë prej 3.453 denarë për atë sasi”, thuhet në ndryshimet ligjore. Sipas ndryshimeve të miratuara, do të ketë rritje të çmimeve deri në vitin 2030, ndërsa akciza për cigaret do të rritet për 0.23 denarë për copë. Një dispozitë e tillë ligjore ka pasur edhe më parë, por ajo kishte skaduar vitin e kaluar.

    Paraprakisht më një korrik 2023 kishim shtrenjtim të një pako cigare. Në 10 vitet e fundit, një pako cigare është shtrenjtuar në mesatare për 5 denarë, për shkak të rritjes së rregullt vjetore të akcizës, taksë e vendosur nga shteti në vitin 2013 me qëllim të dekurajimit të pirjes së duhanit.

    Bile, në kë të periudhë apo në 10 vitet e kaluara, është dyfishuar çmimi i cigareve në mbi 100 denarë. Njëherësh, me ndryshimet e fundit ligjore, nga 1 janari 2024 deri më 1 janar 2030, shuma e akcizës për cigaret do të rritet për 0.23 denarë për copë nga 1 janari i çdo viti. Rritja nga 0.20 në 0.23 denarë është sugjeruar edhe nga Banka Botërore.

    “Nga ana e akcizës tashmë kemi detyrime, por nëse i krahasojmë normat e akcizës për produktet e duhanit në rajon, ato janë ndër më të ulëtat. Nëse i shikojmë çmimet e produkteve të duhanit, ato janë ndër më të ulëtat në rajon. Është e nevojshme të mendohet në mënyrë afatgjatë, sepse duhet menduar edhe për gjendjen shëndetësore që nuk do të shkurtojë jetëgjatësinë. Ky është një lloj i të ardhurave tatimore që ne e rekomandojmë me gjithë zemër”, thonë nga Banka Botërore.

    Mirëpo, cigaret nuk shtrenjtohen vetëm si rrjedhojë e akcizës, por edhe të shtrenjtimit të prodhimtarisë së saj ku janë rritur mjaft kostot e prodhimit të duhanit.

    Gjithashtu ekzekutivi ka arsyetuar rritjen e akcizës me harmonizimin me legjislacionin evropian dhe destimulimin shtesë së duhanpirjes.

    Analizat e OJQ “Analitika”, tregojnë se Maqedonia e Veriut është lider në Evropë për sa i përket konsumit të cigareve, ku gjysma e të rriturve në Maqedoni (48.4 për qind ) pinë duhan, që është shumë më e lartë se mesatarja e BE-së për përdorimin e duhanit (29 për qind ).

    “Një qytetar i Maqedonisë pi mesatarisht 20 cigare në ditë, dhe përveç kësaj vartësie, në vend shiten cigaret me çmim ndër më të ulëtit në rajon dhe Evropë, andaj duhani është lehtësisht i aksesueshëm për të gjithë. Ndalimi i pirjes së duhanit, i cili ishte më rigoroz në fuqi nga viti 2010 deri në vitin 2018, duket se është harruar nga të gjithë”, tregojnë analizat e institutit Analitika.

    Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, vitin e kaluar një familje ka blerë 119 paketa cigare. Familjet bujqësore konsumuan deri në 153 kuti.

    Sipas mjekëve, pirja e duhanit është një faktor rreziku për një numër të madh sëmundjesh dhe nuk ka asnjë organ në trup ku nuk shkakton efekte të dëmshme. Ata i bëjnë thirrje duhanpirësve që të heqin dorë nga zakoni i dëmshëm, dhe të rinjtë të mos arrijnë fare pas cigares dhe t’i përkushtohen një jete të shëndetshme. Numri i cigareve të pira në ditë dhe kohëzgjatja e përvojës së duhanpirjes janë faktorë vendimtarë për shfaqjen e disa sëmundjeve, por ndryshimet që do të ndodhin te individë të ndryshëm varen nga predispozicioni individual.

    Nuk do të thotë se të gjithë duhanpirësit do të sëmuren ose se çdo sëmundje që lidhet me pirjen e duhanit do të shfaqet tek të gjithë duhanpirësit, thonë specialistët e fushës. Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se çdo gjashtë sekonda një person vdes nga një sëmundje e lidhur me duhanin dhe një cigare e tymosur shkurton jetën me 12 minuta. Në mbarë botën, duhani vret rreth gjashtë milionë njerëz çdo vit, pesë milionë prej të çilëve janë duhanpirës dhe mbi 600,000 vdiqën si pasojë e ekspozimit ndaj cigareve. Pothuajse 80 për qind e numrit të përgjithshëm të duhanpirësve në botë, i cili vlerësohet në rreth një miliard, janë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski kërkon durim për procesin e integrimit në BE

    Lajmi i rradhës

    Shkupi shpreson në “mrekulli” me Sofjen!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë